Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Fotografi që gjen art në zonë lufte

Gjashtë muaj pasi shpërtheu lufta në Ukrainë, Daoud Sarhandi-Williams u nis për në Kiev për të fotografuar artin e rrugëve - dhe zbuloi imazhe që kapin shpresat dhe frikën e një qyteti

Një nënprodukt i papritur i pushtimit rus në Ukrainë ka qenë një rritje e interesimit, vlerësimit dhe njohjes së kulturës ukrainase. Sallat e koncerteve dhe libraritë në të gjithë botën janë kthyer nga muzika dhe letërsia ukrainase dhe muzetë kanë shfaqur artin e këtij vendi.

Por jo vetëm në muze dhe galeri mund të gjendet një kulturë vizuale gjithnjë në rritje e sipër. Gjashtë muaj pasi shpërtheu lufta, vitin e kaluar, fotografi dhe regjisori Daoud Sarhandi-Williams udhëtoi për në Kiev për të sjellë në fokus artin e rrugëve që po zbukuronte gjithnjë e më shumë qytetin.

Image
“Karta tarot e Putinit”. Foto: Daoud Sarhandi-Williams

Përvoja edhe në Bosnjë e Kosovë

Sarhandi-Williams kishte botuar më parë një libër me fotografi të artit të rrugës që doli në pah nga lufta në Bosnjë, dhe kishte punuar gjithashtu në Palestinë dhe Kosovë.

“Unë njëmend kam ecur nëpër qytet”, ka thënë ai për Kievin. “12-13 orë në ditë për një muaj duke bërë fotografi. Ndoshta kam ecur në Kiev më shumë se shumica e banorëve aty”.

Edhe Ukraina thotë se këtë vit ka rikthyer mbi 600 kilometra katrorë territor të marrë nga Rusia Botë 1 muaj më parë Ukraina thotë se këtë vit ka rikthyer mbi 600 kilometra katrorë territor të marrë nga Rusia

E rezultati i gjithë kësaj është një libër i ri i titulluar, “Ukraina në luftë: Arti i rrugës, posterët dhe poezitë”.

Nga mijëra fotografi që i ka shkrepur, ai thotë se i ka dizajnuar imazhet dhe tekstin ashtu siç bën një filmbërës, për t’i dhënë lexuesit përshtypjen se ata në të vërtetë po ecin në Kiev, duke i zbuluar këto gjëra ndërsa vazhdojnë para dhe duke kaluar në faqen tjetër sikur të ishin duke marrë një kthesë. Derisa ka fotografuar vende të ndryshme nëpër Kiev, ai thotë se u ndalua vetëm një herë nga policia kur ishte duke shkrepur fotografi të statujave.

“Brenda pak kohësh gjithçka ishte në rregull, por policët u treguan shumë të kujdesshëm ndaj këtyre statujave, gjë që pa dyshim tregon diçka për rëndësinë më të gjerë të kulturës në vend. Ky qëndrim reflektohet edhe në pasurinë dhe diversitetin e artit të rrugës. Nuk është punë e viktimave të luftës, por e njerëzve të vendosur të përgjigjen me imagjinatë dhe shpresë dhe t’i integruar këto gjëra në jetën e tyre të përditshme”.

Image
“Statuja e mbushur me rërë”. Foto: Daoud Sarhandi-Williams

Dhimbja e sotme nga këndvështrimi i së ardhmes

Sarhandi-Williams thotë se gjatë karrierës së tij ka punuar shpesh në situata të vështira dhe potencialisht të rrezikshme.

“Nuk dua të tingëlloj sikur jam i ftohtë dhe i shkëputur nga këto gjëra, sepse nuk jam. Jam tejet emocional. Por kur jam prapa objektivit të aparatit, fokusohem shumë tek imazhi. Jam mjaft analitik, pasi dua t'i paraqes këto vende si mjedise reale. Zonat e luftës nuk janë një gjë e vetme. Ka shumë atmosfera të ndryshme dhe ndonjëherë kontradiktore. Njerëzit mund të jenë të frikësuar, të zemëruar, të vendosur dhe jashtëzakonisht të gëzuar në pothuajse të njëjtën kohë. Unë doja të kapja atë diversitet”.

Edhe Opinion 2 muaj më parë Komponenti kulturor i sigurisë kombëtare

Në një parathënie të librit, shkrimtari ukrainas Andrey Kurkov shkruan se ai “do t'ju drejtojë nëpër Ukrainën e sotme, më me ndershmëri se çdo histori e ardhshme”. Duke njohur rolet e artistëve në “luftimin e tmerreve të jetuara të pushtimit rus”, ai beson se libri demonstron fuqinë restauruese të artit në një kohë lufte. “Arti na lejon të shohim dhimbjen e sotme nga këndvështrimi i së ardhmes, kështu që atje mund të ketë një të ardhme. Dhe kjo na ndihmon të imagjinojmë një të ardhme që do të dëshironim ta kujtojmë”.

Image
“Pinoku”. Foto: Daoud Sarhandi-Williams

Pesë imazhe të paharruara nga libri

“Kozaku”: Posteri i disenjatorit nga Kievi, Mykola Honcharov, është i një Kozaku, një model i luftëtarit ukrainas, i cili ka ndërruar armët e tij tradicionale me një armë antitank të gjeneratës së ardhshme (NLAW). Në të po ashtu shkruhet “Gjithçka që ju nevojitet është NLAW”.

“Karta tarot e Putinit”: Pas pushtimit rus, artistet motra binjake, Mishel dhe Nicol Feldman, krijuan një komplet letrash tarot me temë Ukrainën. Vladimir Putin shfaqet në dy prej tyre si “Njeriu i varur” dhe si djalli.

“Statuja e mbushur me rërë”: Në të gjithë Kievin, statujat mbroheshin nga thasë me rërë. Këtu shfaqet statuja e “Dantes”, simbol i një perspektive më të gjerë evropiane. Mbrojtja e monumenteve nga thasë me rërë fillimisht u porosit nga qeveria, por më pas u zgjerua nga artistë që në mënyrë të pavarur punuan për të mbushur thasët me rërë dhe për të identifikuar monumentet.

“Pinoku”: Sarhandi-Williams thotë se ka hasur pak satirë politike konvencionale të tipit të vizatimeve në gazeta, por në këtë fotografi portretizohen gënjeshtrat ruse – për ukrainasit dhe për njerëzit e tyre – të përfaqësuara në formën e Pinokut të veshur me një kapelë të stilit sovjetik të Pionierëve.

Edhe Të dërguarit amerikanë s’e vizitojnë Kievin, Zelensky e quan “mungesë respekti” Botë 3 muaj më parë Të dërguarit amerikanë s’e vizitojnë Kievin, Zelensky e quan “mungesë respekti”

“Murali i Rilindjes”: Ky mural i realizuar në nga artisti francez, Julien “Seth Globepainter” Malland dhe ai ukrainas, Aleksey Kislov, u referohet veshjes tradicionale ukrainase, si dhe llojit të xhaketës së veshur nga protestuesit në kohën e aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Image
“Murali i Rilindjes”. Foto: Daoud Sarhandi-Williams

Marr nga “The Guardian”. Përktheu: Gonxhe Konjufca