Kryepersonazh ka Peter Handken, nobelistin austriak, mohues gjenocidesh në këto anë, mik kriminelësh lufte. Por “The Handke Project”, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, nuk ka të bëjë vetëm me të. Atij ia heq maskën, por këtë e bën që edhe Evropa ta shohë anën hipokrite të saj. Shfaqja do ta nisë turneun nëpër rajon e Evropë, në kohën kur Evropa jo rrallë bën teatër edhe me mohues si Handke. “The Handke Project” godet ringjalljen e fashizmit, alarmon
Nuk bëhet fjalë për një shkrimtar dosido. Por për nobelist. Peter Handke ishte në Kosovë në vitin 2014. Vizitoi fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit. Erdhi si intelektual e alamet shkrimtari, që po solidarizohej me serbët e Kosovës, pasi, sipas tij, po jetonin në enklava. Të premten mbrëma ai është “kthyer”. Kësaj radhe në Prishtinë. Ka hyrë në teatër dhe ironikisht është rrëfyer. Ka treguar nga e para deri tek e fundit se si ia ka dalë të ndërtohet si personalitet që mohon krimet me përmasa gjenocidale të Serbisë në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë e ta shpallë popullin serb viktimë të botës. Bile, ka treguar edhe si u bë që të marrë “Nobel” më 2019, pavarësisht se gjithmonë qe aleat i agresorit e fyes ndaj viktimave.
Dyshimet e “shkrimtarit gjenial”
Nëpërmjet shfaqjes “The Handke Projekt”, një grup artistësh e kanë zhveshur shkrimtarin austriak në skenën e teatrit “Oda”. Kasta e aktorëve: Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha prekin detaje të hipokrizisë së Handkes e të krejt Kontinentit evropian, deri te Akademia e Nobelit. Me një skenografi të thjeshtë, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt e me tekst të Jeton Nezirajt, shfaqja nis në pikën zero: te trajnimi i Handkes që të përmbytë realitete.
Me pyetjet e tij prej “shkrimtari gjenial”, ai vë në dyshim nëse ka ndodhur masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandë kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në masën që Handke i ndryshon edhe situatat që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij Nermin të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”. Videoja tek ai thërret “Nermin, eja!” bëri xhiron e botës. Epilogu: serbët i vrasin që të dy. Sot, imazhi i babait Ramo është simbol i fuqishëm i masakrës në Srebrenicë, e shkrirë në shtatoren “Nermin, eja!”, vepër e Mensud Keços, e vendosur më 2015 në Parkun e Madh në Sarajevë.
Por për Handken nuk ka ndodhur kësisoj dhe populli serb është viktimë. Sipas tij, “Ramo vret vetën veten vetëm për t’i nxjerrë keq forcat serbe”.
Shfaqja, ku ngjyra e zezë dominon në kostume, e sjell Handken edhe si vrasës. Në një skenë ai vjen si gjuetar diku maleve të Francës. E shijon fort aktin e vrasjes së kafshëve, megjithëse nuk i duhen gjë. Shan Akademinë suedeze që ndan çmimet “Nobel”, por kur e fiton atë për letërsi, e pranon si një sahanlëpirës. Shfaqja gjatë gjithë kohës ironizon skajshmërisht me qëndrimet e Petet Handkes (79), por edhe me faktin se ka marrë disa prej çmimeve më të njohura letrare në botë. Ngre pyetje se deri ku shkon liria në krijimtari dhe a mundet një artist ta mohojë edhe gjenocidin.
Pamflet përballë ringjalljes së fashizmit
Sipas filozofit e kritikut të artit, Shkelzen Maliqi, teatri modern e bashkëkohor gjithnjë po bëhet më i drejtpërdrejtë.
“Pamflet, i cili flet për aktualitete. Shfaqja është shumë e angazhuar. Nuk është në pyetje vetëm Handke, por krejt proceset që po ndodhin tash në vitet e fundit në botë, kjo ringjallja e fashizmit”, ka thënë Maliqi.
Më 2014, Peter Handke kishte vizituar Hoçën e Madhe të Rahovecit si “një prej enklavave serbe në Kosovë”. Me nja 50 mijë euro të çmimit “Ibsen” kishte premtuar një pishinë për fshatin. Për ironi Hoça e Madhe nuk ka më shumë se 10 kilometra nga Krusha e Madhe. Në këtë fshat, në tri ditë të marsit 1999, forcat serbe vranë 243 civilë. Krejt çfarë kishin bërë civilët kundër forcave serbe është fakti se qëndruan në shtëpitë e tyre. Por për Handken kjo nuk ka ndodhur. Pishina që nuk u ndërtua kurrë parodizohet me not në shfaqje. Në këtë projekt teatror të qendrës “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak, “MESS”, Handke zhvishet deri në skelet. Bën garë me Peter Panin e James Matthew Barriet.
Si shfaqjen ndër më cilësoret që ka parë të realizuara nga Blerta Neziraj me tekste të Jeton Nezirajt, e ka cilësuar “The Handke Project”, dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj.
“Kjo lloj dramaturgjie dhe ky lloj inskenimi e shtyjnë publikun të reflektojë në mënyrën se si reflekton Neziraj për tema e probleme të karakterit moral, politik e ideologjik si shtylla mbi të cilat qëndrojnë shoqëritë totalitare si ajo e Serbisë së Milosheviqit, e cila vazhdon të rrijë në këmbë e pandëshkuar për krimet e luftës ne Bosnje dhe në Kosovë, edhe falë përkrahjes që ka marrë nga emra e personalitete të letërsisë dhe të arteve si Peter Handke”, ka thënë Hysaj të shtunën, gati 24 orë pasi ka parë premierën. Dhe Hysaj, ka reflektuar goxha. Ka folur edhe për stilin e shfaqjes, por edhe për rolin e teatrit.
“Shfaqja e ndërtuar në stilin e një forum-teatri neobrehtian, që në fillim të saj na ballafaqon me sprovën sa jemi secili prej nesh imunë ndaj ideologjive raciste e fashiste brenda mendjeve tona. Kur një përkrahësi të regjimit kriminal si ai i Milosheviqit i jepet çmimi ‘Nobel’ për letërsi, cili është sistemi i vlerave morale në të cilin jetojmë dhe si mund të luftohen dhe përmbysen ata monstrumë që vrasin civilë në luftërat të cilat i inskenojnë?”, ka qenë pyetja që ai ka shtuar. Përgjigja, sërish reflektim që gjëllin te shfaqja.
“Nëse teatri, drama, letërsia korruptohen prej tyre dhe përdoret si mbështetje për relativizim, mjegullimin dhe përmbysjen e së vërtetës dhe zëvendësimin e saj në të ‘vërteta’ të fabrikuara në laboratorë artistikë, atëherë u takon artistëve e shkrimtarëve të tjerë, si në këtë rast Nezirajt me ‘Projektin Handke’, t’i japë rrjedhë tjetër këtij procesi poshtërues”, ka thënë Hysaj.
Skenat janë të shumta, por emëruesi është hipokrizia e shkrimtarit dhe e Evropës që luan me dy kute.
“Sigurisht që drejtpërdrejtësia dhe angazhimi i audiencës bashkë me aktorët kanë krijuar njëfarë sinergjie, pasi në fund të shfaqjes të gjithë bërtitën kundër fashizmit. Shfaqja ka edhe vlera të tjera që duhet çmuar, aktrimin, regjinë...”, ka thënë kritiku Shkelzen Maliqi.
Publiku sheh në skenë atë që në rastin e Handkes ka ndodhur në realitet. Në atë që do të mund të quhej teatri a farsa që nobelistin e njohu si shkrimtar teksa e ndau atë prej gjysmës tjetër të tij si përkrahës kriminelësh lufte.
“Kur një shkrimtar apo artist merr nën mbrojtje një kriminel lufte bën një krim shumë më të madh se ai që ka bërë krimineli i amnistuar prej tij. Neziraj merret në mënyrën e tij me këtë fenomen”, ka thënë Hysaj.
Hipokrizia e Kontinentit të Vjetër
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se aventurat e shfaqjes veç sa kanë filluar. Ka treguar se është kureshtar të shohë se si do të pritet ajo në Beograd, ku do të jepet të enjten dhe të premten e javës që vjen në teatrin “Bitef”. Ish-ministri i regjimit të Millosheviqit, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 2021 e nderoi Handken me urdhrin më të lartë shtetëror “Ylli i Karagjorgjit”.
“Kjo temë ka qenë aktuale, por vazhdon të jetë edhe më aktuale pasi shumica e institucioneve evropiane të kulturës kanë vënë vija të qarta të ndalesës për shumë artistë rusë pasi iu kërkohet të kenë qëndrim ndaj luftës dhe të distancohen ndaj politikave luftënxitëse të Putinit. Ndërkohë që personalitet letrare si Handke janë toleruar”, ka thënë Neziraj. Ka konstatuar se ekziston njëfarë hipokrizie që institucionet kulturore të Evropës e zbatojnë në mënyra të ndryshme. Sipas tij, shfaqja ka qëndrim të qartë kundër literaturës helmuese e kundër shkrimtarëve që e përdorin letërsinë për të përçuar literaturë helmuese.
“Ne e eksplorojmë temën dhe përpiqemi të shohim se deri ku është kufiri i letërsisë, ku është kufiri i asaj që quhet liri krijuese e kur mund të kalohet ai kufi etik. Handke i ka kaluar këta kufij dhe është shndërruar në njëfarë makinacioni të propagandës, njëfarë servisi që i ka shërbyer propagandës së Millosheviqit dhe kriminelëve të tjerë të viteve ’90”, ka thënë ai.
Ironia me shenjtërimin, heshtja në realitet
Në shfaqje, Peter Handke e ka të shkruar edhe skenarin se si do t’i jepet lamtumira pas vdekjes. Nga Kisha Ortodokse Serbe do të shpallet shenjtor. Veprat e tij letrare do të jenë të shenjta e përmbajtja e tyre do të ligjërohet gjatë liturgjive. Këtë do ta bëjnë ata që bekonin forca paramilitare serbe, tek niseshin me turr ndaj civilëve.
Aktori Arben Bajraktaraj, i cili jeton në Paris, ka thënë se Handke banon jo fort larg tij në kryeqytetin francez.
“Ky tipi (Peter Handke v.j.) më 1995 ka qenë këtu afër Ministrisë së Kulturës. Ka bërë promovim librash në kohën kur neve na kanë shtypë, na kanë rrahur me kalu trotuarin. Na kanë dënuar”, ka thënë Bajraktaraj, ka treguar se në parim nuk ka dëshirë të paragjykojë.
“Por negacionizmi të cilin e ka shpërblyer Evropa nëpërmjet tij është si të na thuhet ne shqiptarëve dhe boshnjakëve viktimave të luftës: ‘hajt se nuk ka dert, ai është artist’. Çfarë artisti i leshit? Tri herë kam nisur t’i lexoj veprat e tij, jam ndalur. Më dukej i mërzitshëm, i lodhshëm, i bezdisshëm.... Ndoshta Evropa gjen tek ai njëfarë lloj... ku di unë tripat e tyre”, ka thënë Bajraktaraj, emër i njohur botërisht që ka luajtur në filma të shquar, si: “Taken”, “Harry Potter and dhe Deathly Hallows”, “Harry Potter and the Order of the Phoenix” e shumë të tjerë.
Sipas tij, dhimbja u takon viktimave dhe dhimbjen e dikujt tjetër nuk mund ta bartë askush. Ka thënë se teatri e ka procesin e katarsisit dhe shfaqja është njëfarë demistifikimi i metodave të negacionizmit që përdor Handke bashkë me mbështetësit e tij.
“Ata kanë arritur që t’i bëjnë gjërat e të mos vërehen. Ky tipi (Peter Handke v.j.) tash nuk është duke e hapur shumë gojën. Është përkrahës shumë i madh i Putinit. E ka një shok që quhet Zakhar Prilepin. Një shkrimtar rus goxha i njohur që ky e adhuron. Ai është komandant i forcave paramilitare ruse në Donbas sot. E Handke sot nuk e hap shumë gojën. Bëhet kinse po shkruaj e po bëj art”, ka thënë Bajraktaraj, pas premierës së shfaqjes.
Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Gjermania, Italia, Hungaria janë veç disa prej vendeve ku do të jepet shfaqja që prek fashizmin në rritje e sipër në Evropë e kryepersonazh ka mikun e Sllobodan Millosheviqit, Peter Handken. Krejt në fund të shfaqjes aktorët i bëjnë thirrje publikut që bashkë t’i çojnë në djall: Handken, Millosheviqin e Akademinë e çmimeve “Nobel”. Dhe publiku i vendit ku Serbia vrau mbi 10 mijë civilë më 1998 dhe 1999 bashkohet si kor. Gjatë muajve në vazhdim do t’i bëhet ftesë publikut të vendeve të Evropës që t’u bashkohet aktorëve.
“Kjo shfaqje është me ia heq vellon. Me ia heq në Evropës se ne e dimë dhimbjen. E kemi dhimbjen tonë. Kjo shfaqje është bërë për Evropë. T’ju themi: a mundemi pak me i hapë sytë? Ky është qëllimi”, ka thënë Arben Bajraktaraj.