Kulturë

E kaluara nostalgjike dhe e ardhmja e frikshme në veprat e artistëve të rinj

Contemporary Art Colony

“Projekti ‘Contemporary Art Colony’ është një platformë që i bashkon artistët e rinj të cilët janë aktivë në mediume të ndryshme si piktura, skulptura, arti digjital, vizatimi, media të reja e materiale të ndryshme. Qëllimi i kësaj ekspozite dhe këtij projekti është që të bashkohen dhe të krijohet një lloj rrjeti bashkëpunimi midis artistëve lokalë e atyre ndërkombëtarë”, ka thënë kuratori i ekspozitës, Arben Elshani.

Disa metra nën sipërfaqen e tokës janë ekspozuar veprat e artistëve të rinj si imazh i gjeneratës së re të artistëve vizualë. Ekspozita e hapur në Qendrën e Artit në Ulpianë e që dikur ishte strehimore e hapur në vitet ’80 e ka ngjyrosur me lloj-lloj ngjyrash dhe e ka dhënë jetë me artin që premton të ardhmen e kësaj skene në vend. Contemporary Art Colony” në edicionin e parë vjen si pasqyrë e gjeneratës së re e artistëve dhe botëkuptimeve e perspektivave të tyre

Krahas prezantimit të krijimtarisë artistike të pionierëve të artit vizual dhe atyre që kanë bërë emër në skenën artistike, ngjarjet që promovojnë krijuesit e rinj janë po kaq me peshë. “Contemporary Art Colony” në edicionin e parë vjen si pasqyrë e gjeneratës së re e artistëve dhe botëkuptimeve e perspektivave të tyre. 

Disa metra nën sipërfaqen e tokës janë ekspozuar veprat e artistëve të rinj si imazh i gjeneratës së re të artistëve vizualë. Ekspozita e hapur në Qendrën e Artit në Ulpianë e që dikur ishte strehimore e hapur në vitet ’80 e ka ngjyrosur me lloj-lloj ngjyrash dhe e ka dhënë jetë me artin që premton të ardhmen e kësaj skene në vend. 

Njeriu pranë laptopit në veprën me titull “Lucid” të Yllka Hashanit është sjellë në miniaturë. Jo me temën e punës si perceptim i parë. Ka të bëjë me ndjenjën e të qenit përherë nën vëzhgim nga kjo pajisje teknologjike. Drita me dimensione shumëfish më e madh se njeriu dhe objektet nuk është thjesht llambë ndriçimi, por si imazh që shpalos konceptin e kufizimit dhe kontrollin mbi njeriun. 
Arton Behrami me tri skulpturat e tij “Portret” dhe dy prej tyre që emërtohen "Figura" e gdhend gurin natyral për të trajtuar figurën njerëzore të fragmentuar si metaforë e gjendjes së brendshme të njeriut. Aty ka heshtje,  peshë emocionale e tension të brendshëm. 

Po ashtu skulpturë prej guri natyral ka sjellë Avni Demiri me veprën “Përtej derës së mbyllur” ku shkallët janë një lloj udhëpërshkrimi i çdo hapi sfide e përpjekjeje, rënieje e ngritjeje. Azra Ibrahimi me pikturën "Triology" bashkëdyzon forma reale në natyrë abstrakte. 

E Arba Bunjaku ka sjellë nostalgjinë me vendosjen e artit të saj në nëgativ filmi. E bazuar në filmin “Albanian Cinema Paradiso” nga Elton Gllava ka sjellë mini-kinemanë e ndriçuar në led. 

“Është e bazuar në filmin ‘Cinema Paradiso’. Në fund të filmit ka shumë skena të puthjeve që janë bërë bashkë në një negativ të filmit. Ka edhe skena intimiteti të filmit të vjetër shqiptar. Për mua kjo ka qenë si koment në lidhjen tonë si popull që e kemi me nostalgjinë, dashurinë, me intimitetin. Flet edhe për censurën që ka qenë. Veç kam dashur ta paraqes popullin shqiptar si diçka të bukur e me plot dashuri”, ka thënë autorja e veprës. 

Arba Bunjaku, e cila studion për film, skenografi dhe kostumografi, ka thënë se “disa kuadro nuk janë zhvilluar, por unë këtë pjesë e shoh si hapësirë për t’u përmbushur”. “Njerëzit mund t’i vendosin aty kuadrat e tyre me dashurinë”, ka thënë ajo. Filmi i cili është marrë si objekt për veprën e saj flet për ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve përmes filmave të asaj epoke në kontekstin e ndikimit nga makineria propagandistike sovjetike. 

Në kornizë të kuqe janë instaluar materiale tekstili të shqyera me ngjyrë të zezë. “Jo” e Rinesa Fisharit sjell dhunën seksuale dhimbjen jo veç në trup, por në shpirt. Tregon frikën që ende vazhdon me heshtjen,  turpin dhe frikën.

Ekspozita është kuruar nga Arben Elshani. 

Për ekspozitën e kuruar nga Arben Elshani shkruhet se ajo sfidon kufijtë e traditës dhe hap dimensione të reja të interpretimit artistik, duke kërkuar guxim estetik dhe konceptual për paraqitje alternative përballë publikut. 

“Ajo ofron mundësi reale konkurruese në skenën globale, duke u zhvilluar në frymë thellësisht bashkëkohore dhe eksperimentale”, shkruhet aty midis tjerash. 

“Ekspozita kryesisht është në frymën e artit bashkëkohor. Në të njëjtën kohë është motiv shtesë për artistët pjesëmarrës sepse të gjitha janë punë të artistëve të rinj që pak njihen nga audienca në përgjithësi, por puna e tyre është goxha e punuar dhe ka koncepte të cilat janë goxha të studiuara edhe në aspektin vizual edhe në ndërtimin teknik të veprave”, ka thënë ai duke bërë me dije edhe tematikat në përgjithësi që trajtojnë veprat e ekspozuara. 

“Tematikat e këtyre koncepteve janë kryesisht aktualiteti, tematika të së shkuarës, të së ardhmes dhe aktualiteti në hapësira hibride si një zhvillim në epokën digjitale. Ky është eksplorim që artistët e rinj janë duke e bërë në artin bashkëkohor. Komplet si ekspozitë është përmbledhje e artistëve që kanë koncepte dhe qasje të ndryshme. Secila punë dallon prej tjetrës dhe ka njëfarë diversiteti edhe midis qasjes artistike të punimeve”, ka thënë ai. 

Në ekspozitë janë edhe veprat e artistëve Bujar Bacaj, Berjona Gashi, Dea Ahmeti, Erblina Karaliti, Elona Rama, Eduarta Blakçori-Islami, Hekuran Sokoli, Kristanja Çene dhe Pranvera Tifeku. 
Ky është edicioni i parë i “Contemporary Art Colony” që synon të jetë tradicional e të zgjerohet më tej. 

“Projekti ‘Contemporary Art Colony’ është një platformë që i bashkon artistët e rinj të cilët janë aktivë në mediume të ndryshme si piktura, skulptura, arti digjital, vizatimi, media të reja e materiale të ndryshme. Qëllimi i kësaj ekspozite dhe këtij projekti është që të bashkohen dhe të krijohet një lloj rrjeti bashkëpunimi midis artistëve lokalë e atyre ndërkombëtarë”, ka thënë kuratori i ekspozitës, Arben Elshani. 

Kjo është ngjarja e katërt që zhvillohet në këtë hapësirë artistike në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë. Drejtoresha për Kulturë, Sibel Halimi, ka thënë se tashmë kjo hapësirë është e artistëve dhe secili mund ta bëjë të veten përkohësisht për prezantimin e punës së tyre. E ka vlerësuar edhe ekspozitën e “Contemporary...”. 

“Diversiteti shumë i madh i punimeve për të mbijetuarit e dhunës seksuale, simbolika e transformimit dhe sintetizimi që bëhet i së kaluarës në të tashmen dhe me të ardhmen, besoj se kjo ekspozitë jep përgjigje shumëdimensionale. Njeriu si qenie politike, kulturore dhe shoqërore, arrin ta përvetësojë vetveten vetëm nëpërmjet artit”, ka thënë Halimi. 

Sipas saj, aty ku fushat e tjera nuk mund të japin përgjigje, këtë e bën arti. 

“Arti është mundësia e vetme ku jepet një përgjigje, ndoshta jo absolute por i kodon transformimet e mëdha që po ndodhin në shoqëri. Aty ku politika nuk mund të japë përgjigje, aty ku shkenca e ka metodologjinë e vet, mendoj se arti e vizualizon dhe e shpejton këtë përgjigje”, ka thënë ajo më tej. 

Për ngjarjen shkruhet se është projekt që e vendos artistin në qendër të vëmendjes edhe në skenën ndërkombëtare. 

“Ky projekt nuk synon të jetë vetëm një hapësirë ekspozimi, por një ambient aktiv dialogu dhe ndërveprimi ku veprat artistike krijojnë lidhje të reja konceptuale dhe komunikative. ‘Contemporary Art Colony’ vendos artistin në qendër të vëmendjes, jo vetëm në skenën vendore, por edhe në arenën ndërkombëtare përmes shfrytëzimit të platformave të drejtpërdrejta dhe të aksesueshme online”, shkruhet aty. 

Ekspozita e hapur të hënën në Qendrën e Artit në Ulpianë do të qëndrojë e hapur për tetë ditë.