Futboll

“Piratët e Evropës” – Stërvitjet e veçanta tek Italia U21

Italia U21

Përzgjedhësi i grupmoshës U21 të Italisë, Silvio Baldini, e ka dërguar futbollin në nivel tjetër.

Gjatë seancave stërvitore, lojtarët e tij stërvisin duke e mbuluar njërin sy, dhe duken si piratë.

Derisa kjo mund të duket e pazakontë, stërvitjet në këtë mënyrë kanë qëllim të qartë.

Stërvitja me njërin sy të mbuluar përmirëson koordinimin dhe reagimin në të njëjtën kohë, duke bërë që truri të adaptohet edhe kur pamja në fushë mund të mos jetë e qartë.

Stërvitjet zgjasin nga 20 minuta dhe janë të ndara në tri faza. Në fazën e parë mbulohet syri që është në anën e këmbës me të cilën luan futbollisti. Në fazën e dytë mbulohet syri tjetër, kurse faza e tretë zhvillohet pa i mbuluar sytë.

Kjo praktikë përdoret edhe në boks.

Kjo nuk është hera e parë që Baldini e përdor këtë metodë pune.

Ai një gjë të tillë e ka bërë edhe te Pescara dhe Palermo.

Në boks kjo përdoret për t’i zhvilluar reflekset dhe vizionin në fushën e lojës.

“Dua që t’i inkurajoj djemtë të shikojnë në fushë jo vetëm me sy, por edhe me mendje dhe me trup”, ka deklaruar Baldini kur është pyetur për metodën e punës tek Italia U21.

Italia i ka pikët maksimale në kualifikimet për “Euro 2027”, që organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Në Grupin E, 12 pikë pas katër ndeshjeve i ka edhe Polonia.