Kulturë

Fillon edicioni i 10-të i Festivalit Anibar

Sot do të fillojë edicioni i dhjetë i Festivalit ndërkombëtarë të Filmit të Animuar-Anibar.

Festivali do të fillojë në orën 19:30 në kinemanë “Urban” në Pejë, ndërkaq sipas njoftimit, tema e këtij viti është “Frika dhe Shpresa”.

“Në një shoqëri ku politikanët dhe njerëzit kompetentë në institucione, për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të reaguar ndaj ndryshimeve sociale, politike dhe mjedisore në ambientin ku jetojmë, bëhen indiferentë ndaj këtyre ndryshimeve, njerëzit fillojnë të ndjejnë pasiguri dhe kjo pasiguri përcillet me frikë por edhe shpresa se një ditë ato do të kalojnë”, thuhet tutje në njoftim.

Në kumtesë ndër të tjera thuhet se, në këtë edicion, duke pasur parasysh ndryshimet shoqërore nëpër të cilat Kosova por edhe shoqëritë tjera po kalojnë, trajtohen pikërisht frikërat dhe shpresat e njerëzve për të parë se ku janë dhe ku synojnë të shkojnë.

“Këtë vit festivali ka një program të larmishëm duke përfshirë afro 300 filma të animuar, 15 programe speciale, 4 punëtori për fëmijë, 4 panele diskutimi dhe 3 masterklasa”thuhet në njoftim.

Sikurse çdo edicion tjetër, për një javë gjatë festivalit, çdo mbrëmje duke filluar nga ora 23:00 deri në orën 02:00 në mesnatë, do të mbahen edhe koncertet me bende të njohura, .