Projektorët janë gati, organizatorët po ashtu, e filmat tash presin vetëm ndezjen e ekranit të madh. Dhe publikun. “Anibari” sjell botën në Pejë, e këtë e bën nëpërmjet animacionit. I 12-ti, s’është dosido. Vjen pas një viti të zorshëm pandemik, në përpjekje për t’iu rikthyer normalizimit. Është një edicion për të festuar liritë e njeriut, dhe organizatorët vijnë me një paralajmërim se ka ardhur koha për çizolim
Peja prej të premtes do të ketë tjetër imazh. Qytetit perëndimor do t’i shtohen ngjyrat. Puna për këtë pamje të re që do ta “veshë” për një javë është në finalizim. Projektorët të enjten kanë qenë në montim e sipër. Tre janë në nën qiell të hapur. Krejt ata që kalojnë nga kinemaja “Jusuf Gërvalla”, skaj lumit që ndan qytetin në dysh, dhe parkut “Karragaç” lehtë e kuptojnë se festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar” është gati për edicionin e sivjetmë.
Emrat me renome ndërkombëtar të animacionit, 300 filma, punëtoritë, ligjëratat e ndejat do ta pushtojnë qytetin rrëzë Bjeshkëve të Rugovës.
Edicioni i 12-të me radhë sikurse viteve të tjera – në përjashtim të 2020-s shkaku i pandemisë – do ta bëjë Pejën adresë rajonale të filmit të animuar e përtej tij.
Në vrull e sipër për t’iu dhënë formë detajeve të fundit, organizatorët në një konferencë për media të enjten kanë shpalosur krejt ato që e karakterizojnë edicionin e sivjetmë.
“Izolimi” është tema bosht rreth së cilës sillet krejt Festivali.
“Ky edicion më shumë se gjithçka është edicion për të festuar liritë e njeriut. Do të festohen në forma të ndryshme artistike, duke filluar me shfaqje të filmave nëpër kinema të ndryshme e më pas edhe nëpërmjet punëtorive për fëmijë të moshave të ndryshme e edhe programe të tjera”, ka thënë Vullnet Sanaja, drejtor i “Anibarit” fiks në 12-vjetorin e themelimit të organizatës. Te “Kino Liqeni” në parkun “Karragaç” ai ka thënë se sivjet është ndier nevoja që të diskutohet e festohet për lirinë me synimin që ajo të jetë edhe më kuptimplotë.
“Na duket se sivjet më shumë se herëve të tjera është ndier nevoja të lirohemi nga të gjitha ato që na mbajnë të izoluar tash e një kohë të gjatë, përfshirë lëvizjen e lirë e deri te normat e vendosura në shoqërinë tonë. Ka ardhur koha që të rinjtë të çizolohen”, ka thënë Sanaja në mesditë.
Drejtoresha e Festivalit, Arba Atashi, ka treguar se gjatë gjithë vitit të fundit kanë punuar që edicioni i parë pas masave të lehtësuara në raport me pandeminë të jetë sa më gjithëpërfshirës.
“Shumica prej mysafirëve do të jenë të lidhur edhe në formatin online për shkak të pamundësisë për udhëtime”, ka treguar ajo.
Ka bërë të ditur se programi i shfaqjes së filmave është në gjashtë kategori garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Dy kategoritë e tjera janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Për këtë edicion, “Anibar” do t’i ketë premierat botërore, si: “Raft” nga Marko Mestroviq, si pjesë e Garës Ballkanike, e “Error” nga Lucie Vostárková në Garën Studentore. Po në këtë të fundit është edhe “Red Shoes” nga Anna Paděrová, që vjen në Kosovë pas premierës në Festivalin e Filmit në Cannes.
“Kemi filma të cilët kanë qenë të nominuar për çmime të mëdha”, ka treguar Atashi.
Programi i këtij viti përfshin filma që janë shfaqur, nominuar e që kanë fituar çmime në “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Sundance Film Festival” dhe shumë të tjerë.
Shpesh “Anibar” përshkruhet si Festival me kinema unike. Ato do t’i ketë edhe sivjet.
Shtrihet në pesë kinema, tri prej të cilave në ambient të hapur: kinemaja “Liqeni”, kinemaja “Kubat”, që gjendet në Parkun e Qytetit, dhe kinemaja “Urban”. Ka ruajtur pak edhe nga tradita e vjetme. Programi i filmave është paraparë të shikohet edhe online në platformën digjitale “online.anibar.org”.
Janë pesë prezantime nëpërmjet të cilave të pranishmit do të mësojnë më shumë rreth artit të animacionit nga animatorë me renome ndërkombëtare, si Jurgen Halger, Lori Malépart, Frédéric Schuld, Mauro Carraros, Brooke Keesling. Me përvojë të jashtëzakonshme pune në “Cartoon Network”, “Disney” dhe “Warner Bros”, animatorja Keesling javën e ardhshme do të vijë në Kosovë. “Më pëlqen që po vij në Kosovë për të folur mbi karrierën dhe animacionin, si dhe për atë se çka iu duhet për të punuar në animacion”, ka thënë Keesling përmes një videoje drejtuar dashamirëve të “Anibarit”.
Por “menyja” e sivjetme e Festivalit shkon edhe përtej kësaj. Muzika është një kapitull i veçantë.
“Kemi organizuar edhe program argëtues. Do të ketë artistë të ndryshëm si bende e DJ”, ka treguar koordinatorja për media, Rina Statovci.
“Stratos”, Altin Boshnjaku, “Ashikët e Gjakovës”, “YLL MEGI DJ”, “Uj Pa Gaz”, “DJ Florent V”, “EPTAN”, Ilir Bajri & Elsa Raqi, Suada Abazi e njohur me emër artistik si “ZWADA” janë në mesin e artistëve që do të performojnë në mbrëmjet e Festivalit për t’i dhënë kuptim edhe më çizolimit.