Pas më shumë se një viti luftë, kryeqyteti i Ukrainës, Kievi i është kthyer jetës normale, por me frikën e sulmeve nga ajri të cilat nuk i ka ndalur Rusia. E gjurmët e pushtimit të Rusisë që nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar shihen gjithandej. Qytetarët ende jetojnë me frikën se një ditë mund të jenë cak i sulmeve tokësore ose ajrore
Mjete ushtarake të shkatërruara janë krejt çfarë kanë mbetur nga agresioni rus i shkurtit të vitit të kaluar në kryeqytetin e Ukrainës. Kur më 24 shkurt 2022 rreth 20 mijë ushtarë rusë kaluan kufirin, të mbështetur me sulme ajrore e breshëri raketash, ata ia mësynë edhe Kievit. Por hasën në rezistencë.
Mjetet e demoluara që tani qëndrojnë të ekspozuara para objektit të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës janë dëshmi e kësaj. Afër tyre janë vendosur edhe tabela shpjeguese me emrat e qyteteve tjera të Ukrainës që ndodhen në luftë. Edhe vizitorët që kishin ardhur ta vizitojnë këtë hapësirë gjatë qershorit janë të shumtë. Në mesin e tyre edhe një grup gazetarësh nga vendet e Lindjes së Mesme, Azisë e Ballkanit Perëndimor. Ukrainasit e kujtojnë me krenari ditën kur ushtria ruse u zmbraps prej kryeqytetit të tyre.
“Përpjekja e tyre ka qenë që të hyjnë në qendër të qytetit, por forcat tona të armatosura i zmbrapsën rusët”, thotë ciceronia.
Gjurmët e pushtimit rus shihen edhe në pjesët e tjera, derisa banerë të mëdhenj janë vendosur në ndërtesat publike në mbështetje të luftëtarëve ukrainas që po vazhdojnë luftimet në frontin lindor. Një i tillë me mbishkrimin “Mbrojtësit e Mariupolit të lirë”, qëndron i varur në ndërtesën e Këshillit të qytetit të Kievit. Para godinës është edhe një fotografi e ilustruar me presidentin rus teksa paraqitet në gjykatore, shpresë kjo e ukrainasve që ai një ditë të gjykohet për krime lufte.
Mst: Normalitet deri në mesnatë
E jeta larg fronit të luftës vazhdon normalisht. Njerëzit e veturat qarkullojnë gjatë tërë ditës. Edhe dyqanet e restorantet janë plot e të furnizuara mirë.
Në pjesë të ndryshme shihen edhe punëtorët që ndërtojnë sheshet me kubëza betoni.
Ky normalitet vazhdon deri në mesnatë - pas orës 12 mbyllet gjithçka, përfshirë baret e rihapura. Qytetarët janë të obliguar ta respektojnë orën policore. Ata janë mësuar që aktivitet e tyre t’i ndalin momentin që bie sirena e alarmit si paralajmërim se armiku ka nisur raketat e radhës.
Me teknologjinë e avancuar mund ta dihet në kohë reale se nga vijnë raketat ruse dhe cili është caku i tyre.
Ndezja e alarmit është obligim që qytetarët të zhvendosen në hapësira të sigurta që kryesisht janë nëndheset e ndërtesave.
Në njërin prej hoteleve të kryeqytetit që frekuentohet edhe nga mysafirë të huaj veç shtretërve në bodrume janë të vendosura edhe gjëra ushqimore. Pas alarmit për bomba, në dhomë lëshohet sinjali me zërin e spikeres që rekomandon zhvendosjen në hapësira të sigurta. Në total, Kievi ka mbi 3,600 strehimore, ku mund të strehohen në të njëjtën kohë rreth tre milionë njerëz.
Përveç kryeqendrës, në rast të sulmeve alarmi ndizet edhe në hekurudhat e Ukrainës, të cilat janë ndër objektivat kryesore të Rusisë për shkatërrim.
Pavarësisht rrezikut, transporti hekurudhor mbetet funksional dhe ukrainasit vazhdojnë të krenohen për saktësinë e qarkullimit të tyre. Ky është mjeti kryesor i transportit me të cilin shumë ukrainas kanë vendosur të kthehen në shtëpitë e tyre, nëpërmjet shtetit fqinj, Polonisë. Stacioni i trenit në Kiev gumëzhon nga njerëzit të cilët pas udhëtimit që zakonisht bëhet natën, shpërndahen nëpër lokalitetet e tyre.
Mst: Shkatërrime më të mëdha në Chernihiv
Pasojat më të mëdha te agresionit rus shihen në qytete tjera përreth Kievit.
Për më shumë se një muaj ushtria ruse kishte rrethuar Chernihivin, duke i sulmuar nga toka dhe ajri. Blloqet e ndërtesave të shkatërruara nga fushata 39 ditore e ushtrisë ruse për ta okupuar qytetin verior të Ukrainës, janë dëshmi e kësaj.
Qytetarët i janë kthyer jetës normale, ndërsa pasojat e shkatërrimit e shtetit rus janë ende prezentë.
Hapësirat e banimit janë shndërruar në gërmadha dhe gjësendet e banorëve shihen ende në dhomat e ndara në njërën prej ndërtesave kolektive.
Nga sulmet me bomba nuk është kursyer as hoteli ikonë i këtij qyteti, “Hotel Ukraina”, sipër të cilit janë hedhur tonelata bombash. Stacioni policisë po ashtu ishte ndër caqet e para të bombarduara, që për pasojë vazhdon të jetë i mbyllur.
Gjatë rrethimit të Chernihivit ishin vrarë 700 persona, përfshirë civilë dhe ushtarë ukrainas.
Vetëm në sulmin e 3 marsit 2022, janë vrarë 47 persona. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, gjatë sulmit u përdorën të paktën tetë bomba ajrore, të njohura si “bomba memece”.
Ndërkaq dy të tretat e popullsisë së para pushtimit prej 300 mijë vetash kishin ikur nga qyteti. Sipas banorëve, shumë njerëz të tjerë vdiqën si rezultat i temperaturave të ulëta, mungesës së kujdesit mjekësor dhe mungesës së ushqimit.
E në bodrumin e një shkolle fillore në Chernihiv ushtria ruse gjatë rrethimit kishte ngujuar rreth 300 banorë të fshatit. Ditët e ftohta në dhomat e ngushta ata i kishin kaluar në kushte të vështira, me mungesë ushqimi e veshmbathje. Për pasojë 11 persona kishin vdekur.
“Bodrumi i ka 197 metra katrorë, kështu që kanë qenë vetëm gjysmë metri katrorë për secilin. Prandaj të strehuarit gjatë tërë kohës kanë qëndruar vetëm ulur pa pasur mundësi të lëviznin. Më së vështiri ka qenë për fëmijët të cilët kanë qenë të shumtë në këtë podrum”, thotë një nga të mbijetuarat e ngujimit.
Mst: Sulme brutale edhe mbi objektet e trashëgimisë kulturore
Duke qenë se Chernihiv është në distancë vetëm 45 kilometra me kufirin e shtetit aleat të Putinit, Bjellorusisë, prej ku hynë forcat ruse, banorët thonë se sulmet ishin të brutale dhe të shpejta.
“Vetëm nga një aeroplan ushtarak ishin hedhur 5 apo 6 raketa në këtë zonë. Në atë ndërtesën atje ka qenë një vrimë e madhe brenda dhe tani është rindërtuar në mënyrë që disa prej banorëve të mund të ktheheshin aty. Por të tjerat mbesin ende të shkatërruara”, thotë Alla Skoryk teksa bënë me gisht kah godina e shkatërruar.
Edhe në zonat rurale ka nisur rindërtimi i shtëpive që kryesisht janë njëkatëshe. Një rol të rëndësishëm në ndërtimin e tyre e kanë vullnetarët.
Nga sulmet nuk janë kursyer as objektet fetare që fillimisht ishin shndërruar në baza ushtarake për rusët e më pas ishin shkatërruar. Në kishën ortodokse në fshatin Lukashivka ishin zhvilluar luftime të ashpra mes rusëve e ukrainasve. Për pasojë, hapësira brenda kishës janë shndërruar në gërmadhë.
Deri tash janë dokumentuar rreth 1,600 raste të dëmtimit të vendeve të trashëgimisë kulturore të Ukrainës, duke përfshirë 700 monumente dhe më shumë se 200 muze, arkiva dhe biblioteka. Numri më i madh i rasteve është në rajonet e prekura më së shumti prej sulmeve ruse si: Kiev, Kharkiv, Mariupol dhe Luhansk.
Shkatërrimi i objekteve fetare dhe përpjekja për zhdukjen e identitetit të Ukrainës nuk është i rastësishëm. Një nga propagandat e presidentit rus Putin është se ukrainasve u mungon historia, kultura dhe identiteti i denjë për një shtet kombëtar të ndarë nga Rusia.
Ndërsa ushtria ruse u tërhoq nga Chernihivi, zyrtarët ukrainas deklaruan se qyteti pati rol heroik në parandalimin e sulmit më të madh rus në kryeqytet, i cili ndodhet rreth 144 kilometra larg Kievit.
Pavarësisht përpjekjes për t’iu kthyer normalitetit ende ekziston frika se Moska mund të nisë një ofensivë tjetër, pasi sipas tyre, Kievi mbetet objektivi përfundimtar i Kremlinit.
Por ukrainasit i mban shpresa që me dërgesat e armëve nga perëndimi ku përfshihen raketat me rreze të gjatë e tanke moderne, ushtria e tyre të korr sukses në kundërofensivën për kthimin e territoreve të pushtuara.