Kulturë

Kuvendi Komunal i kërkon Drejtorisë së Kulturës ta lirojë monumentin ku dështoi “Manifesta”

Biblioteka Hivzi Sulejmani

Drejtorisë së Kulturës të zhvendosur muajin e kaluar në ish-objektin e “Hivzi Sulejmanit” të shndërruar për nja një vit në Qendër për Praktikë Narrative nga “Manifesta”, i është kërkuar të dalë prej aty. Nëse nuk e zbaton rekomandimin, ai do të bëhet vendim

Rrëfimi më i shkurtër për ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” është ky: për shumë vjet u la pas dore, u investuan hiç më pak se 850 mijë euro, në verën e vitit 2022 iu dha në shfrytëzim për pesë vjet “Manifestas” së 4 milionë eurove, pas një viti dështoi edhe si shenjë e vetme e kësaj bienaleje. Në shkurt iu vu dryni e në maj aty u zhvendos Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. Tek tash, çështja mbërrin në Kuvendin Komunal i cili i kërkon kësaj drejtorie që të dalë prej aty

Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë i është rekomanduar largimi nga ish-ndërtesa e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”. Pos këtij rekomandimi, Kuvendi i Komunës në seancën e mbajtur të enjten, po ashtu, ka rekomanduar organizimin e diskutimit me komunitetin artistik për të ardhmen e kësaj hapësire e cila deri në fund të këtij viti është përdorur nga Qendra për Praktika Narrative, derivat i “Manifestas 14” dhe shenja e vetme e bienales që u përkrah nga shteti me 4 milionë euro. 

Qendrës për Praktika Narrative i ishte vënë dryni në ditën e parë të shkurtit të sivjetmë. Arsyeja: mungesa e financave për staf. Përderisa “Manifesta” synonte sigurimin e fondeve dhe rihapjen në maj, nga pamundësia që kjo të ndodhë, në mes të atij muaji aty qe vendosur Drejtoria për Kulturës e Komunës së Prishtinës. 

Pas raportimit të KOHËS, lëvizja “Punëtorët në Art” i ishte drejtuar me letër publike Komunës së Prishtinës. 

Të enjten kjo çështje është diskutuar në Kuvend. Rezultati: rekomandimi për largim të stafit të Drejtorisë e hapje të diskutimit për të ardhmen e monumentit. 

Rekomandimi ka kaluar me 19 vota për, 13 kundër e një abstenim. Disa grupe të asamblistëve kanë thënë se në rast se nuk përfillet rekomandimi, në seancën tjetër do të ketë vendim për këtë çështje. Pak a shumë këto rekomandime janë bërë edhe nga “Punëtorët në Art”, letër që është përkrahur nga mbi 300 organizata e individë, përfshirë emra ndërkombëtarë në fushën e artit dhe kulturës. 

Diskutimit të nisur në Kuvendin Komunal i ka prirë asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Reçica. 
Ai ka thënë se pa dashur të hyjë në dështimin e “Manifestas” për ta mbajtur hapësirën për pesë vjet, ajo që dihet është se Komuna është pjesë e bordit të “Manifestas” dhe është dashur ta ngrinte këtë alarm. 

“Nuk është problemi te ‘Manifesta’ është te Komuna që funksionon duke dhënë hapësira pa vizion, pa transparencë dhe llogaridhënie. Shfrytëzimi i hapësirave publike nuk është rregulluar në mënyrë sistematike”, ka thënë ai. Sipas tij, investimi në monument ka kushtuar 850 mijë euro, dhe tash lind pyetja nëse asetet e ish-bibliotekës a i përkasin “Manifestës”, Komunës apo qytetarëve. 

Vendimin për të zhvendosur Drejtorinë e Kulturës në këtë ndërtesë e kanë mbrojtur drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, e po ashtu edhe kryetari Përparim Rama. 

Halimi ka thënë se e ka marrë me seriozitet shqetësimin e grupit kulturor që ka reaguar. Sipas saj, vendimi për të kaluar në atë ndërtesë ka pasur veç një qëllim. 

“Qëllimi ishte rivitalizimi dhe rikthimi te komuniteti artistik, ngase për afro 6 muaj ky objekt ka qenë i mbyllur pa përkujdesje. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj hapësire jashtë është shkatërruar dhe degraduar. Kështu që për Drejtorinë ka qenë një hap shumë i vështirë pasi i gjithë stafi është dashur të merremi me revitalizim dhe me hapje të objektit për komunitetin”, ka thënë ajo. Ka treguar se Drejtoria aktualisht i ka veç 6 persona në këtë hapësirë dhe janë vetëm tri zyra ku punohet në shërbim të komunitetit. 

“Ju siguroj që kjo hapësirë që ka një bibliotekë të madhe do të furnizohet edhe me libra të tjerë. Do t’iu shërbejë krejt komuniteteve. Tendenca nuk është për ta uzurpuar hapësirën, por për t’ia kthyer komunitetit. Ftoj komunitetin që të ofrojë ide jo vetëm për këtë hapësirë, por edhe për të tjera”, ka thënë Halimi. Sipas saj, nënshkruesit e letrës publike janë keqinformuar. Disa herë ka bërë thirrje për diskutim të hapur me komunitetin duke thënë se edhe vetë i takon atij komuniteti. I vetmi medium që ka raportuar për këtë çështje është KOHA. Halimi nuk u është përgjigjur pyetjeve dhjetë ditë para publikimit. 

Kryetari Përparim Rama ka thënë se ka diskutuar me drejtoreshën e “Manifestas”, Hedwig Fijen, dhe si Komunë pasur gatishmëri për mbështetje. 

“Kemi kërkuar program, por nuk na ka ardhur ende. Duke mos dashur ta lëmë të mbyllur e kemi pastruar dhe hapur. Ky është transicion derisa ta kemi takimin e Bordit të ‘Manifetsas’ më 17 qershor. Do të diskutojmë saktësisht punën e Qendrës për Praktika Narrative”, ka thënë ai. 

Pas propozimit të rekomandimit që është votuar, asamblistët kanë thënë se nëse nuk përfillen rekomandimet Kuvendi do të sjellë vendim për lirim të hapësirës. Ekzekutivi ka vazhduar të mbrohet se qëllimi është që të hapet ambienti për komunitetin dhe ka kërkuar që të mos politizohet kjo çështje. 

Asamblisti Berat Lahu ka shkuar edhe më tej. 

“Normalisht është dashur të japësh dorëheqje, por të paktën largohu nga ndërtesa”, i është drejtuar ai drejtoreshës Halimi. 

Lëvizja “Punëtorët në Art” ia ka dalë që rekomandimet e tyre të marrin edhe rrugë institucionale. Në letrën e tyre rekomandimet i kishin arsyetuar me faktin se ka mungesë të hapësirës për art e kulturë në kryeqytet. 

Adrian Berisha ka qenë drejtor i Drejtorisë së Kulturës për më pak se një vit në Komunën e Prishtinës në kohën kur ishte vendosur që bienalja nomade “Manifesta 14” të shfrytëzojë atë hapësirë. 

Ai ka thënë se hapësirat të pavarura për art dhe kulturë janë thelbësore për zhvillimin dhe promovimin e krijimtarisë në qytet. Sipas tij, nga hulumtimet e fundit del se Prishtina ka një mungesë prej rreth 90 mijë metrash katrorë të ndërtesave adekuate për art dhe kulturë. Ka thënë se këto të dhëna tregojnë qartë nevojën urgjente për hapësira të dedikuara komunitetit artistik.

“Ka qenë qëllimi ynë si ekip që Drejtoria e Kulturës të ishte më afër me komunitetin dhe të merrte vendime në koordinim me komunitetin artistik të qytetit. Në takimet tona në atë kohë ne kuptuam se kjo hapësirë do të ishte më e dobishme si një qendër komunitare për aktivitete artistike, si ekspozita, shfaqje muzikore, vendtakime, dhe organizim të punëtorive, dhe këtë gjë arritëm ta krijojmë pas një pune të përbashkët me ‘Manifesta 14 Prishtina’, më saktësisht propozimin e kuratores Catherine Nichols dhe me mbështetjen gjeneroze të Qeverisë së Luksemburgut dhe UNDP-së”, ka thënë ai. 

Sipas tij, në vend që të marrë hapësira nga komuniteti, është më mirë që Drejtoria e Kulturës t’ia japë këto hapësira komunitetit. Ka thënë se kjo do të ndihmonte në mbështetjen dhe zhvillimin e skenës artistike të pavarur në Prishtinë dhe do të siguronte një platformë të qëndrueshme për artistët.

“Dështimi për të gjetur një zgjidhje për vazhdimësinë e punës së Qendrës për Praktika Narrative është një humbje e madhe për të gjithë ne. Mbyllja e dyerve të Qendrës dhe shndërrimi i saj në zyra administrative është një vendim i gabuar, që shkon kundër interesave të komunitetit artistik të Prishtinës”, ka thënë Berisha. 

Ndërtesa e ish-bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani” kohë të gjatë kishte qenë temë diskutimi. Tentimet për ta shndërruar në një muze me vepra të maestros Ibrahim Kodra, hapësirë komunitare për kulturë, kishin përfunduar kur “Manifesta” kishte marrë përsipër që aty të jetë Qendra për Praktika Narrative. Komuna e Prishtinës hapësirën ia kishte dhënë në shfrytëzim “Manifestas” për pesë vjet, prej vitit 2021. Por në shkurtin e sivjetmë Qendra për Praktika Narrative ishte mbyllur në mungesë fondesh. Ishte thënë se do të hapej në maj. Por kjo nuk ka ndodhur dhe autoritetet komunale kishin marrë tjetër vendim. Kur KOHA ka raportuar për këtë rast me 30 maj, Komuna nuk ishte përgjigjur. 
Drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen, në përgjigjet e saj për KOHËN në shkurt të këtij viti, kishte treguar se Qendra ka marrë fonde nga një sërë burimesh gjatë viteve, duke përfshirë ambasadat e Holandës, Luksemburgut dhe Zvicrës, si dhe partnerë të tjerë publikë. Krejt investimi në ish-ndërtesën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, sipas saj, kap shifrën e 850 mijë eurove.

“Gjatë viteve 2021-2023 kostoja e programit të restaurimit dhe pagave ka qenë rreth 700 mijë euro. Shuma është siguruar nga parterët si Luksemburgu me 400 mijë euro, Komuna e Prishtinës me 200 mijë euro e Ambasada e Holandës me 100 mijë euro”, kishte thënë ajo. Komuna e Prishtinës këtë investim e kishte bërë krahas memorandumit, nëpërmjet të cilit “Manifestas” ia ka dhënë hapësirën në shfrytëzim për pesë vjet.

“Gjatë vitit 2023 shpenzimet e Qendrës qenë rreth 150 mijë euro. Kjo shumë u sigurua nga fondacioni ndërkombëtar ‘Manifesta’ në Amsterdam me 72 mijë euro dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim me 30 mijë euro dhe donatorë të tjerë”, kishte thënë Fijen.

Në bazë të të dhënave të ofruara nga “Manifesta”, 69 për qind e buxhetit për edicionin e Prishtinës është siguruar nga institucionet publike të Kosovës. Prej tyre 1 milion e 970 mijë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 1 milion e 720 mijë nga Komuna e Prishtinës. Kurse 31 për qind e buxhetit, 1 milion e 600 mijë euro janë dhënë nga “Manifesta 14” nëpërmjet donatorëve.

Gjatë restaurimit të ngutshëm të monumentit për ta kthyer në Qendër për Praktika Narrative – ku edhe donatorët kishin mbyllur sytë krahas parregullsive, njëjtë sikurse institucionet – punët ishin mbikëqyrur nga fondacioni për trashëgimi kulturore pa kufij, “ChwB Kosova”.