“Në kujtim të Nexhmije Pagarushës” u titullua koncerti i së shtunës mbrëma i mbajtur në Shkup. Për dallim nga koncertet e tjera të fundvitit, ku ariet e operave botërore zinin vend në programin e Filarmonisë së Kosovës, kësaj radhe në kryeqytetin e dikurshëm të shqiptarëve u interpretuan disa prej veprave më të rëndësishme të muzikës së kompozitorëve shqiptarë
Shkup, 20 dhjetor – Kur hapen dyert, e publiku nis të hyjë në sallë, ngadalë edhe anëtarët e Orkestrës nisin e zënë vendet e tyre. Janë të shumtë ata që kanë bërë mbi 90 kilometra rrugë për të qenë në koncert. E sa u përket orkestrës dhe solistëve, të gjithë e kanë bërë këtë rrugë nga Prishtina në Shkup. Kësaj radhe Filarmonia e Kosovës kishte lënë një takim të pazakontë me ndjekësit e saj për koncertin e fundvitit. U takuan në sallën e Filarmonisë së Maqedonisë. Pos distancës e rrethanave të krijuara nga pandemia, institucioni muzikor koncertin ia dedikoi këngëtares me nam që vdiq në fillim të këtij viti, Nexhmije Pagarushës.
“Në kujtim të Nexhmije Pagarushës” u titullua koncerti i së shtunës mbrëma. E për dallim nga koncertet e tjera të fundvitit, ku ariet e operave botërore thurnin repertorin e programit të Filarmonisë së Kosovës, kësaj radhe në kryeqytetin e dikurshëm të shqiptarëve zunë vend disa prej veprave më të rëndësishme të muzikës së kompozitorëve shqiptarë.
Kur dirigjenti Gridi Kraja ka zënë vendin e tij përballë orkestrës, dhe ka dhënë sinjalin që interpretuesit të bëhen gati, qetësia në sallë i ka prirë “Uverturës” nga opera “Goca e Kaçanikut” të kompozitorit Rauf Dhomi. Si pjesë e operës së parë të Kosovës, “Uvertura” nëpërmjet muzikës ka kthyer të pranishmit në kohën kur shqiptarët në Kosovë synonin të prosperonin midis të tjerash edhe në kulturë. Me aranzhim të Valton Beqirit, solistja Dea Hamdiu ka hapur programin e solisteve të Filarmonisë së Kosovës me këngën “Një ditë e bukur maji”, për t’i lënë radhën sopranos Ardita Ukaj me këngën e Kristo Konos, “Kroi i fshatit tonë”. Me këto këngë publiku ka nisur që të jetë pjesë e ngjyrave të tjera të koncertit, që për herë të parë mbahej në kushte ideale në një sallë ku finesat janë diçka e dukshme. Në Prishtinë, me rregullat për parandalimin e përhapjes së virusit, nja 30 veta do të mund ta ndiqnin koncertin live.

“Dashnor t’u bana” me aranzhim të Gridi Krajës e interpretim të mexosopranos Elikonë Hysaj, ka hapur pjesën programore ku janë interpretuar këngët e kënduara nga Nexhmije Pagarusha. E lindur në maj të vitit 1933, Pagarusha vdiq në 7 shkurtin e sivjetshëm. E vlerësuar si ikonë e këngës shqipe e “Bilbili i Kosovës”, Pagarusha njihej si portret i një artisteje të kompletuar dhe i gruas që në vitet ’60 të shekullit të kaluar thyente barrierat tradicionale të një shqiptareje të kohës. Pos kësaj kënge, Pagarusha është përkujtuar edhe më tutje gjatë koncertit. “E kujtoj at’ takim” aranzhuar nga Gridi Kraja, interpretuar nga sopranoja Shkurtë Hykaj, ka sjellë para të pranishmëve një prej këngëve kryesore me të cilën identifikohet Pagarusha. Të shumtë kanë qenë ata që nuk kanë munduar të rezistojnë pa e “përjetësuar” këtë moment duke e xhiruar nëpërmjet telefonave. Por, koncerti i plotë do të transmetohet në Kohavision në orën 20:00 në natën e 31 dhjetorit.
Magjia muzikore pavarësisht formatit të një alamet koncerti, në kontrast me boshllëkun në sallë për shkak të kritereve të shfrytëzimit të saj të vetëm një të tretës së kapacitetit, shpesh ngjante si një koncert intim midis publikut dhe orkestrës. Sopranoja Ilvije Dragusha me këngën “Margjelo” i ka hapur rrugë veprës së Lorenc Antonit “Në Prizrenin e vjetër”. Shkupi e Prizreni dikur ishin ndër qendrat më të rëndësishme shqiptare edhe sa u përket lëvizjeve patriotike. E kësaj radhe nëpërmjet veprës së Antonit, Prizreni ka qenë i pranishëm në Shkup i zbërthyer nga muzika.
“Kenke nur i bukurisë”, interpretuar nga sopranoja Kaltrinë Miftari, “Perëndeshë e bukurisë” kënduar nga mexosopranoja Diellza Sylejmani, “Zambaku i Prizrenit”, kënduar nga Besë Krasniqi, “Për mu paske ken kismet” nga Selvije Marteti e Agimet shqiptare” interpretuar nga sopranoja Adelina Paloja, i kanë prirë një vepre tjetër në kujtim të Pagarushës dhe kompozitorit Rexho Mulliqi.
“Baresha”, aranzhuar nga Gridi Kraja, ka dhënë një tjetër ngjyrim emocional. Në versionin që është luajtur, Filarmonia është munduar që të jetë sa më afër origjinalit të Mulliqit duke bërë që interpretimi i orkestrës të sjellë me finesë tingujt e veprës madhështore. Qëllimshëm në kujtim të Pagarushës, kënga nuk është kënduar.
Shpalosur në sallën e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, me kushte që artistëve të vendit veç u premtohen si refren i dy dekadave, koncerti i Filarmonisë së Kosovës vjen si rrugëtim me perla muzikore të cilin, të gjithë, do të mund ta përjetojnë në natën e Vitit të Ri, në Kohavision
“Baresha ishte në versionin orkestral, duke respektuar këndimin që i ka bërë Pagarusha kësaj kënge ikonike”, ka thënë drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.
Pas këngës “Në zanam të t’asaj furije” të Çesk Zadesë, interpretuar nga sopranoja Arta Jashari, 11 solistet janë bërë bashkë në skenë. Koncertit i është dhënë epilog me “Valsin e lumturisë” të Avni Mulës, i cili vdiq në moshën 92-vjeçare në tetorin e sivjetmë. “Valsi...” ashtu sikurse “Baresha” i kanë dhënë tjetër ritëm koncertit, jo vetëm për shkak të popullaritet të tyre, por edhe të interpretimit të orkestrës dhe solisteve.
Prej atyre që nuk kanë mundur të qëndrojnë në sallë pa xhiruar ndonjë pjesë me telefon, ishte edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
“Në një kohë shumë gri, në një kohë shumë të zymtë, na sollën shumë ngjyrë e shumë melodi. E përgëzoj Filarmoninë e Kosovës për këtë koncert. Më vjen keq që kjo sallë grandioze duhej të mbushej me vetëm një të tretën e kapacitetit të saj”, ka thënë ai pas koncertit.
Sipas Grubit, bashkëpunimet kulturore midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut duhet të intensifikohen.
“Jemi shumë afër njëri-tjetrit për bashkëpunim. Objektet kulturore këtu janë edhe tuajat. Më 25 janar do të mbajmë mbledhjen e përbashkët qeveritare, ku do të nënshkruajmë shumë marrëveshje, një prej tyre edhe për kulturën. U morëm vesh me drejtorin e Filarmonisë që këtë koncert në një format më të shkurtuar ta mbajmë edhe atë ditë pas mbledhjes së dy qeverive”, ka thënë ai.
Sopranoja Adelina Paloja ka thënë se shumë faktorë kanë ndikuar që koncerti i fundvitit sivjet të ofrojë ndjenja të jashtëzakonshme. Ka përmendur se i është kushtuar Nexhmije Pagarushës, e po ashtu edhe faktin që është mbajtur në një sallë të ndërtuar enkas për koncerte të tilla.
“Për herë të parë solistët së bashku me orkestrën arritëm të shijonim nuancat e detajet që ne i punojmë. Gjatë pandemisë ne nuk kishim mundësi të kemi një koncert të përmasave të tilla. Besoj që ishte i suksesshëm dhe publiku është ndarë i kënaqur”, ka thënë ajo.
Dirigjenti Gridi Kraja ka thënë se ishte një koncert i shkëlqyer, duke u bazuar tek orkestra, e cila ka pasur peshën specifike. Sipas tij, solistet interpretuan shumë mirë dhe ishin të shumta në numër për të sjellë nuanca të ndryshme vokale.
“Kur flasim për emra, si Nexhmije Pagarusha ne ndihemi të nderuar që të ngjitemi në skenë për të luajtur materiale që ajo ka interpretuar. Jemi përpjekur që të jemi në stilin që ka kënduar ajo atëherë pasi ishte e vështirë të gjenden notat, andaj është punuar shumë dhe kemi riorkestruar”, ka thënë ai.
Pas koncertit përmbyllës të Filarmonisë së Kosovës, drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari, ka thënë se sivjet në jubileun e 20-vjetorit të themelimit të institucionit, në fillim të vitit kanë mbajtur tri koncerte, për ta ndërprerë aktivitetin për shtatë muaj shkaku i masave që detyroi pandemia. Ka kujtuar se në vjeshtë kanë mbajtur shtatë koncerte nëpër qendra të ndryshme në Kosovë e edhe në Shkup.
“Tradicionalisht koncerti i fundvitit është mbajtur me vepra të artit të operës me arie të kompozitorëve të njohur. Këtë koncert menduam që t’ia dedikonim ikonës së muzikës shqiptare që i themi edhe ‘Bilbili i Kosovës’, Nexhmije Pagarusha. Plot 11 soliste u prezantuan midis tyre edhe me këngë të kënduara nga Pagarusha”, ka thënë ai. Ka konfirmuar se në parim janë marrë vesh me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut që pasditen e 25 janarit të mbajnë një koncert tjetër po në Shkup pas mbledhjes së dy qeverive. Nëse ky synim realizohet, qeveritarët e Kosovës do të ishin krenarë për nivelin e Filarmonisë, por njëkohësisht do të shihnin edhe se si tingëllojnë veprat në një sallë ideale për koncerte që Filarmonia e Kosovës nuk e ka pikërisht shkaku i qeveritarëve. Në këtë kontekst, zhvendosja e Filarmonisë nga Prishtina në Shkup, do të duhej të shpërbente edhe si një alarm pikërisht në kohën kur janë bërë 11 vjet prej se është vendosur guri themeltar i teatrit të operës “Dr. Ibrahim Rugova”, e që sot e asaj dite ajo hapësirë është livadh.