Kulturë

Ehoja e kitarës së Jeff Beckut në Kosovë

Jeff Beck ka qenë frymëzim edhe për rockerët shqiptarë në Kosovë. Maestroja i kitarës, Nexhat Macula, më së shumti i njohur si anëtar i grupit “TNT”, ka thënë se është zhvilluar me muzikën e Beckut duke vlerësuar se edhe muzikantët vendorë e kanë kultivuar muzikën e tij. Sipas tij, kanë ndërruar gjeneratat e shijet dhe se është fatkeqësi të mos jenë këngët e Jeff Beck në arkivin e secilit.

“Fatkeqësisht sot nuk kemi një personazh të tillë në rock-muzikë, normalisht koha dhe shijet e kanë bërë të veten, mirëpo influenca ka qenë në vitet ‘60, ’70. Ka pasur ndikime tek pjesëtarët e rock-muzikës që kanë qenë në numër të madh. Nuk është kultivuar zhanër tjetër, ka qenë në zhvillim në gjithë botën. Jeff Beck ka pasur ndikim, por më shumë ka qenë edhe filozof në shprehjen e tij, nuk ka qenë rock i pastër”, ka vlerësuar Macula derisa ka thënë se Beck ka lënë gjurmë më së shumti tek ata që kanë kërkuar më shumë se rock muzika. Prej tyre ka qenë edhe muzikanti Luan Tashi, lider i grupit “Hithat”. Ai e ka veçuar Jeff Beckun për nga stili unik dhe për nga gërshetimi në lojë me jazz, fusion rock e blues duke e quajtur si “stil Jeff”. Vdekjen e këngëtarit e ka cilësuar humbje të madhe për muzikën botërore.

“Në pop kulturën normale, Jeff Beck nuk është shumë i popullarizuar për shkak të stilit të muzikës. Është më shumë muzikë për muzikantë sesa për dëgjues të rregullt. Për nga stili i luajtjes në kitarë ka qenë tejet unik. Në botën e ‘rock n’ rollit ka qenë tejet i respektuar dhe i çmuar. E dëgjoj Jeff Beckun në të gjitha stilet në të cilat ka kaluar, deri në stilin totalisht të padefinuar që do të quaja ‘Jeff Stil’”, ka thënë Tashi.

Çdo album të tij e ka vlerësuar të veçantë kitaristi Muhamet Veseli-Muha. Anëtari i “Armadillos” ka thënë se krijimtaria e Beckut ka qenë një hap para kohës.

“E kemi pasur idhull si gjithë muzikën britanike që e kemi dashur. Është njëfarë djepi i rockut evropian. E kemi dëgjuar shumë, si çdo kitarist i madh edhe ai ka pasur ndikim. Ka qenë kitarist i madh e inovativ, modern, shembull i kitarës moderne në çdo kohë”, ka thënë Muha.