Objekti i ish-bibliotekës së qytetit kohë të gjatë kishte qenë temë diskutimi. Ishte tentuar të shndërrohej në një muze, si hapësirë komunitare për kulturë, me vepra të Ibrahim Kodrës, por të gjitha planet kishin dështuar. Atëbotë, më 2021, ishte vendosur aty Qendra për Praktika Narrative pas një marrëveshjeje ku Komuna e Prishtinës ia jepte në shfrytëzim “Manifestas” për pesë vjet. Por në shkurtin e vitit të kaluar, Qendra për Praktika Narrative ishte mbyllur në mungesë fondesh. Ish-ndërtesa e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” pas shumë orvatjesh është bërë objekt i një memorandumi të mirëkuptimit mes Komunës të Prishtinës dhe një pjese të shoqërisë civile të organizuar përmes “PART - Punëtorët në Art”.
Mungesa e fondeve dhe e një plani të qëndrueshmërisë kanë bërë që mbetja e vetme e “Manifestas” në Prishtinë, Qendra për Praktika Narrative, të shembet. Ish-ndërtesa e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” pas shumë orvatjesh është bërë objekt i një memorandumi të mirëkuptimit mes Komunës të Prishtinës dhe një pjese të shoqërisë civile të organizuar përmes “PART - Punëtorët në Art”.
Objekti i ish-bibliotekës së qytetit kohë të gjatë kishte qenë temë diskutimi. Ishte tentuar të shndërrohej në një muze, si hapësirë komunitare për kulturë, me vepra të Ibrahim Kodrës, por të gjitha planet kishin dështuar. Atëbotë, më 2021, ishte vendosur aty Qendra për Praktika Narrative pas një marrëveshjeje ku Komuna e Prishtinës ia jepte në shfrytëzim “Manifestas” për pesë vjet. Por në shkurtin e vitit të kaluar, Qendra për Praktika Narrative ishte mbyllur në mungesë fondesh. Ishte thënë se do të hapej në maj. Por kjo nuk ka ndodhur dhe autoritetet komunale kishin marrë tjetër vendim: në mes të atij muaji aty qe vendosur Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.
Pas raportimit të KOHËS, lëvizja “Punëtorët në Art” i ishte drejtuar me letër publike Komunës së Prishtinës.
Kjo çështje është diskutuar edhe në Kuvend. Rezultati ishte rekomandimi për largim të stafit të Drejtorisë e hapje të diskutimit për të ardhmen e monumentit. Rekomandimi pati kaluar me 19 vota për, 13 kundër e një abstenim. Disa grupe të asamblistëve patën thënë se në rast se nuk përfillet rekomandimi, në seancën tjetër do të kishte vendim për këtë çështje. Pak a shumë këto rekomandime qenë bërë edhe nga “Punëtorët në Art”, letër që ishte përkrahur nga mbi 300 organizata e individë, përfshirë emra ndërkombëtarë në fushën e artit dhe kulturës. Dhe kjo edhe është arritur. Të martën është nënshkruar një marrëveshje me Komunën e Prishtinës në lidhje me këtë.
Marrëveshja për aktivizimin e përkohshëm të hapësirës është nënshkruar pas një angazhimi të gjatë të komunitetit të artit, kulturës dhe shoqërisë civile, të organizuar përmes lëvizjes “PART – Punëtorët në Art”.
PART është një lëvizje shoqërore që ka filluar më 2020 si një platformë me idenë e mbështetjes së nevojave të punëtorëve dhe artistëve të pavarur të kulturës, të cilët konsiderohej që nuk ishin të përfaqësuar mjaftueshëm në hartimin e politikave kulturore. Si organizim joformal, nuk punon në bazë hierarkie, nuk financohet dhe nuk ka zyrë. Në përbërje ka hulumtues, artistë, kuratorë e punonjës të pavarur në fushën e kulturës në Kosovë.
“Hapësirat e artit, kulturës dhe ato komunitare janë thelbësore për krijimin e një shoqërie të lirë. Ato shërbejnë si vende ku mësohet dhe kuptohen referenca të reja, ku ndërtohet komuniteti dhe ku nxitet mendimi kritik. Në këto hapësira hapet mundësia për të ushqyer imagjinatën, për të zhvilluar forma të reja krijimtarie dhe për të krijuar komunikim mes grupeve të ndryshme shoqërore, të cilat jo gjithmonë kanë hapësira të përbashkëta ku mund të takohen”, ka thënë në një përgjigje ndaj KOHËS Blerta Ismaili, përfaqësuese nga “PART”.
Pas mbylljes së Qendrës për Praktikë Narrative dhe zhvendosjes së zyrave të Komunës së Prishtinës në ish-bibliotekë, reagimet publike kanë ndalur transformimin e saj dhe e kanë rikthyer debatin në duart e qytetarëve. Marrëveshja parasheh një periudhë njëvjeçare për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e komunitare, si hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për menaxhimin e hapësirës. Në kuadër të marrëveshjes do të krijohet një komision me tre anëtarë, i cili do të hartojë rregulloren e përdorimit, do të shqyrtojë kërkesat për shfrytëzim të hapësirës dhe do të zhvillojë takime me komunitetin.
“Për zbatimin e marrëveshjes njëvjeçare do të krijohet një komision me tre anëtarë: dy nga PART, me mandate të shkallëzuara prej 3 dhe 6 muaj, dhe një nga Drejtoria e Kulturës, që do të hartojë rregullore, shqyrtojë kërkesat për shfrytëzim të hapësirës dhe zhvillojë takime me komunitetin. Fillimisht, komuniteti do të përfaqësohet në komision nga Rozafa Maliqi nga ‘Kino Armata’ dhe Artrit Bytyçi nga ‘StoryLab’”, ka shtuar ajo.
Përfaqësuesit e lëvizjes theksojnë se nuk do të menaxhojnë drejtpërdrejt objektin, por bashkë me Komunën do të vazhdojnë të punojnë për një proces të strukturuar, të bazuar në pjesëmarrje qytetare dhe qeverisje të mirë.
“Edhe pse ende nuk është përcaktuar forma përfundimtare, komisioni i përbashkët me komunën do të punojë për krijimin e një platforme apo formë të aplikimit që do ta bëjë procesin sa më të thjeshtë dhe të përdorshëm për të gjithë”, ka thënë Ismaili.
Sipas tyre, kjo është një zgjidhje e përkohshme që synon të mbrojë funksionin publik të hapësirës dhe të shmangë mbylljen ose humbjen e autonomisë së saj për shkak të mungesës së vizionit institucional, ndërkaq puna konkrete do të nisë së shpejti.
“Dokumenti udhëzues dhe kriteret përkatëse pritet të hartohen në ditët në vijim, në bashkëpunim me komunitetin dhe komunën, me qëllim që procesi të jetë sa më transparent, gjithëpërfshirës dhe i drejtë”, ka shtuar ajo.
Ky bashkëpunim mendohet të jetë një zgjidhje e përkohshme, me qëllim të ofrimit të mundësisë së përfshirjes së modelit të partneritetit publiko-civil. Bashkë me komunitetin, përmes kësaj nisme, është synuar që institucionet të krijojnë rregulla e procese.
“Si grup joformal i punëtorëve/eve në art dhe kulturë, PART do të vazhdojë të angazhohet për një proces të strukturuar që do të përcaktojë menaxhimin afatgjatë të hapësirës mbi bazën e pjesëmarrjes qytetare dhe qeverisjes së mirë. Kjo zgjidhje është e përkohshme dhe synon riaktivizimin e hapësirës në shërbim të publikut, deri në momentin kur Komuna e Prishtinës të ndërmarrë një proces të strukturuar për menaxhim të qëndrueshëm të saj”, ka shpjeguar Ismaili.
Bienalja nomade “Manifesta” e mbajtur në Prishtinë më 2022 kishte marrë fonde nga një sërë burimesh gjatë viteve për restaurimin e monumentit jo larg qendrës së qytetit, duke përfshirë ambasadat e Holandës, Luksemburgut dhe Zvicrës, si dhe partnerë të tjerë publikë. Krejt investimi në ish-ndërtesën e bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, sipas “Manifestas” kap shifrën e 850 mijë eurove.
“Gjatë viteve 2021-2023 kostoja e programit të restaurimit dhe pagave ka qenë rreth 700 mijë euro. Shuma është siguruar nga parterët si Luksemburgu me 400 mijë euro, Komuna e Prishtinës me 200 mijë euro e Ambasada e Holandës me 100 mijë euro”, kishte treguar drejtoresha e Binelaes, Hedwig Fijen.
“Gjatë vitit 2023 shpenzimet e Qendrës qenë rreth 150 mijë euro. Kjo shumë u sigurua nga fondacioni ndërkombëtar ‘Manifesta’ në Amsterdam me 72 mijë euro dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim me 30 mijë euro dhe donatorë të tjerë”, kishte thënë Fijen.
Në bazë të të dhënave të ofruara nga “Manifesta”, 69 për qind e buxhetit për edicionin e Prishtinës është siguruar nga institucionet publike të Kosovës. Prej tyre 1 milion e 970 mijë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 1 milion e 720 mijë nga Komuna e Prishtinës. Kurse 31 për qind e buxhetit, 1 milion e 600 mijë euro janë dhënë nga “Manifesta 14” nëpërmjet donatorëve.
Gjatë restaurimit të ngutshëm të monumentit për ta kthyer në Qendër për Praktika Narrative – ku edhe donatorët kishin mbyllur sytë krahas parregullsive, njëjtë sikurse institucionet – punët ishin mbikëqyrur nga fondacioni për trashëgimi kulturore pa kufij, “ChwB Kosova”.