Kulturë

Filarmonia me koncert protokollar ia kujton politikës nevojën për sallë

Një version të koncertit “Në kujtim të Nexhmije Pagarushës”, të mbajtur të shtunën e kaluar në Shkup, Filarmonia e Kosovës e ka reprizuar të mërkurën pasdite në Prishtinë, në katedralen “Nënë Tereza” – pa shkëlqimin e akustikën e një salle, të cilën ky institucion ka vite që e kërkon e s’e ka

Para pesë ditësh Filarmonia e Kosovës interpretoi në sallën e Filarmonisë së Maqedonisë. Perlat e muzikës shqipe i bëri bashkë “Në kujtim të Nexhmije Pagarushës”, siç u titullua koncerti i fundvitit. Por një version të tij e ka reprizuar të mërkurën pasdite në Prishtinë, në katedralen “Nënë Tereza” – pa shkëlqimin e akustikën e një salle të cilën ky institucion ka vite që e kërkon e s’e ka. Me zyrtarë shtetërorë ka qenë kryesisht përbërja e publikut në ngjarjen e paralajmëruar si “Koncert me rastin e festës së Krishlindjes”.

“Baresha” e Rexho Mulliqit, aranzhuar nga Gridi Kraja, i cili edhe e dirigjoi koncertin, qe vepra e parë në repertor. Kraja është munduar që t’i qëndrojë sa më afër origjinalit, si instrumental, në shenjë respekti për “Bilbilin e Kosovës”, që vdiq më 7 shkurt të këtij viti. “Një ditë e bukur maji”, e aranzhuar nga Valton Beqiri, me soliste Dea Hamdiu, qe vepra e radhës për të vazhduar me këngën e Kristo Konos, “Kroi i fshatit tonë”, interpretuar nga sopranoja Ardita Ukaj. Kjo ishte paraqitja e saj e dytë si soliste, shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, pas Shkupit.

“Jam shumë e lumtur që në këto paraqitjet e mia të para, koncerti po i kushtohet Nexhmije Pagarushës, të cilën e kam pasur shumë për zemër. Është çdo herë kënaqësi të dalësh para publikut, por dallimet në mes të këtyre dy koncerteve janë të dukshme”, ka thënë ajo. Ka treguar se në Shkup akustika i lejonte që të dëgjonte me mirë tingujt, diçka që ishte shumë e vështirë në Prishtinë.

Koncerti vazhdoi me vepra të njohura e të interpretuara nga Pagarusha si “Dashnor t’u bana” me aranzhim të Gridi Krajës e interpretim të mexosopranos Elikonë Hysaj, “E kujtoj at’ takim”, aranzhuar nga Gridi Kraja, interpretuar nga sopranoja Shkurtë Hykaj, “Margjelo” nga Ilvije Dragusha, “Kenke nur i bukurisë”, interpretuar nga sopranoja Kaltrinë Miftari, “Perëndeshë e bukurisë”, kënduar nga mexosopranoja Diellza Sylejmani, “Për mu paske ken kismet” nga Selvije Marteti, si dhe “Agimet shqiptare”, interpretuar nga sopranoja Adelina Paloja.

Dirigjenti Gridi Kraja ka thënë se interpretimi në koncert ishte më i thjeshtë, pasi që ato u luajtën në koncertin në Shkup. Sipas tij emocioni është çdo herë ndryshe, kur veprat interpretohen në Prishtinë.

“Ishte një koncert shumë i mirë, edhe pse protokollar. Është një sallë jo e përshtatshme për koncerte simfonike. Vendi ku rri orkestra ishte shumë i ulët dhe ne dalim te ajo që kemi thënë disa herë: se kjo orkestër ka nevojë për një sallë të re”, ka thënë ai.

Ka shtuar se instrumentistët, por edhe solistët mbesin me shpresën që realizimi i saj të bëhet në një të ardhme të afërt.

“Nuk e di sesa mund ta kuptojnë politikanët nëse akustika e kësaj salle është në rregull ose jo. Kam përshtypjen se nuk e kuptojnë. Atyre u duhet të vënë në vëmendje që Filarmonia, Kosova ka nevojë për një sallë”, ka thënë ai.

Image“Baresha” e Rexho Mulliqit, aranzhuar nga Gridi Kraja, i cili edhe e dirigjoi koncertin, qe vepra e parë në repertor

 

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës e mbylli mbrëmjen me veprën “Valsi i lumturisë”, kompozuar nga Avni Mula, i cili vdiq në moshën 92-vjeçare në tetorin e sivjetmë.

Kryeministri Abdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, qenë në rendin e parë në publik. Fill pas koncertit u dhuruan lule solisteve, të cilat u bënë bashkë për interpretimin e veprës së fundit.

Filarmonia e Kosovës nuk ka interpretuar në Sallën e Kuqe, ashtu siç ndodh rëndom me koncertet e fundit të vitit. Po ashtu, numri i publikut ishte i kufizuar, për shkak të situatës me pandeminë. E gjithë kjo ka bërë që ndjekësit besnikë të koncertit, të institucionit me të lartë të muzikës në vend, të ndiejnë boshllëk. Këngëtarja Adelina Thaçi është një prej tyre.

“Nuk është se m’u mbush zemra plot. Numri i publikut ishte i vogël, për shkak të pandemisë. Këto këngë që u interpretuan sot nuk meritojnë vetëm duartrokitje, por edhe me u ngrit në këmbë dhe me i nderu”, ka thënë ajo. Ka përgëzuar kolegët e saj, pasi që në të kaluarën Thaçi ishte në mesin e themeluesve të Korit të Filarmonisë së Kosovës.

“Jam kënaqur, por jo ashtu siç jemi mësuar, por në situata të tilla të mbetet vetëm të adaptohesh. Këtë modifikim gjithmonë po e bëjmë edhe me sallë dhe ka filluar që tema për të, të bëhet monotone. Ne si shtet duhet të reagojmë shpejt, sepse ndonjëherë po na imponohet që të provojmë edhe në salla jashtë Kosovës për t’i dhënë nur gjithë kësaj pune të madhe që po bëhet”, ka thënë ajo.

Image

Kryeministri Abdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, qenë në rendin e parë në publik. Fill pas koncertit u dhuruan lule solisteve

 
Orkestra, paraqitjen e parë pas shkëputjeve të detyrueshme nga aktiviteti koncertal, e pati në Sallën e Kuqe më 22 tetor. Pikëndalesa e dytë ishte Gjakova më 11 nëntor, dhe e treta në Shkup. Kori, paraqitjen e parë e pati në kinemanë “Lumbardhi” më 16 tetor në Prizren. Pikëndalesa e radhës ishte qyteti i Pejës dhe Shkupi. Anëtarët e Korit, më 23 tetor performuan në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, dhe në Shkup më 31 tetor, ku orkestra u rikthye të shtunën e kaluar me koncertin e fundvitit “Në kujtim të Nexhmije Pagarushës, i cili do të transmetohet ekskluzivisht në Kohavision, në natën e 31 dhjetorit.
 
{gallery}