Kulturë

Kosova me dramë për Handken dhe hipokrizinë ndaj mikut të Millosheviqit

Është produksion ndërkombëtar, por zanafillën e ka në Kosovë. Me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, qendra “Multimedia” bashkë me teatro nga rajoni dhe Evropa do të realizojnë “Handke Project”, parodi për mohuesin e masakrave në Ballkan, por edhe për hipokrizinë evropiane. “Aktorët në shfaqje diskutojnë e trajtojnë marrëzitë e Peter Handkes nën dritën edhe të luftës në Ukrainë”, ka thënë Neziraj

Në vjeshtën e dy vjetëve më parë bota e letërsisë, por jo vetëm, do të goditej keq: Akademia Suedeze do të bënte të ditur se laureat i “Nobelit” për letërsi për atë vit ishte shkrimtari austriak, Peter Handke. Për shumicën e vendeve të Ballkanit dhe pjesën dërrmuese të intelektualëve perëndimorë që janë aktivë në jetën publike, “Nobelin” nuk e fitoi thjesht një shkrimtar austriak, por një mohues i masakrave, gjenocidit e mbështetësi i Sllobodan Millosheviqit, që vdiq në Hagë duke u gjykuar për krime kundër njerëzimit në Ballkan.

Lajmi për nobelistin Handke prodhoi reagime të nivelit sa dy anëtarë të Akademisë Suedeze dhanë dorëheqje. Kishte nobelistë që hoqën dorë nga ky çmim e intelektualë që dënuan krejt zallamahinë.

Në anën tjetër, ish-ministri i regjimit të Millosheviqit, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 2021 e nderoi Handken me urdhrin më të lartë shtetëror “Ylli i Karagjorgjit”.

Krejt kjo histori e finesa të tjera do të trajtohen në skenë teatrore në 70 minuta. Me parodinë e ironinë e teksteve të dramaturgut Jeton Neziraj, në regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, “Handke Project” me nëntitull “Ose, drejtësi për marrëzitë e Peter-it” në qershor do të vijë para publikut në teatrin “Oda” në Prishtinë. E iniciuar nga “Multimedia” si bashkëproduksion ndërkombëtar, me kastë aktorësh nga Kosova, rajoni e Evropa, shfaqja do të jepet edhe në teatro të tjera të Kosovës, më pas në Shqipëri, Serbi, Maqedoni të Veriut, Itali e Gjermani.

Posteri i shfaqjes bën bashkë në një portret Peter Handken dhe Sllobodan Millosheviqin.

“Për një artist, ku mbaron liria e fjalës dhe ku fillon nevoja për të qenë i ndërgjegjshëm politikisht? A mund të krijojmë art duke qenë të pandjeshëm? A mund ta ndajmë artin nga artisti?”, janë veç disa nga pyetjet që shtron ekipi. Kompania teatrore kosovare, qendra “Multimedia” ka mbledhur një grup krijuesish e aktorësh nga Kosova, Italia, Franca, Kroacia, Serbia, Bosnjë- Hercegovina e Gjermania për të treguar në skenë se si arti vlerësohet dhe promovohet kur i kalon kufijtë e mirësjelljes, humanizmit e ata bazikë të etikës.

Derisa ka folur dhe e ka sqaruar projektin, dramaturgu i shfaqjes, njëherësh udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, ka shkruar disa pyetje. “A mundet arti të jetë imun ndaj bindjeve shoqërore e politike të artistit?”, “A mundet audienca ta çmojë krijimtarinë artistike të një artisti që ka bindje problematike politike e shoqërore?”, janë disa prej tyre.

Ai ka thënë se dramaturgu gjerman Botho Strauss mendonte se ata që dështojnë t’i shohin fajet dhe gabimet si stigmë e mendjeve të ndritura, s’kanë përse të merren fare me poetët dhe mendimtarët e vërtetë.

“Por në anën tjetër, Günther Grass thoshte se e ka problem idenë që shkrimtarëve duhet t’u mvishet njëlloj ‘bonusi për gjenialitet’, e i cili ua shfajëson atyre bajraktarizmin nga budallakitë e ndryshme e të rrezikshme”, ka thënë Neziraj. Ka treguar se “Handke Project” ka nisur si bashkëpunim ndërmjet disa teatrove evropiane me qëllim që të diskutojë e të trajtojë këto çështje komplekse. Ka thënë se përqendrimi i tyre do të jetë rreth Peter Handkes dhe ndarjes së çmimit “Nobel” për të. Sipas Nezirajt, edhe pse kualiteti artistik i punës së tij letrare është vlerësuar, shumë figura botërore intelektuale e kanë përshkruar Handken si “etikisht të verbër”.

“Prandaj, ndarja e çmimit ‘Nobel’ për të, nga shumëkush, u konsiderua si vlerësim dhe promovim absurd për një krijimtari letrare dhe për një shkrimtar që i ka kaluar kufijtë e dinjitetit bazik njerëzor. Salman Ruzhdie thoshte se ‘ndien neveri’ për Handken, ngaqë ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë, madje e konsideronte si garues të denjë për ‘budallain ndërkombëtar të vitit’”, ka thënë Neziraj.

Masakra e Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë është më e madhja prej pas Luftës së Dytë Botërore, ku midis 11 dhe 22 korrikut 1995 mbi 8 mijë boshnjakë u vranë nga forcat ushtarake të Serbisë që udhëhiqej nga Millosheviqi. Sipas Nezirajt, pavarësisht se Handke haptazi përkrahte Millosheviqin, plot shkrimtarë e intelektualë i shfajësojnë qëndrimet e tij, duke u thirrur në “gjenialitetin e tij letrar” apo në “lirinë e shprehjes”. Ka cituar se e përditshmja austriake “Die Presse” shkruante se “letërsia universale që ka shkruar Handke për këta mbi 50 vjet, është më e rëndësishme sesa kalërimet e tij politike nëpër të cilat ai ka ecur gabimisht”. “Ndërsa që edhe një austriake nobeliste, Elfriede Jelinek, e ka mbrojtur Handken. Ndër të tjera, për akuzat ndaj Handkes, Elinek ka shkruar: ‘Kushdo që e pengon punën e një artisti, kryen një krim jo vetëm ndaj poetit, por edhe ndaj krejt publikut’”, ka thënë Neziraj.

Si krijues, shfaqjet e të cilit janë dhënë në skena prestigjioze teatrore – deri në “La Mama” të New Yorkut këtë muaj, kur edhe u shfaq disa herë “Balkan Bordello” – Neziraj ka thënë se “Handke Project” është një performancë teatrore për shkrimtarin që me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish-Jugosllavi dhe ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e “tokës së djegur”.

“Po ashtu edhe u ka thurur elozhe poetëve e filmëbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinier të projekteve gjenocidale’. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ‘nuk e di të vërtetën’ dhe se prandaj është ‘këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë’. Vuajtjen e serbëve Handke e krahasonte me vuajtjen e hebrenjve në kohën e nazizmit”, ka thënë Neziraj.

Janë gjashtë aktorë - Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha – të cilët sipas Nezirajt në shfaqje diskutojnë e trajtojnë marrëzitë e Peter Handkes nën dritën edhe të luftës në Ukrainë, e në një kohë kur shumë institucione kulturore në Evropë po u kërkojnë artistëve nga Rusia, që publikisht t’i shprehin qëndrimet e tyre ndaj luftës në Ukrainë. Ka përmendur faktin se një vijë e kuqe është duke u vënë ndaj krejt atyre artistëve rusë që në një mënyrë apo tjetër janë përkrahës të Putinit dhe të luftës.

“Ndërkohë, Handke dhe handkistët evropianë vazhdojnë të kalërojnë të lirë, edhe përmbi 8 mijë varret e të vrarëve në Srebrenicë. Prandaj, siç e ka thënë bukur Eric Gordy: ‘Handke është kitsch’. Por edhe ‘Nobeli’ për të është kitsch. E edhe mbështetësit e Handkes janë kitsch. E kitsch është edhe hipokrizia evropiane”, ka thënë Neziraj.

Kurse regjisorja e shfaqjes Blerta Rrustemi-Neziraj ka thënë se kjo shfaqje teatrore trajton një debat të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për këtë kohën dhe në të vërtetë për të gjitha kohërat.

“Në sjelljen e kësaj çështjeje në skenë kam një ndjenjë përgjegjësie, por jo më shumë se në çdo tjetër shfaqje që kam punuar, sepse besoj se përgjegjësia artistike duhet të jetë vija kryesore dhe finale në çdo krijimtari artistike”, ka thënë Neziraj, e cila qe edhe regjisore e “Balkan Bordello”, shfaqje e cila ka marrë vëmendjen edhe të prestigjiozes amerikane “The New York Times”. Rrustemi-Neziraj, në një prezantim të shfaqjes, ka sqaruar se në “Handke Project” nuk shtrojnë pyetje duke i lënë ato pa përgjigje, “sepse kjo do të ishte hipokrizi”.

“Ne jemi pozicionuar qartë kundër shkrimtarit që me veprat dhe opinionet e tij publike ka shkelur mbi viktimat e luftës dhe mbi dhimbjen e njerëzve të pafajshëm, njëlloj si një kriminel lufte i zemëruar”, ka thënë Rrustemi Neziraj.

Austriaku Peter Handke (79) u bë i njohur me veprat e tij letrare dhe atë nam e shfrytëzoi për të përkrahur kriminelë lufte e të tjerë të gjykuar për krime lufte. Përderisa për Serbinë ai meriton urdhrin më të lartë “Yllin e Karagjorgjit” e pak ditë pas “Nobelit” në Graçanicë të Kosovës serbët organizuan një tryezë ku ngrihej në qiell si krijues e mbështetës i “popullit të zotit”, artistë të mirënjohur evropianë kanë vendosur të veprojnë ndryshe. Qendra “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak “MESS”, nëpërmjet artit do të shpërfaqin hipokrizinë e Handkes dhe mbështetësve të tij, njëkohësisht duke ngritur zërin për viktimat që shkaktoi agresioni i mbështetur nga nobelisti.