Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Forumi Romak i Butrintit bashkon konservuesit në ruajtje të trashëgimisë

Forumi Romak

Në kuadër të bashkëpunimit me “Ancient Rome Live”, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit ka nisur fazën e parë për konservimin dhe mbrojtjen e Forumit Romak në Parkun e Butrintit

Në Parkun Kombëtar të Butrintit ekspertët janë duke punuar për konservimin e Forumit Romak, një prej zonave më të rëndësishme të qendrës urbane të qytetit antik.

Në kuadër të bashkëpunimit me “Ancient Rome Live”, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit ka nisur fazën e parë për konservimin dhe mbrojtjen e Forumit Romak në Parkun e Butrintit.

Projekti, siç raporton Agjencia telegrafike Shqiptare,  synon mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjatë të rrënojave arkeologjike të Forumit Romak dhe deri tani është ndërtuar infrastruktura e sigurisë, si dhe janë kryer ndërhyrjet riparuese në Kullën Veneciane.

Parku Kombëtar i Butrintit, një prej aseteve të trashëgimisë kulturore më reprezentuese të Shqipërisë ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe të të ardhurave gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të shpalosura, Bordi i Menaxhimit të Butrintit, Parku që ndodhet në jug të vendit, ka rritje të vizitorëve me 155 për qind dhe rritje të të hyrave prej 218 për qind nga janari në gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Butrinti, ndodhet në një kodër në jug të Shqipërisë, afërsisht 20 kilometra në jug të qytetit të Sarandës dhe rrethohet nga ujërat e Liqenit të Butrintit, me pamje nga Kanali i Vivarit. Përbën një peizazh të jashtëzakonshëm që ndërthur monumentet dhe rrënojat arkeologjike në sfondin e një territori ballkano-mesdhetar. Qyteti antik i Butrintit u përfshi në listën kombëtare të trashëgimisë si monument kulture në vitin 1948. Butrinti u shpall “Pasuri Botërore e mbrojtur nga UNESCO” në vitin 1992 bazuar në kriterin kulturor si “një lokalitet që ofron vlera të qytetërimit të antikitetit dhe mesjetës në territorin e Shqipërisë”.

Sipas të dhënave të ofruara për parkun, rëndësia natyrore e Ligatinave të Butrintit u njoh nga konventa “Ramsar” në vitin 2003. Në vitin 2005, bazuar në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Butrinti u shpall Park Kombëtar. Parku Kombëtar shërben si një zonë mbrojtëse për pronën e Trashëgimisë Botërore. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Instituti i Arkeologjisë është përgjegjës për të gjitha kërkimet, gërmimet dhe konservimin e rrënojave arkitektonike dhe arkeologjike. 

“Në këtë kuadër, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, në përputhje me mandatin e tij institucional dhe Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, luan një rol koordinues dhe mbështetës në planifikimin, lehtësimin dhe zhvillimin e aktiviteteve kërkimore, konservuese dhe bashkëpunimeve shkencore, duke nxitur koordinimin ndërinstitucional dhe avancimin e njohurive mbi sitin e Butrintit”, shkruhet në ueb-faqen e Butrintit. Parku i njohur arkeologjik fsheh edhe shumë legjenda. 

“Sipas legjendës, themelimi i Butrintit lidhet me pasojat e luftës së Trojës. Heleni, i biri i Mbretit Priam të Trojës, ose Pirro i biri i Akilit, u munduan të sakrifikonin një dem në anijen e tyre, i cili u hodh nga anija dhe doli në breg përpara se të ngordhte. Pikërisht në vendin ku ai dha shpirt u themelua qyteti i Butrintit. Virgjili, poeti romak i oborrit të epokës së Augustit e bëri Butrintin të pavdekshëm duke sjellë aty heroin e tij, Enean, i cili zbarkoi dhe gjeti këtu një koloni me refugjatë trojanë”, shkruhet në ueb-faqe. 

Butrinti u rikthye në vëmendje kur një arkeolog i ri italian, Luigji Maria Ugolini, vuri të gjithë energjinë dhe pasionin e tij intelektual në hetim të legjendës së Eneas.

Pas gërmimeve në Finiq, ai e zgjeroi fokusin drejt Butrintit. Në dhjetor 1927, Ugolini i dërgoi një letër zyrtare Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, ku njoftonte se misioni arkeologjik italian propozonte eksplorimin e Butrintit në vitin 1928. Që më 8 shkurt 1928 u dërguan në Shqipëri pajisje dhe furnizime për ekspeditën dhe, po atë muaj, për të shfrytëzuar vlerat propagandistike të projektit, në Butrint mbërriti edhe një ekip filmimi nga “Istituto Luce” në Romë. Deri në Pashkët e sezonit të parë të gërmimeve, ekipi i Ugolinit kishte zbuluar portën e madhe lindore, që ai më vonë e quajti “Porta Skea”, një mozaik romak në një burim të shenjtë pranë Portës së Luanit dhe mozaikun shumëngjyrësh të Pagëzimores.