Kulturë

Jeff Beck – maestroja që ridefinoi kitarën

Toni, paraqitja dhe, mbi të gjitha, volumi i tij ridefinuan tingullin e kitarës së viteve ‘60, si dhe ndikuan në lëvizjen e muzikës metal, jazz-rock e madje edhe në zhanrin punk. Bota e muzikës e cilëson Jeff Beckun ta pavdekshëm, ashtu sikurse edhe muzikën e tij. “Unë luaj ashtu siç luaj, sepse kjo më lejon të nxjerr tingujt më të fortë të mundshëm. Kjo është çështja tani, apo jo? Nuk më interesojnë rregullat. Në fakt, nëse nuk i thyej rregullat të paktën dhjetë herë në secilën këngë, atëherë nuk jam duke e bërë punën time siç duhet”

Mjeshtër i kitarës, i papërsëritshëm, ushtar me gjashtë tela, është cilësuar nga kolegët e tij, Jeff Beck, njëri ndër rock-kitaristët më me ndikim të të gjitha kohërave, i cili ka vdekur në moshën 78-vjeçare. Lajmi është dhënë të mërkurën vonë. Muzikanti britanik u bë i famshëm si pjesë e “Yardbirds”, ku zëvendësoi Eric Claptonin përpara se të formonte grupin me emrin e tij, bashkë me Rod Stewart.

Toni, paraqitja dhe, mbi të gjitha, volumi i tij ridefinuan tingullin e kitarës së viteve ‘60, si dhe ndikuan në lëvizjen e muzikës metal, jazz-rock e madje edhe në zhanrin punk.

Vdekja e Beckut u konfirmua në faqen zyrtare të tij në Twitter.

“Në emër të familjes së tij, me pikëllim të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të Jeff Beck”, thuhet në deklaratë. “Pas diagnostikimit të papritur të meningjitit bakterial, dje ai ndërroi jetë në mënyrë paqësore. Familja e tij kërkon mirëkuptim derisa ta marrin veten nga kjo humbje e madhe”.

Kur për herë të dytë në vitin 2009 u përfshi në “Rock and Roll Hall of Fame”, Beck tha: “Unë luaj ashtu siç luaj, sepse kjo më lejon të nxjerr tingujt më të fortë të mundshëm. Kjo është çështja tani, apo jo? Nuk më interesojnë rregullat. Në fakt, nëse nuk i thyej rregullat të paktën dhjetë herë në secilën këngë, atëherë nuk jam duke e bërë punën time siç duhet”.

“Luftëtari me gjashtë tela”

Duke folur rreth lajmit për vdekjen e tij, këngëtari Sir Rod Stewart e quajti Beckun “më të madhin”.

Teksa ka postuar një foto së bashku me të në Instagram, ai shkroi: “Jeff Beck ishte në një botë tjetër. Në fund të viteve ‘60 ai na mori mua dhe Ronnie Woodin në SHBA, në grupin e tij ‘Jeff Beck Group’, dhe që atëherë ne nuk e kemi kthyer kokën mbrapa”.

“Ai ishte një nga kitaristët e paktë që kur performonte live më dëgjonte të këndoja dhe përgjigjesha. Jeff, ti ishe më i madhi, njeriu im. Faleminderit për gjithçka! Prehu në paqe!”

Grupi amerikan i rockut, “Hollywood Vampires”, i përbërë nga Johnny Depp, Alice Cooper, Joe Perry dhe Tommy Henriksen, gjithashtu shkroi për “vdekjen e mikut të dashur dhe legjendës së kitarës”.

“Muzikaliteti i jashtëzakonshëm dhe pasioni i Jeffit për kitarën kanë qenë frymëzim për të gjithë ne”, ka shkruar grupi. “Ai ishte një novator i vërtetë dhe trashëgimia e tij do të jetojë përmes muzikës së tij. Pusho në paqe, Jeff”.

Këngëtari dhe kitaristi i rockut, Eric Clapton, shkroi shkurt në Twitter: “’Gjithmonë dhe përherë’…….. ec”.

Jimmy Page i “Led Zeppelin” i bëri homazhe Beckut duke e cilësuar si “luftëtari me gjashtë tela” dhe vlerësoi imagjinatën e tij muzikore “me sa duket të pakufishme”, e cila mund ta “kanalizojë muzikën nga eterja”.

Në një homazh tjetër, frontmeni i “Rolling Stones”, Sir Mick Jagger, ndau një video të dyshes duke luajtur së bashku. Ai shkroi se muzika ka humbur “një nga kitaristët më të mëdhenj në botë” dhe “të gjithëve do të na mungojë shumë”.

The Edge i “U2” ka bërë një postim duke thënë se Beck ishte rocker punku përpara se të ekzistonte punku dhe një nga kitaristët më krijues i të gjitha kohëve. “Ai vendosi një nivel shumë të lartë për të gjithë ne që e ndiqnim. Mjeshtëria e tij do të jetojë”, ka shkruar ai.

Frontmeni i “Black Sabbath”, Ozzy Osbourne, ka thënë se ishte “një nder i madh” ta njihte dhe të luante me Beckun, duke shtuar: “Nuk mund ta shpreh sa i trishtuar jam...”.

Edhe kitaristi i “Queen”, Sir Brian May, ka thënë se i kanë humbur fjalët, por e quajti Beckun “kulmimin absolut të të luajturit në kitarë” dhe një “qenie njerëzore e shkëlqyer”.

Anëtarët e “Kiss”, Gene Simmons dhe Paul Stanley, gjithashtu shprehën tronditjen e tyre.

Simmons e quajti lajmin “zemërthyes”, ndërsa Stanley ka thënë se “kishte bërë një shteg të pamundur për t’u ndjekur. Luaj tani dhe përgjithmonë”.

I lindur si Geoffrey Arnold Beck në jug të Londrës, në Wallington, ai ra në dashuri me rock’n’rollin si fëmijë dhe ndërtoi kitarën e tij të parë si adoleshent.

“Djali fqinj tha: ‘Unë do të të ndërtoj një kitarë të fortë për pesë funte, tha ai më vonë për “Rock Cellar Magazine”. “Pesë funte ishin 500 për mua atëherë [kështu që unë shkova dhe e bëra vetë”.

“E para që ndërtova ishte në vitin 1956, sepse Elvisi nuk ishte dhe gjithçka që dëgjuat për muzikën pop ishte kitara. Dhe pastaj u magjepsa. Jam i sigurt se e njëjta gjë vlen edhe për shumë njerëz”.

Image
Beck në “Strand-Capitol Performing Arts Center” në New York, më 25 prill 2015 (Foto: AP)

Pas një qëndrimi të shkurtër në Kolegjin e Artit Wimbledon, ai u largua për të luajtur me shokun rocker, Screaming Lord Sutch dhe Tridents.

Kur Eric Clapton u largua nga “Yardbirds” më 1965, Jimmy Page sugjeroi angazhimin e Beckut – dhe ai vazhdoi të luante në hite si “I’m A Man” dhe “Shapes Of Things” – ku përdorimi i tij pionier i ehos ushtroi ndikim te muzikantët si Paul McCartney dhe Jimi Hendrix.

“Kjo [teknikë] erdhi si një aksident”, i tha ai më vonë Johnnie Walkerit të BBC Radio 2.

“Rreth viteve ‘64-‘65, ne luajtëm në ambiente më të mëdha, dhe zërimi ishte i pamjaftueshëm. Kështu që ne ngritëm nivelin dhe më pas zbuluam se reagimet do të ndodhnin. Fillova ta përdorja, sepse ishte i kontrollueshëm – mund të luanit melodi me të. E bëra këtë një herë në Staines Town Hall me ‘Yardbirds’ dhe më pas, më thotë: ‘E dini atë zhurmën qesharake që nuk duhej të ishte aty?’ Unë do ta mbaja atë nëse do të isha në vendin tuaj. Kështu që unë thashë: ‘Ishte e qëllimshme shoku. Largohu’”.

“...dhe ai na la neve, njerëzve të thjeshtë”

Kitaristi qëndroi me “Yardbirds” për gati dy vjet, përpara se të deklaronte se do ta linte fare muzikën dhe do të publikonte këngën e tij të parë solo “Hi Ho Silver Lining”.

Megjithatë, ai u kthye shpejt me grupin “Jeff Beck”, dy albumet e para të të cilit “Truth” (1968) dhe “Beck-Ola” (1969), morën një qasje të egër ndaj blues që hodhi themelet e një rock-metali.

Por grupi ishte i pakënaqur – me një turne në SHBA që vazhdimisht shoqërohej me debate dhe përleshje fizike.

Këngëtari Rod Stewart dhe basisti Ronnie Wood u larguan në vitin 1970 për t’u bashkuar me “Small Faces” (më vonë ‘The Faces’), dhe kur Beck u lëndua në një aksident me makinë, atij iu desh ta ndërpriste karrierën e tij.

Kur u shërua, Beck mblodhi një formacion të dytë të grupit të tij, por albumet e tyre ishin komercialisht të pasuksesshme dhe Beck vazhdoi solo-karrierën më 1975.

Atë vit incizoi një album, “Blow By Blow”, me producentin e “Beatles”, George Martin. Krejtësisht instrumental, luajtja lirike dhe e këndshme e kitarës së Beckut në thelb zëvendësoi pjesët e një vokalisti kryesor, një qasje që ai do të definonte pjesën më të madhe të karrierës së tij.

“Blow By Blow” hyri në 10-shen më të mirë të SHBA-së dhe iu dha një disk platini, dhe Beck e pasoi shpejt atë me “Wired” të vitit 1976 (prodhuar gjithashtu nga George Martin) dhe albumin e koncerteve të vitit 1977, “Jeff Beck With The Jan Hammer Group Live”.

Pas turneut të dokumentuar në album, muzikanti u tërhoq në pronën e tij jashtë Londrës dhe qëndroi në heshtje për tre vjet.

“Fusha në të cilën luaj është aq intensive sa nuk mund ta bëj çdo natë”, shpjegoi ai më vonë.

Vitet ‘80 e panë atë të bashkëpunonte me Nile Rodgers në një album të quajtur “Flash”, i cili përmbante këngën e tij të parë hit – një ripërpunim të “People Get Ready” të Curtis Mayfield, me Rod Stewart në vokalin kryesor – që i solli atij çmimin “Grammy”.

Në vitin 1987, ai luajti në albumin solo të Mick Jagger, “Primitive Cool”, dhe vazhdoi të punojë me artistë si Roger Waters dhe Jon Bon Jovi në vitet ‘90, si dhe kontribuoi në muzikën e Hans Zimmer për filmin e Tom Cruiset, “Days Of Thunder”.

Image
Në “Madison Square Garden” në New York, më 18 shkurt 2010 (Foto: AP)

Por puna e tij solo u ngadalësua, deri në publikimin e “You Had It Coming” të vitit 1999, me Imogen Heap në vokal, e ndjekur nga një album i vitit 2003 që ai e quajti thjesht “Jeff”.

Përafërsisht në këtë kohë, ai filloi të përfshinte më shumë elemente elektronike dhe hip-hop në muzikën e tij; duke kulmuar me fitoren e tij të katërt në “Grammy” për instrumentalin Plan B të stuhishëm e që ndryshon formë.

Bëri një turne të gjerë në vitet 2010, përfshirë një sipërmarrje të përbashkët me Brian Wilson të “Beach Boy”.

Dyshja kishte shpresuar të bënte një këngë së bashku, por ato plane dështuan. Në vend të kësaj, Beck përfundoi duke u miqësuar me aktorin Johnny Depp, me të cilin publikoi një album të plotë, “18” në vitin 2022.

Por trashëgimia e muzikantit qëndron në ekuilibrin midis rrjedhshmërisë dhe agresivitetit të luajtjes së tij, shkëlqimi i tij teknik barazohet vetëm me dashurinë e tij për disonancën që kërcënon veshët.

“Është sikur ai po thotë: 'Unë jam Jeff Beck. Unë jam këtu. Dhe ju nuk mund të më injoroni'", shkroi Mike Campbell nga “Heartbreakers” në një ese për kitaristët më të mëdhenj të të gjitha kohëve të “Rolling Stone”, ku Beck u rendit i shtati.

“Edhe në ‘Yardbirds’ ai kishte një ton që ishte melodik, i ndritshëm, urgjent dhe nervoz, por edhe i ëmbël në të njëjtën kohë. Mund të thuash se ai ishte një lojtar serioz dhe ai po shkonte drejt kësaj. Ai nuk po përmbahej”.

“Ai do të vazhdonte të bëhej gjithnjë e më i mirë”, kujtoi dikur Jimmy Page i “Led Zeppelin”. “...dhe ai na la neve, njerëzve të thjeshtë”.

Marrë nga BBC. Përktheu: Mirjetë Sadiku