Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Fëmijë në luftë” – përballje me të kaluarën e thirrje për të mos harruar

Ishte 11-vjeçe kur njashtu sikurse fëmijëve të tjerë të Kosovës iu ndërpre fëmijëria. Dy dekada më pas ajo do t’u kthehej kujtimeve për t’i përjetësuar ato në roman. “Libri flet për lojën e fëmijërisë që është zëvendësuar nga plumbat, lajmet, bombat, flaka, tymi, për fëmijërinë të cilën unë s’e jetova asnjëherë, por, mbi të gjitha, për mungesën e lirisë”, thotë Dafina Buçinca për veprën e saj, që vjen si thirrje për të mos harruar. Përveç kësaj, “Fëmijë në luftë” është edhe homazh për të atin e saj të vrarë

Pafajësia fëmijërore në marsin e vitit 1999 do të përballej me pasigurinë e tymit të luftës. Këtu e 22 vjet më parë qielli i tyre ishte i mbushur me fluturake. Bombardimet e NATO-s qenë një lloj shprese. Lufta kishte shuar 1024 buzëqeshje fëmijërore. Kjo është shifra e fëmijëve të vrarë, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, mirëpo fëmijëria e vjedhur e atyre që i mbijetuan luftës s’ka të llogaritur.

Një ndër to ishte edhe Dafina Buçinca nga Drenasi, asokohe 11 vjeçe, së cilës iu ndërprenë gazi dhe loja në gjysmë. Për të mbajtur gjallë kujtesën personale e kolektive, Buçinca – gazetare me profesion, e cila që prej vitit 2012 jeton në Suedi, ku punon në arsim – vendosi ta takonte lapsin me letrën për të sjellë një dromcë rrëfimi të një fëmije.

Ikjet në male, zhvendosja nga “streha” personale te shtëpia e dajës në Sllatinë, qëndrimi tremujor në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë, janë pjesë e asaj që janë ngulitur përjetësisht në kokën e Dafinës. Mirëpo, gjithë këtyre ndodhive që u detyrua t’i përjetonte, ajo iu dha një kah tjetër.

Dy vjet radhazi ajo do të përballej edhe një herë me luftën, por kësaj here në formën e një kujtimi të trishtë. Gjithë këtij rrugëtimi letraro-dokumentar ajo ia vë emrin: “Fëmijë në luftë”.

“Libri flet për lojën e fëmijërisë që është zëvendësuar nga plumbat, lajmet, bombat, flaka, tymi, për fëmijërinë të cilën unë s’e jetova asnjëherë, por, mbi të gjitha, për mungesën e lirisë”, rrëfen Dafina arsyen e këtij titulli.

Edhe “Muzeu i Fëmijëve në Luftë” ua hap dyert artefakteve të kujtesës e frikës Kulturë “Muzeu i Fëmijëve në Luftë” ua hap dyert artefakteve të kujtesës e frikës

Prapa gjithë këtij mundi për dritë-daljen e kësaj vepre ekziston një qëllim, të cilën Dafina e ndjeu si një detyrë për vendin e saj. Frika nga harresa e përjetimeve që kaloi e shtyu para për t’u sjellë diçka ndryshe lexuesve.

“Kujtimet për fëmijërinë filluan të zbehen, shumë detaje e data të harrohen. E gjithë kjo më tmerroi, më ngjalli një frikë se po e humbas kujtesën”, thotë ajo për arsyen e shkrimit të këtij libri.

Dafina beson se të gjitha kategoritë e dala nga lufta janë trajtuar si tema publike, deri diku edhe institucionale. Ajo thotë se fëmijët kanë mbetur në harresë kolektive, duke mos u përmendur fare, përveç në rastet e kujtimeve nëpërmjet ekspozitave.

“Kurrkush s’është marrë me pasojat që lufta ka lënë te fëmijët, traumatizimet që kemi pasur”, konkludon Dafina.

Pikërisht këtu ajo ndjeu nevojën e publikimit të kësaj vepre.

“Libri im është edhe thirrje që të hapet kjo temë. Të diskutohet më shumë për fëmijët që kanë përjetuar luftën”, shprehet autorja e “Fëmijë në luftë”, botuar në fillim të këtij viti.

Çdo shkronjë e shkruar brenda kësaj vepre nënkupton një dozë realiteti. Kësisoj, secila pjesë e këtij romani autobiografik për autoren u bë një ritraumatizim. Përbrenda këtyre ndjesive ajo u përball me rrëfimet e të tjerëve dhe me rrëfimin e saj.

Përveç bisedave me familjarët, të cilët janë protagonistët e veprës së saj, ajo vendosi të shkruante edhe për ato që kishte dëgjuar. Vizita në vendet prej ku lindën shkëndijat e para të lirisë ia shtuan edhe më shumë kthjelltësinë e pamjeve të vuajtjeve të shumë familjeve. Ndër të tjera, ajo përmend të rënët në Likoshan e Qirez. Mirëpo, ajo që ndihet më autentike brenda romanit të saj autobiografik janë përjetimet e saj.

“Për mua ka qenë tronditëse t’i shkruaja skenat kur ushtarët u futën brenda në shtëpinë tonë në pikë të natës, unë nga frika u futa nën krevat, skenat kur na vendosën para tankut, në parapushkatim”, tregon Buçinca.

Edhe “Dritë në shpirt” si ballafaqim me të kaluarën e kujtimet nga lufta Kulturë “Dritë në shpirt” si ballafaqim me të kaluarën e kujtimet nga lufta
Image“Kujtimet për fëmijërinë filluan të zbehen, shumë detaje e data të harrohen. E gjithë kjo më tmerroi, më ngjalli një frikë se po e humbas kujtesën”, thotë Dafina Buçinca

Mirëpo, pavarësisht vështirësive që kishte çdo natë që shkruante, sërish thotë se është çliruar shpirtërisht.

“Tash që libri është botuar shoh se shkrimi ka qenë një lloj terapie për mua, sepse më ka liruar nga barra e rëndë e kujtimeve, të cilat i kam bartur mbi vete 20 vjet”.

Përtej rrafshit social ekziston edhe diçka më intime në arsyen e botimit të këtij romani. Vdekja e babait në luftë e bëri Dafinën ta ndiejë për obligim sjelljen e “Fëmijë në luftë” si një dedikim për të.

“Babai gjen një mënyrë dhe na largon nga shtëpia nënën dhe neve fëmijëve, por ai nuk vjen me neve. Ai qëndron në shtëpi dhe pret luftën aty. Krejt vonë, pas shumë muajve, unë kuptoj se babai nuk jeton më”, kujton ajo.

Pikërisht mungesa e babait e ka bërë më të guximshme në përballjen me realitetin e atëhershëm. Për vajzën që humbi babanë e saj që në fëmijëri nuk mjaftonte t’i bënte “konak” kujtimit të tij vetëm nëpërmjet fjalëve. Andaj ajo bëri edhe një hap tutje. Në ballinën e romanit ia bëri një vend tjetër babait të saj, me të cilin tanimë komunikon vetëm nëpërmjet kujtimeve.

“Në kopertinë kam përzgjedhur një fotografi timen me babën e që është e vetmja e jona bashkë. Libri është një dedikim për të”, thotë ajo.

Një fëmijë gazmor, i ulur pranë njeriut më të afërm, nuk mbeti vetëm në kornizën e një fotografie. Kjo pamje u kthye në një dëshmi të dhimbjes, e cila shkëputet nga personalja dhe gjen vend te përfaqësimi kolektiv.

E pikërisht për të siguruar këtë shpërfaqje historike, Dafina thotë se është në përgatitje të përkthimit të veprës në gjuhën suedeze. Përtej promovimit të shkrimit të saj, këtë ajo e sheh si një shpalosje të realitetit kosovar te të huajt.

Edhe “Nga errësira në dritë” me traditën e të kaluarën si vizion Kulturë “Nga errësira në dritë” me traditën e të kaluarën si vizion

“Kam parë shumë herë që edhe suedezët kanë një mendim të gabuar për të kaluarën tonë, prandaj dëshiroj që ky libër të përkthehet në sa më shumë gjuhë të botës, që ata ta kuptojnë drejt se ne ishim viktimat e terrorit serb”, përfundon Buçinca. “Fëmijë në luftë” është romani i saj i parë.