“Rock n’ Roll Never Dies” a “Long live Rock n’ Roll” në variante të ndryshme, nuk janë thjesht moto, tituj këngësh apo albumesh, thirrje në koncerte e fjali nëpër fanella, por edhe bindje veçmas nga adhurues të këtij zhanri. Kësisoj mund të konceptohet edhe fryma e shënimit të Ditës Botërore të Rock n’ Rollit dhe dëshmia për këtë janë rock koncertet. Me një të tillë, shënimit të kësaj dite, një pjese të botës i është bashkuar edhe Prishtina. Vendi: parkingu i Ministrisë së Kulturës. Performuesit: solistë e grupe vendore. Repertori: rock shqip e hite ikonike.
Këngë nga historia e rockut në Kosovë janë risjellë, brohoritur e janë kënduar edhe nga publiku në koncertin dedikuar pikërisht këtij zhanri muzikor, në një atmosferë nën tingujt e fuqishëm të këtyre këngëve të pavdekshme. Hapësira e cila u shfrytëzua për këtë kremtim, të mërkurën mbrëma, ani pse jo fort e madhe, në skenë solli tri grupe. Publiku pati rastin të argëtohej me muzikën e performuar nga Florent Abrashi, “Mitrovica Rock School” dhe grupi “Nuclear Doom”.
“Sonte ishte një ndjenjë shumë interesante. Për herë të parë pas sa viteve fillova të kem emocione sikur të isha në fillim të karrierës. Më dridheshin duart, sepse siç duket unë sonte jam kitaristi i fundit që duhet me e kap kitarën, sepse paska talentë shumë më të mirë se unë”, tha Abrashi, këngëtar, kitarist dhe njëkohësisht fitues i “The Voice of Albania 3”.
Abrashi e konsideroi të shkëlqyer performancën e grupeve të tjera, pjesëtarë të të cilave janë më të rinj se ai. Ka shprehur dëshirën e tij si muzikant në Ditën Ndërkombëtare të Rock Muzikës. Bërja e kësaj nate një traditë në skenën vendore dhe krijimi i hapësirës për dashamirët e rock-ut, qe urimi i tij.
Shënimit të 13 korrikut si Ditë Botërore të Rockut i është bashkuar edhe Prishtina. Vendi: parkingu i Ministrisë së Kulturës. Performuesit: solistë e grupe vendore. Repertori: rock shqip e hite ikonike
Ky koncert, i cili për nga përmbajtja ishte krejtësisht spontan, shëtiti publikun në muzika të ndryshme, por pa e humbur karakterin e tij rock. “Heroi i qytetit pa lumë”, “Këngë moj”, “Dashurinë ku e kam”, “Sajzeza”, kanë qenë vetëm disa nga këngët shqipe të cilat rastësisht u zgjodhën për të performuar. Janë këngë të patejkalueshme jo vetëm në historinë e rock-muzikës në vend, e cila çoi krye në Kosovë në fund të viteve ’60, përderisa shpërthimi i saj në botë nisi nga mesi i viteve ’50.
Në koncert, edhe këngët e shndërruara tashmë në hite ikonike të rockn’roll-it botëror nuk u lanë pa u interpretuar nga grupet dhe pa u kënduar e shijuar nga publiku. “Master of puppets”, “Symphony of descrution”, “Wicked game”, “Nothing else matter”, “Careless whisper”, “I feel good”, qenë disa prej tyre. E veçanta e koncertit dhe e interpretimit të tyre është se ato nuk ishin të planifikuara paraprakisht. Ato u kënduan në mënyrë të rastësishme duke iu përshtatur preferencave të artistëve dhe publikut.
“Për ne ishte një ndjenjë shumë e mirë, sepse edhe audienca ishte shumë e gjallë dhe na bëri të ndihemi mirë derisa performuam. Do të kisha dëshirë që edhe bendeve të tjera t’u jepej mundësia për ta shprehur kreativitetin, qysh na u dha edhe neve”, ka thënë për KOHËN Luisa Nikoliqi, anëtare e “Nuclear Doom”.
Të pasionuar për këtë zhanër nuk janë parë të jenë vetëm interpretuesit, por edhe nga publiku, në mesin e të cilëve ka pasur edhe kalimtarë rasti por që ua prekur veshin muzika që ka jehuar në sheshin kryesor të Prishtinës. Kjo ka dëshmuar se rocku ka ende adhurues, por se ka gjenerata të reja interpretuesish është “Mitrovica Rock School”, e vetmja e këtij lloji në vend.
“Sot jam ndier shumë mirë dhe kemi performuar me shumë dashuri dhe dëshirë para publikut të Prishtinës. Do të doja të vazhdojmë të performojmë dhe të mos ndalemi kurrë”, ka thënë Rita Daklani, pjesëtare e “Mitrovica Rock School”. Ajo bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit shijuan edhe performancën e grupeve të tjera. Dukej se me shumë qejf kaluan edhe në anën e publikut për kolegët e tyre muzikantë.
Ky koncert u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Dita Botërore e Rock n’Rollit më 13 korrik, në vitet ’90 u shënua fillimisht vetëm në Brazil, për t’u zgjeruar edhe në vende të ndryshme të botës, e cila është e ndarë rresh datës, pasi si Ditë Ndërkombëtare e Rock n’ Rollit njihet edhe 13 prilli, pasi ajo datë e vitit 1954 njihet si dita kur Bill Haley regjistroi këngën “Around The Clock”, që u bë pikë reference për këtë zhanër, atëherë të ri.