Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Festa” sjell frymën artistike në botën e gazetës 

Ish-biblioteka “Hivzi Sylejmani” është rihapur pas shumë vjetëve dhe bienalja nomade “Manifesta 14” ka qenë arsyeja që e ka kthyer hapësirën në atë që quhet “Qendra për Praktika Narrative”. Hapësira, që tash e një muaj qëndron e hapur, ka shërbyer edhe për të kremten e lansimit të numrit të dytë të gazetës “Festa”. Ajo është publikim në kuadër të Bienales dhe fokusohet në zgjerimin e programit të saj. Rrëfimet, opinionet dhe faktet interesante të sjella nga përvojat e njerëzve për një nga ngjarjet më të mëdha në Evropë janë faqosur në gazetën e shtypur që i mungon Kosovës.

Në ambientin e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani” është lansuar numri i dytë i gazetës “Festa”. Siç kishte premtuar bienalja nomade “Manifesta”, që aktivitetin e saj me edicionin e 14-të e ka shtrirë në Prishtinë, për kthimin e hapësirave publike te qytetarët, një gjë të tillë e ka bërë edhe me rastin e lansimit të gazetës. Derisa numri i dytë i gazetës është lansuar në ish-bibliotekë, i pari kishte zënë vend në Pallatin e Rinisë. 

Mbledhjet e njerëzve në “Qendrën për Praktika Narrative” tashmë janë të zakonshme. Në kuadër të “Manifesta 14”, aty po organizohen punëtori e diskutime publike për fusha, e me njerëz të ndryshëm. Disa muaj para fillimit të maratonës 100-ditore të aktiviteteve të saj, kishin filluar punimet në këtë hapësirë. Tashmë ajo ka marrë pamje të re dhe “Festa” ka qenë arsyeja që ka sjellë në të kremte qytetarët e Prishtinës dhe veçanërisht komunitetin artistik. 

“Festa” përmban një bisedë ndërmjet Catherine Nicols, ndërmjetësueses kreative të “Manifesta 14” dhe drejtores së Qendrës për Histori Gojore, Erëmirë Krasniqi. Që në fillim të gazetës, lexuesi njoftohet se në vazhdën e leximit do të mund të gjejë biseda, poezi, literaturë, art, tregime historish dhe dimensionet që bashkohen në Bienalen Nomade. Ajo vijon me shkrimin nga redaktorja e gazetës Rina Meta, për “Korridorin e Gjelbër” nga Carlo Ratti Associati. “Pemët e larta në Korridorin e Gjelbër konsolidojnë prezencën e tyre përmes një shtrese të bukur, specie të egra, të cilat do ta popullojnë mobilizimin substancial përgjatë 100 ditëve të bienales ‘Manifesta 14’ dhe më pas”, ka shkruar ajo ndër të tjera. Më tej, gazeta, e promovuar të mërkurën mbrëma, vazhdon me informacione e pamje nga ndërhyrja artistike e artistit turk Cevdet Erek në hapësirën e ish-Rilindjes, ato në hotel “Grand”, si “Grand Scheme of Things” dhe “New Grand” . Një shkrim nga artistja dhe shkrimtarja në fushën e kulturës Edona Kryeziu ka shkruar për ndërhyrjet artistike e performancat e artistëve Alban Muja, Alketa Xhafa-Mripa, Astrit Ismaili, Driton Hajredini, Elona Beqiraj, Flaka Haliti, Lulzim Zeqiri, Petrit Abazi, Petrit Halilaj dhe Sislej Xhafa. Përfshihet edhe një shkrim për programin e Qendrës për Praktika Narrative. “Biblioteka Hivzi Sulejmani si monument është pasuri kulturore në Prishtinë. Është ndërtuar në vitin 1930 bazuar në dizajnin e arkitektit rus, Sokolov”, thuhet ndër të tjera në artikullin në gazetë. Ai vjen si informacion edhe për Fabrikën e Tullave në Prishtinë, e informacion për artistët, si dhe botimin “Public After All”. Siç zakonisht ndodhte me gazetat e tjera, “Festa” përmban edhe horoskop. 

Redaktorja Rina Meta është shprehur e lumtur që rolin prej gazetareje ta kthej pas disa vjetëve e ta shtrijë atë pikërisht për gazetën e shtypur. Përvojën në këtë gazetë e ka cilësuar si liri editoriale për nga eksperimentet që ka bërë, lidhjen me audiencat e ndryshme dhe komunikimin me gjuhë të ndryshme. 

“’Manifesta’ më ka ftuar të propozoj një medium me të cilin ka me komuniku me Prishtinën, unë kam propozuar me qenë gazetë, pasi në kohën kur është propozuar, në fillim të vitit 2022 Prishtina s’ka pasur gazetë dhe në këtë jam ftuar për tre numra të gazetës”, ka thënë Meta. 

Edhe Pas zhbërjes të shenjës së fundit të “Manifestas”, partneritet i ri për monumentin Kulturë Pas zhbërjes të shenjës së fundit të “Manifestas”, partneritet i ri për monumentin

Veçanti e këtij botimi janë edhe kodet skanuese, ku secili artikull në gazetë mund të gjendet edhe në formatin elektronik në uebfaqen e bienales “Manifesta”. “Diçka që më pëlqen shumë në numrin e dytë dhe që është eksperiment i numrit të dytë është që ai është i lidhur me QR-codes, ku mund të skanoni dhe të shihni një pjesë të tregimit që e lexoni në gazetë”, ka thënë ajo, derisa ka theksuar se qëllimi i saj ka qenë relevanca e gazetës dhe në mënyrë që ajo të jetë çdoherë e përditësuar. Botimi i parë i gazetës ka qenë komunikim me lexuesin në tri gjuhë. Është synuar që përmes të shqipes, anglishtes e serbishtes ta takojë Bienalen me kryeqytetin dhe me programet e planet që ka pasur atë kohë për edicionin e saj në Prishtinë. 

Koordinatorja për program dhe hulumtim në Qendrën për Praktika Narrative, Donjeta Murati, i ka vlerësuar me rëndësi ngjarjet që zhvillohen aty, të cilat do të mbesin deri në përfundim të Bienales. Ka thënë se programi në këtë lokacion të “Manifesta” është specifik për hapësirën dhe se në të njëjtën kohë është duke u aktivizuar për të mbledhur sa më shumë njerëz për diskutimet e ndryshme, performancat dhe ekspozitat që janë aty. Lansimi i gazetës “Festa” aty përkon edhe me imazhin e ish-bibliotekës së shkrimtarit Hivzi Sylejmani, që kishte lënë shtëpinë e tij në shfrytëzim për gjeneratat që do të shkolloheshin. “Sa i përket botimit të ‘Festës’, ne jemi shumë të lumtur, ngase kjo ka qenë bibliotekë dhe e ka një vazhdimësi në sensin që është shumë me rëndësi edhe të dokumentohen procese të ndryshme dhe të diskutojmë përmes shkrimeve të ndryshme dhe jemi shumë të lumtur që ‘Festa’ po lansohet këtu”, ka thënë Murati. 

Ekziston mundësia që gazeta “Festa” ta vazhdojë aktivitetin e saj edhe pas përfundimit të 100 ditëve të Bienales Nomade dhe për këtë redaktorja e saj, Rina Meta, publikisht ka bërë thirrje për të interesuarit që duan të angazhohen në vazhdimin e botimit të saj. Ndërkohë në proces të punës është numri i tretë i gazetës. Ai do të publikohet me rastin e mbylljes së “Manifesta 14” në muajin tetor të këtij viti. 

Image

“Festa” përmban një bisedë ndërmjet Catherine Nicols, ndërmjetësueses kreative të “Manifesta 14” dhe drejtores së Qendrës për Histori Gojore, Erëmirë Krasniqi. Që në fillim të gazetës, lexuesi njoftohet se në vazhdën e leximit do të mund të gjejë biseda, poezi, literaturë, art, tregime historish dhe dimensionet që bashkohen në Bienalen Nomade