Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Dritë në shpirt” si ballafaqim me të kaluarën e kujtimet nga lufta

Autorët janë mbi të 20-at, por veprat e tyre vijnë me një tis të artit naiv. S’kanë rëndësi vijat por qëllimi për të cilin bashkohen ato. Nëpërmjet artit u rikthehen kujtimeve të fëmijërisë, ballafaqimit me të kaluarën. “Dritë në shpirt” titullohet ekspozita e hapur të mërkurën pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. S’janë artistë me nam dhe as nuk synojnë që arti i tyre të shitet, a të marrin komente pozitive nga kritikë të kësaj fushe. Kanë vënë kujtimet në pëlhurë si mundësi për t’u çliruar nga e kaluara e dhimbshme. Nëpërmjet punimeve kanë kujtuar periudhën gjatë luftës së fundit në Kosovë. “Dritë në shpirt” është e pesta me radhë e realizuar nga organizata joqeveritare “Aksion Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”. Punimet ishin realizuar në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën” të kësaj organizate, që ka nisur që nga viti 2014.

Albina Mavraj nga Istogu ka pikturuar kujtimin e parë që ka nga fëmijëria, e Amela Pejçinoviq nga Deçani ka pikturuar “Pranverën e pikëllimit”. Lirije Cakaj nga Stamoci i Epërm ka kujtuar bukën e ngrirë e Selgjan Mydyti nga Prizreni shtëpinë e dajave. Metush Isma nga Rahoveci punimin ia ka kushtuar ushtarit të plagosur.

Ky është vetëm një mozaik i gjithë asaj që, sipas Emina Ismajlit nga organizata joqeveritare “Aksion Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”, është një prurje kujtimesh. Aso që, sipas saj, duhet memorizuar që të mos bien në harresë nën trysninë e së tashmes, por që përballet me sfida e prova të një dimensioni tjetër.

“Janë si relikte të çmueshme që duhen ruajtur të paprekura nga harresa për brezat e ardhshëm”, ka thënë ajo. Ka shtuar se të 28 punimet shpalosin rrëfime nga e shkuara dhe se radhitja e tyre nuk ishte aspak e lehtë. Por që tani, sipas saj, ato në një formë e plotësojnë a e vazhdojnë tregimin e tjetrin duke dhënë kështu një imazh më të plotë.

“Thekson çështje të cilat kanë mbetur të hapura e në pritje të drejtësisë, si dhe një zgjidhje të pranueshme dhe të përballueshme që do të mundej sadopak t’i kuronte dhembjet e shpirtit, ndërkohë që e shkuara e tejzgjatur ende vazhdon ta mbajë peng të ardhmen”, ka thënë ajo.

Edhe “Heshtimë” bashkon kujtimet si sekuenca nga lufta EXPRESS “Heshtimë” bashkon kujtimet si sekuenca nga lufta

Ajo ka thënë se vrojtimi i këtyre punimeve vë në pah edhe një të ardhme premtuese dhe në paqe gjersa e tashmja ndërgjegjësohet për përgjegjësinë që bart.

Poshtë punimeve janë vendosur edhe disa shënime ku pjesëmarrësit në një formë deshifrojnë punimet e tyre nëpërmjet tregimit.

Ardijana Binakaj nga Deçani, e cila ka paraqitur lagjen e saj e në qendër shtëpinë duke iu djegur, ka shkruar se shtëpia ishte me gurë ashtu siç janë karakteristikat e kullave të Dukagjinit. Ka edhe arsyen që në sy bie edhe korbi.

“Në mitologjinë shqiptare korbi simbolizon të zezën, vdekjen, fatin e zi...E në prapavijë qëndrojnë Bjeshkët e Belegut dhe Maja e Shkëlzenit për të paraqitur qëndrueshmërinë tonë shekullore”, ka shkruar ajo.

Shkrimet do të botohen si të veçanta në një botim të ri të radhës nga “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”.

Rexho Kojiq nga Peja ka pikturuar “Yjet që shndrisin”. Ai ishte pjesë e sesionit të muajit dhjetor dhe ka thënë se i ishte bashkuar këtij projekti pasi që bart një mesazh të qartë nga thellësia e shpirtit të aktivistëve – atë të ballafaqimit me të kaluarën.

“Kemi kujtuar kohën nga vitet 98-2000, por ka edhe të tillë që kanë kujtuar edhe vite më të hershme kur edhe kanë nisur të gjitha turbullirat dhe gjërat në lidhje me luftën dhe çlirimin e Kosovës”, ka thënë ai. Ka shtuar se pjesë e këtij programi përveç pikturimit ishin edhe aktivitete të tjera, si vizita të ndryshme që në një formë a tjetrën kishin për qëllim ballafaqimin me të kaluarën.

Edhe “Dhembje e heshtur” rikthen përjetimet e luftës Kulturë “Dhembje e heshtur” rikthen përjetimet e luftës

“Pra, aktivitetet që ndërlidhen me aktivizmin sot”, ka shtuar ai.

Pikturat e shoqëruara me tregime kanë shpalosur eksperienca personale të personazheve, por që si tërësi japin një pasqyrë të situatës në Kosovë gjatë atyre viteve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 korrik.