Kulturë

“The Handke Project” zhvesh nobelistin austriak në Dortmund

Për dy ditë radhazi, më 16 dhe 17 dhjetor, në Teatrin e Dortmundit shfaqja “The Handke Project” ka shpalosur para publikut gjerman hipokrizinë e Akademisë Suedeze e deri te pretendimet për të mohuar gjenocidin serb (Foto: Atdhe Mulla)

Rrugëtimi evropian i shfaqjes teatrale “The Handke Project” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt së fundmi ka shënuar prezantimin edhe në skenën gjermane. Në Teatrin e Dortmundit në Gjermani shfaqja ka zhveshur nobelistin austriak Peter Handke si mohues të gjenocidit, si dhe ka bërë thirrje që ai bashkë me Millosheviqin dhe krejt fashistët e tjerë të shkojnë në djall.

Shfaqja shkon deri në atë nivel saqë Handke qëndron mbi një varr dhe nis të shfaqë dyshimet se a bëhet fjalë për një të tillë apo jo. Pas festivalit italian “Mittelfest”, të mbajtur në Teatrin e Toskanës, Teatrin Kombëtar të Sarajevës, në festivalin e njohur botërisht “MESS”, më pas shfaqjes në Prishtinë, Shkup e Ferizaj, në qershor ishte ndalur edhe në Beograd në teatrin “Bitef”. Për temë qendrore “The Handke Project” ka vendimin që laureat i çmimit “Nobel” për letërsi të jetë një shkrimtar me gjithë mbështetjen e tij të mirë - dokumentuar për Slobodan Millosheviqin.

Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në masën që Handke i ndryshon edhe situatat, që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij Nermin të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”.

Në një përgjigje për KOHËN, dramaturgu Jeton Neziraj është shprehur se entuziazmi i publikut ka qenë tejet i madh derisa shfaqja ka reflektuar si tejet emocionuese tek ta.

“Kishte entuziazëm tek publiku, por për plot prej tyre ishte edhe emocionale. Plot njerëz dolën me sy të përlotur e plot të tjerë 'nuk e gjenin rrugën nga dalja'. Ishte njëlloj katarze e llojit të vet dhe kjo na gëzoi. Morëm komplimente të shumta prej njerëzve dhe një lloj insistimi se shfaqjen duhet ta shohin shumë më shumë njerëz në Gjermani dhe në Evropë”, është shprehur Neziraj.

Sikurse kur pati shfaqjen në “Mittelfestin” italian, edhe në ato në Teatrin e Dortmundit që u dhanë më 16 dhe 17 dhjetor, shfaqja ka tërhequr vëmendjen e mediave gjermane.

“Interesimi i mediave ka qenë shumë i madh. Ka pasur së paku tri reportazhe në radiot publike gjermane, por edhe në gazeta, duke përfshirë edhe ‘Zeit-in’ e famshëm dhe ‘Theater der Zeit’, një revistë prestigjioze për teatër. Madje, ‘Zeit Online’ realizoi njëlloj ankete tepër argëtuese me pyetje nga tema e shfaqjes sonë”, ka thënë Neziraj më tej.

Në një artikull kushtuar “The Handke Project” gjatë ditës së hënë, mediumi elektronik “NachKritik.de” shkruan se angazhimi proserb i Peter Handke shpesh është hedhur poshtë si ekzagjerim absurd i nostalgjisë së tij ndaj Jugosllavisë, mirëpo që pikën e gjithë kësaj e vendos dramaturgu Neziraj nëpërmjet shfaqjes teatrale.

“Krahas talljeve të tilla janë edhe justifikimet e Handkes për masakrën e Srebrenicës, fjalimi i tij në varrimin e Slobodan Millosheviqit, vajtimi i tij i papërshkrueshëm se vuajtjeve të popullit serb iu kushtohet më pak vëmendje se atyre të hebrenjve në Holokaust - gjithçka citohet edhe nëpërmjet veprimeve sugjestive nga aktoret dhe aktorët”, ka shkruar “nachtkritik.de”.

Ndërkohë në Itali shfaqja ishte vlerësuar nga Gianfranco Cappita që njihet si njeriu kryesor i kritikës italiane, ku në të përditshmen “Il Manifesto” mes të tjerash kishte shkruar se “The Handke...” ishte ndoshta ngjarja më e pritur e “Mittelfestit”. “Ngjarja, që për më shumë se tridhjetë vjet ka krahasuar kulturat, teatrin dhe artet e Evropës Qendrore, që për shekuj ishte zemra rrahëse kulturore e kontinentit”, kishte shkruar Capitta. Nga kritikë të tjerë shfaqja ishte përshkruar si një denoncim i hapur për nobelistin e zhveshëse në raport me hipokrizinë evropiane.

Në shfaqje luajnë një kastë evropiane e aktorëve, ndër ta edhe aktori i mirënjohur shqiptar Arben Bajraktaraj, aktorët nga Kosova, Adrian Morina e Verona Koxha, aktorja nga Bosnjë-Hercegovina, Ejla Bavçiq, aktori shqiptaro-italian Klaus Martini, si dhe aktorja nga Mali i Zi, Anja Drleviq.

“The Handke Project” është produksion i Qendrës Multimedia në bashkëpunim me “Mittelfest & Teatro della Pergola” (Itali); Teatrin e Dortmundit (Gjermani); Teatrin Kombëtar të Sarajevës dhe festivalin ndërkombëtar të teatrit “Scene MESS” (Bosnjë- Hercegovinë).