Emir Kusturica, i njohur si ultranacionalist, është shpërblyer për librin kushtuar nobelistit mohues të gjenocidit. Që të dy – Kusturica e austriaku Peter Handke, kanë edhe të tjera të përbashkëta: përkrahjen e Slobodan Milosheviqit dhe miqësinë me të.
Regjisori serb ka marrë çmimin “Dejan Medakoviq“ për vitin 2022 për librin “Vidiš li da ne vidim“ (A më sheh që nuk shoh), raportojnë mediat në Serbi. Çmimin e ndan shtëpia botuese e Novi-Sadit “Prometej“ e juria e kryesuar nga Boshko Suvajxhiq ka marrë vendim unanim që laureat të jetë Kusturica për librin e botuar prej Entit të Botimeve të Serbisë.
“Emir Kusturica ka shkruar një libër të pasur, të shtresuar, emocionues, biografik dhe personal – udhëpërshkrues e jetëshkrues të Peter Handkes. Para nesh është një botim kujtimesh, një lexim fantazmagorik, një vështrim në fëmijëri dhe një distopi e frikshme, por mbi të gjitha një histori tronditëse dhe emocionuese për një bashkëkohës të madh dhe të vërtetë që kapërcen të gjitha pengesat dhe barrierat e modernitetit të ideologjizuar dhe të skematizuar”, ka shkruar juria në arsyetim.
Kusturica në ndarjen e çmimit ka thënë se çmime të tilla përfaqësojnë idenë se ideologjia është “një sferë më e lartë dhe se ajo i bën jehonë moralit”.
Në tetorin e vitit 2019, kur Peter Handke mori “Nobelin” për letërsi, nxiti jo pak reagime. Kaherë ai qe rreshtuar përkrah regjimit të Slobodan Milosheviqit përderisa kishte dalë hapur kundër bombardimeve të NATO-s më 1999. Ndër të tjera, ai popullin serb e kishte përshkruar si viktimë dhe jo një herë ka vizituar enklavat serbe në Kosovë. Më 2007, në Hoçë të Madhe kishte ndarë 50 mijë euro në ndihmë të tyre. Ndër të tjera, më 2006 ai kishte marrë pjesë në funeralin e Milosheviqit dhe kishte thënë: “Nuk e di të vërtetën. Por shoh. Dëgjoj. Ndiej. Dhe mbaj mend. Kjo është arsyeja pse jam sot këtu, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Slobodan Milosheviqit”.
Emir Kusturica, ani pse gjatë karrierës së tij ka bërë emër edhe në festivale botërore, ka nam edhe për qasjen e tij nacionaliste. Ka një histori edhe me Kosovën. Më 2013 paralajmëroi se po shkruante skenarin e filmit bazuar në raportin e Dick Martyt, që pretendon se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë tregti me organe të njerëzve. Ani pse filmi – së paku deri më tani nuk është realizuar – paralajmërimi i tij asokohe bëri bujë. Nga komuniteti artistik në Kosovë, por jo vetëm, qe kërkuar që ai të shpallej person “non grata”. Njihet edhe për miqësinë me presidentin rus Vladimir Putin.
-
“The Handke Project” do t’ia heqë maskën mohuesit të gjenocidit në Teatrin e Luftës
-
Personalitetet e vitit 2022: Jeton Neziraj – zhveshësi i nobelistit
-
“The Handke Project” çon mohuesin e gjenocidit në Gjermani
-
Mohuesi i gjenocidit, pa maskë në teatrin e Evropës
-
Kosova me dramë për Handken dhe hipokrizinë ndaj mikut të Millosheviqit