Kulturë

Fituesi i “Eurovisionit” do ta kthejë trofeun në shenjë proteste ndaj Izraelit

NEMO

Nemo, fituesi i "Eurovisionit 2024", ka njoftuar se do ta kthejë trofeun pasi Izraelit iu lejua të marrë pjesë vitin e ardhshëm. Këngëtari zviceran 26-vjeçar, fitoi garën me këngën “The Code”. 

Në një deklaratë të postuar në Instagram, shkroi se pavarësisht se është shumë mirënjohës për vlerësimin, nuk e do e mbajë më trofeun e fituar në këtë garë të këngës.

“Vitin e kaluar fitova 'Eurovisionin' dhe me të më është dhënë trofeu. Dhe megjithëse jam jashtëzakonisht mirënjohës për komunitetin rreth këtij konkursi dhe për gjithçka që kjo përvojë më ka mësuar si person ashtu edhe si artist, sot nuk ndiej më që ky trofe duhet të jetë në sirtarin tim”, shkruante në postim

Vendimi i këngëtarit vjen një ditë pasi Islanda u bë vendi i pestë që bojkoton garën e vitit 2026 për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, raporton mediumi britanik "Independent".

Islanda iu bashkua Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës në vendimin se nuk do të jetë pjenë e garës së vitit të ardhshëm, mes thirrjeve për përjashtimin e Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Gazë.

EBU (Unioni Evropian i Transmetuesve) më herët ishte tërhequr nga thirrja për votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit dhe në vend të kësaj miratoi rregulla që synonin t'i dekurajonin qeveritë nga ndikimi në konkurs.

Konservatorët thanë se ishte “absolutisht e drejtë” që Izraeli të jetë pjesë e "Eurovisionit".

Sekretari në hije i Kuturës në Britani, Nigel Huddleston, e quajti shqetësuese që kaq shumë vende po e bojkotojnë "Eurovisionin" për shkak të pjesëmarjes së Izraelit.

“Është thellësisht shqetësuese të shohësh kaq shumë vende po zgjedhin ta bojkotojnë ngjarjen për shkak të përfshirjes së Izraelit. Muzika duhet të jetë një forcë bashkuese, jo një mjet që të përdoret për qëllime politike. Ne besojmë se qeveria do ta përjashtojë mundësinë e bashkimit apo legjitimimit të këtij bojkoti në çfarëdo forme”, deklaroi Huddleston.

Ndërkohë, transmetuesi kombëtar irlandez RTÉ ka thënë se nuk do ta transmetojë "Eurovisionin" vitin e ardhshëm, duke e përshkruar pjesëmarrjen e Izraelit si “të pajustifikueshme marrë parasysh humbjet e tmerrshme të jetëve në Gazë”.

Konkursi i vitit 2026 do të mbahet në Vjenë në maj, pasi përfaqësuesi i Austrisë, JJ, fitoi ngushtë garën e vitit 2025 me këngën “Wasted Love”, duke mundur këngëtarin izraelit Yuval Raphael.

Pas njoftimit të EBU-së për lejimin e Izraelit të marrë pjesë, presidenti izraelit, Isaac Herzog, shkroi në rrjetet sociale se Izraeli e meriton të përfaqësohet në secilën skenë të botës.

“Izraeli meriton të përfaqësohet në çdo skenë në mbarë botën, një kauzë për të cilën unë jam plotësisht dhe aktivisht i angazhuar”, deklaroi Herzog.

EBU edhe më herët ka ndaluar shtete të marrin pjesë. Që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Rusia nuk është lejuar të jetë pjesë e garës në "Eurovision".