Kulturë

Flamuri Kombëtar në 1 mijë e 300 metra katrorë me origami synon “Guinnessin”

Artistja Arbnora Fejza-Idrizi ka bërë përpjekje që të futet në librin e rekordeve “Guinness” tash me skulpturën e saj gjigante me flamurin kuqezi. Dy vjet më parë kishte thyer rekordin me flamurin e Kosovës

Artistja Arbnora Fejza-Idrizi ia ka mësyrë një tjetër rekordi botëror. Idrizi që ka dy rekorde në librin “Guinness” – për vazon më të madhe me lule me origami në vitin 2019 dhe me flamurin e Kosovës në shkurtin e vitit 2021 – ka përfunduar versionin me origami të flamurit shqiptar.

Mozaiku është realizuar për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Përbëhet nga 120 mijë copa skulpturash origami që përfaqësojnë ngjyrat kuqezi.

“Ky është flamuri më i madh në botë, i punuar me 120 mijë fletëpalosje të artit origami. E dimë që arti origami është pak i njohur në Kosovë, mirëpo unë e kam praktikuar këtu dhe e kam zhvilluar. Secila pjesë e letrës ka pasur dhjetë palosje, që i bie 1 milion e 200 mijë palosje të letrave”, ka thënë artistja Fejza-Idrizi.

Image
“Ky është flamuri më i madh në botë, i punuar me 120 mijë fletëpalosje të artit origami. E dimë që arti origami është pak i njohur në Kosovë, mirëpo unë e kam praktikuar këtu dhe e kam zhvilluar”, ka thënë Arbnora Fejza-Idrizi

Mozaiku është realizuar në palestrën sportive të Skenderajt dhe ka zënë hapësirë prej 1 mijë e 300 metrash katrorë.

“Është i punuar i tëri me dorë, si radhitja, renditja. Përfundimi i figurës ka qenë mjaft i komplikuar, sepse është teknikë jo edhe e lehtë. Me këtë projekt kam synuar që të arrij edhe një rekord tjetër botëror, që ta përfaqësoj Shqipërinë me flamurin më të madh në botë. Kjo ka qenë ëndërr dhe dëshira ime që ta prezantoj Shqipërinë në librin e famshëm të rekordeve”, ka shtuar artistja.

Artistja Idrizi realizoi flamurin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2021 me 69 mijë pjesë origami.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Gent Mehmeti

https://fb.watch/oBZCG3sT4I/