I inauguruar të mërkurën mbrëma me ekspozitën e parë “Fëmijëria e ndërprerë”, i themeluar nga dega në Kosovë e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, ai që është quajtur “Muzeu i Fëmijëve në Luftë” bashkon eksponate e rrëfime. Aty i janë hapur dyert artefakteve të kujtesës, ikjes, fshehjes e frikës. Ndonëse ende larg një institucioni të mirëfilltë, së paku është shembull i dokumentimit e arkivimit të memories kolektive
Ikja nga shtëpitë në vitet e luftës së vitit 1998 dhe 1999 kanë qenë skena mobilizimi e frike. Përderisa prindërit janë vënë në aksion që varësisht nga koha që kanë të marrin ndonjë copë bukë e pak veshmbathje, për fëmijët situata ka mundur të jetë krejt surreale. E, edhe njëfarë loje. Ardita Sylaj nga Suhareka qe 4-vjeçare në periudhën e luftës së fundit në Kosovë. Kujtimet për atë periudhë i ka të zbehta. Kur familja e saj po linte dhunshëm shtëpinë për të ikur, Sylaj si fëmijë kishte marrë kukullën në dorë. E ëma do t’ia largonte nga dora për ta lënë mbi frigorifer. Në vend të saj do t’ia jepte një batanije. Por me të hipur në traktor, Sylaj do t’ia niste vajit për kukullën që ia kishte sjellë tezja nga Gjermania. Më pas e ëma do t’i jepte leje për të shkuar e për ta marrë edhe atë.
Kukulla bashkë me këtë rrëfim tash zë vend në atë që është quajtur “Muzeu i Fëmijëve të Luftës” në Prishtinë.
I inauguruar të mërkurën mbrëma me ekspozitën e parë “Fëmijëria e ndërprerë”, i themeluar nga dega në Kosovë e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, bashkon eksponate e rrëfime të fëmijëve në luftë. Dominojnë eksponatet si fotografi, video, instalacione e edhe vizatime. Hyrja në këtë hapësirë është një përballje me përjetimet e fëmijëve të luftës së fundit. Aty vërehet lehtë se ngjarjet e dy vjetëve të fundit të shekullit të kaluar te disa fëmijë janë parë si lojë, te disa të tjerë ka pasur shumë frikë e te krejt bashkë traumat janë të pashmangshme.
Me kuratore Bjeshkë Gurin, ekspozita bashkon ndjesi të ndryshme. Në njërën anë dominojnë lodrat për të përfunduar te “Zemërimi i dëbuar”, një intalaciaon me tendë. Është tendë tipike e refugjatëve apo e të kthyerve që u është djegur shtëpia dhe kanë marrë një ceradë të kaltër të ndihmave humanitare për ta kthyer në tendë. Brenda saj është televizori ku shfaqet një dokumentar i Radiotelevizionit të Kosovës për dëbimin nga Kosova. “Muzeu...” vë në plan të parë fëmijët dhe këtë e bën nga perspektiva të ndryshme.

Projekti është i frymëzuar nga Muzeu i Fëmijërisë së Luftës në Sarajevë, por është shumë larg këtij institucioni të Bosnjë-Hercegovinës. I quajturi Muze i Fëmijëve të Luftës – pasi Kosova ende s’ka legjislacion që rregullon themelimin e një muzeu nga institucionet publike a private – mund të merret si shembull i dokumentimit e arkivimit të memories së fëmijëve në luftë. Asnjë përfaqësues institucional nuk ka qenë në hapje. Sipas themeluesve, pavarësisht insistimit për pesë vjet, institucionet s’i kanë bërë vend “Muzeut...” në një hapësirë publike dhe është dashur që të vendoset përkohësisht në një hapësirë private. Ruajtja e memories së luftës e dokumentimi i atyre viteve në Kosovë janë një improvizim i madh. E në këtë improvizim të përgjithshëm, pavarësisht anës përmbajtjesore që ka, tash hyn edhe një muze i ri.
Hyjnë edhe nëntë vizatime të fëmijëve në luftë. Artisti nga Lezha, Ymer Metalia më 1999 – kur rreth një milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova me dhunë nga forcat serbe – do të organizonte punëtori vizatimi në disa kampe refugjatësh e me të cilat do të hapte një ekspozitë në qytetin e tij. Ato lloj punëtorish i kishte konceptuar si njëfarë tretmani a shkarkimi psikologjik të fëmijëve. Asokohe në ekspozitë, vendin e parë do t’ia ndante atij që sot është artisti më i njohur shqiptar në botën e artit bashkëkohor, Petrit Halilajt. Një vepër e Halilajt është aty, sikurse ajo e motrës së tij Blerina Halilaj. Shtëpia që digjet, tanket përreth e njerëzit e vrarë ishin ajo që asokohe 13-vjeçari Halilaj kishte në kokë dhe e kishte qitur në letër. Vetë Halilaj ka qenë i pranishëm në hapje të muzeut.
“Ka qenë për ne me shumë rëndësi të shprehemi nëpërmjet vizatimit dhe të ndajmë qysh atëherë eksperiencat tona të luftës. Ka qenë fillimi i një shërimi shpirtëror shumë i rëndësishëm. Kur ke eksperienca të tilla të luftës, kur ke mundësi t’i ndash ato është shumë gjë e mirë. Jam i lumtur për këta hapa që po i merr Kosova pasi nëpërmjet tyre kujtojmë dhe i ndajmë eksperiencat që na kanë bërë ata që jemi sot”, ka thënë ai.

Me të pranishmit ka ndarë edhe një rrëfim. Po si refugjat i kishte rënë në sy për vizatimet e tij dhe ekipit përcjellës të Kofi Annan, asokohe sekretar gjeneral i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. I ishte thënë se zyrtari i lartë donte t’ia shihte një vizatim. Do ta përgatiste atë në një karton të madh.
“Si fëmijë kam menduar që ai vizatim ka me e ndalë luftën. Kur je në luftë humb gjithçka, edhe shtëpinë. Vizatimi ka qenë aq i rëndësishëm për mua dhe kur ai ma ka kërkuar kam vendosur që të mos ia jap Annanit. Secili objekt këtu sjell një histori dhe një kontekst shumë të rëndësishëm të luftës”, ka thënë Halilaj që tash është njëfarë refugjati i artit kudo në muzetë më të njohur në glob.
Bjeshkë Guri, kurtore e që mban pozitën e drejtoreshës së “Muzeut...”, ka thënë se bëhet fjalë për një hapësirë alternative të kujtimit që flet për fëmijët dhe ndërprerjen e fëmijërisë së tyre në vorbullën e padrejtë të luftës. Sipas saj, “Muzeu...” si i tillë vë theksin te përvojat e margjinalizuara të luftës si mënyrë për të kujtuar denjësisht të kaluarën dhe për të sjellë drejtësi simbolike duke i njohur këto eksperienca.
“Ekspozita e parë na kthen pas në jetën e fëmijëve që i mbijetuan luftës. Një ekspozitë që do t’ju çojë në ikje, frikë, fshehje, lojë dhe emocione komplekse që vetëm lufta mund t’i sjellë. Çdo objekt dhe rrëfim në këtë ekspozitë ju fton që me mendje kritike e zemër të hapur të përballeni me të vërtetat e luftës dhe me të kaluarën që nuk duhet ta lejojmë të bëhet kurrë e tashme”, ka thënë Guri. Sipas saj, ekspozita “Loja e ndërprerë” adreson fëmijëri të ndërprera dhunshëm nga lufta dhe fton për reflektim në mënyrë kritike jo vetëm për të kaluarën në Kosovë, por edhe për të tashmen në botë.
“Ky muze është një përpjekje simbolike që dënon luftën si një mjet të dominimit dhe dhunës strukturore duke avokuar për drejtësi sociale dhe paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe kudo në botë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se “Muzeu i Fëmijëve të Luftës” fton publikun të njohë, të reflektojë dhe të angazhohet për të ndërtuar një të ardhme ku çdo fëmijë mund të jetojë një fëmijëri të plotë e të lirë nga dhuna e shtypja.
Kurse Marigona Shabiu e cila udhëheq degën e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë ka thënë se ky “Muze...” nuk është thjesht një hapësirë fizike, por një përpjekje për të ndërtuar ura midis të kaluarës dhe të ardhmes. Sipas saj, bëhet fjalë për një hapësirë për të dëgjuar zërat që shpesh harrohen, për të kuptuar dhimbjen e së shkuarës e për të mësuar nga ajo. Ka përmendur se në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 1024 fëmijë e 109 të tjerë vazhdojnë të mbesin të zhdukur.
“Për fëmijët e mbijetuar, lufta nuk është thjesht një periudhë e kaluar, por një trashëgimi që vazhdon të formësojë jetët e tyre dhe të gjithë shoqërisë sonë. Kjo ekspozitë e shpalos një rrugëtim të fshehjes, ikjes në kushte ekstreme, përballjes traumatike me humbjen dhe vdekjen si dhe situatës së krijuar menjëherë pas luftës”, ka thënë ajo. Muzeun e ka përshkruar si dëshmi të fuqisë së kujtesës kolektive dhe një mundësi për t’u siguruar që këto histori të dokumentohen, mbrohen, mbahen mend dhe të jenë qendrore në formësimin e politikave të pajtimit.

Njëfarë pendimi për të shkuar te një akt që flet pak për pajtimin mund ta ketë ndier një ushtar serb kur në fshatin Gllogjan të Pejës më 1999 do ta shihte Antigona Krasniqin që asokohe ishte 7 vjeçe. Në oborrin e familjes Krasniqi ai do të binte në gjunjë e do t’i hapte duart për ta përqafuar vogëlushen. Do të nxirrte nga xhepi një varëse e t’ia jepte asaj.
“Tash e sa vjet jam tu e lypë çikën që ia ka marrë ushtari varësen. Du me ia kthy, varësja është e saj”, ka rrëfyer Krasniqi për ekipin e “Muzeut...”. Krejt kjo asokohe për Krasniqin mund të ketë qenë një lojë. E poetja Ervinë Halili e cila ka një poezi në muze dhe ka ndihmuar në kurim ka thënë se fëmijët çdo gjë e perceptojnë nëpërmjet lojës. Sipas saj, muzeu më i gjallë dhe arkivimi më i gjallë është memoria e fëmijëve.
“Fëmijëve u duhet kohë e gjatë të kalojnë nga loja te realiteti. Deri në një moshë fëmijët edhe realitetin e përjetojnë si lojë. Më vjen mirë që një ndër poezitë e mia të para është në muze. Është shkruar më 1997 për protestat e studentëve ku unë atë realitet e kam përjetuar si pjesë të lojës. Edhe poezia e sheh realitetin e protestave në formë të reve të bardha që në atë kohë më është dukur shumë surreale pa e kuptuar ende që ajo lojë është shumë serioze”, ka thënë Halili.
Në ekspozitën “Fëmijëria e ndërprerë” tregohen shumë raste kur është ndërprerë loja. Shpalosen kujtime që traumat e mëpasshme duhet t’i kenë të mëdha. E ai që formalisht është Muze, e ka këtë qëllim: të dokumentojë përjetimet e fëmijëve të luftës së fundit. T’i shpalosë ato e t’i marrë si shembull se çfarë sjell një luftë te kategoria më e pafajshme. Te fëmijët.