Futboll

Krasniqi e Dabiqaj realizojnë për fitoren e Dritës

Drita

Drita e ka shënuar fitoren e tretë rresht në elitën e futbollit të Kosovës. Pas pikëve të plota të fituara ndaj Dukagjinit e Gjilanit, Drita të shtunën triumfoi edhe në xhiron e nëntë të Superligës.

Kampionia në fuqi e Kosovës fitoi 2:1 ndaj Malishevës në terrenin me bar sintetik në Gjilan. 

Ishte edhe ndeshja e parë pas pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve.

Për fitoren e Dritës realizuan mbrojtësi Besnik Krasniqi nga penalltia dhe mesfushori Albert Dabiqaj.

Ndërkohë për Malishevën shënoi Xhemal Ibishi.

Krasniqi golit të tretë të edicionit aktual dhe të 37-it me fanellën e skuadrës gjilanase, iu gëzua në minutën e 67-të.

Por qendërsulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Ibishi, me prekjen e parë me topin pas zëvendësimit, i barazoi shifrat në minutën e 81-të. Ai gjuajti saktë me kokë, derisa shënoi edhe me ndihmën e Egzon Bejtullait që e devijoi topin.

Kur ndeshja po shkonte drejt barazimit 1:1, në skenë u shfaq sërish Dabiqaj.

Katër minuta para fundit, Dabiqaj shfrytëzoi asistimin e mirë të Liridon Balajt nga krahu i djathtë, dhe shënoi për 2:1.

Drita me këtë fitore forcohet në pozitën e katërt me 14 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini në vendin e tretë, por me një ndeshje më pak të luajtur.

Malisheva mbetet me 10 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në pozitën e shtatë pas fitores ndaj Prishtinës së Re.

Për Malishevën ishte disfata e dytë rresht, pas asaj nga Llapi në “Liman Gegaj” në Malishevë.


Baras pas pjesës së parë në Gjilan

Pa gola është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes Drita – Malisheva.

Drita e pati kontrollin e lojës, por nuk arriti të realizojë gol.

Ndeshja po luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan dhe i takon xhiros së nëntë të elitës së futbollit të Kosovës.