Kulturë

“Anibar” me rreth 300 filma në eksplorim të botës mahnitëse të animacionit

“Mezi presim të kridhemi serish në botën mahnitëse të animacionit tok me ju”, është fjala përshëndetëse e ekipit të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”. Të enjten është bërë publik programi i filmave. Për edicionin e 12-të kanë sjellë një program më të gjerë si asnjëherë më parë. Ditët e “Anibarit” do të shënohen me rreth 300 filma të animuar nga 1 mijë e 413 sa janë dërguar nga e gjithë bota. Edicioni i sivjetmë mbahet prej 23 deri më 30 korrik.

Filmat do të ndahen në nëntë kategori. Gjashtë nga këto kategori janë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Tre kategoritë e tjera janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.

Për këtë edicion “Anibar” do të ketë premierat botërore si “Raft” nga Marko Mestroviq, si pjesë e Garës Ballkanike e “Error” nga Lucie Vostárková në Garën Studentore. Po në këtë të fundit është edhe “Red Shoes” nga Anna Paděrová, që vjen në Kosovë pas premierës në Festivalin e Filmit në Cannes.

Programi i këtij viti përfshin filma që janë shfaqur, nominuar e që kanë fituar çmime në “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Sundance Film Festival” dhe shumë të tjerë.

Të gjitha këto detaje janë bërë të ditura nëpërmjet komunikatës për media të dërguar nga ekipi i Festivalit që tashmë ka një traditë në kinematografi sa i përket animacionit.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19, edicioni i 12-të do të jetë në format të kombinuar. Kjo do të thotë që Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’ mund të vizitohet si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes platformave virtuale”, është bërë e ditur në komunikatë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar”, shtrihet në pesë kinema, tri prej të cilave në ambient të hapur: Kinema “Liqeni”, kinema “Kubat”, që gjendet në parkun e qytetit dhe kinemaja “Urban”. Sipas komunikatës, programi do të shtrihet në të pesë kinematë, si dhe me mundësinë që filmat të shikohen edhe online në platformën e tyre digjitale në “online.anibar.org”.

“Në këtë mënyrë ne do të jemi në gjendje t'u ofrojmë vizitorëve tanë përvojën e këndshme që janë mësuar nga festivali ynë, gjithashtu të sigurohemi që të gjithë do të qëndrojmë të sigurt në këto kohë të trazuara”, është shkruar në komunikatë. Aty është bërë e ditur se në këtë format hibrid më shumë njerëz do të kenë mundësinë të kënaqen në programin e ofruar nga Festivali, që mbahet në qytetin perëndimor të Kosovës, Pejë.

“Shumë shpejt do të shpallim temën e festivalit, jurinë, programet speciale, prezantimet dhe të gjitha aktivitetet e tjera”, është bërë e ditur nga ekipi i “Anibarit”.

Edicioni i vitit të kaluar për shkak të pandemisë e vuri ekipin e Festivalit përballë një situate të re, e cila ka kërkuar adaptimin e festivalit në forma digjitale. E përballë pandemisë për edicionin e sivjetmë “Anibar” vjen më i fortë, pasi që tani ka eksperiencën që i ndihmon.

Edicioni i 11-të ishte mbajtur nga 17 deri më 23 gusht. Ishte një homazh për njerëzit që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë gjatë pandemisë. Pjesë e tij ishin 168 filma, 5 prezantime ndërkombëtare, 5 panele diskutimi, 3 punëtori për fëmijë dhe masterklasa, 2 koncerte muzikore, si dhe u realizuan dy murale në qytetin e Pejës.