Përgatitjet e secilit edicion të “DokuFestit” janë sikurse një dokumentar i llojit të vet, me shumë personazhe, skena e rrëfime. Në prag të edicionit të 24-t, ambientet e punës janë sikurse një shesh xhirimi ku të gjithë janë në aksion dhe secili e di saktë punën e përgjegjësinë e vet. “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk” është tema e sivjetme, por edhe atmosfera në prapaskenë, njësoj sikurse programi, janë kontrapunkti dhe revolta. Në ambientet e punës, harmonia është formulë. Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, flet për temën, producentja e Alba Çakalli për dinamikën e Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab” për një forum që dikur qe ëndërr e tash mundësi për kineastët
Se nisja e përgatitjeve për edicionin e radhës nis sapo përfundon ai paraprak, është një lloj maksime tashmë edhe formulë e suksesshme për ta vazhduar traditën e festivalit që asnjëherë nuk zhgënjen. Vjen përherë me befasi dhe gjithmonë me risi.
Për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, kur kanë mbetur edhe pak ditë në start për shpalosjen e kapitullit të 24-t, finesat e fundit janë dinamika finale. Më 1 deri 9 gusht, pritet të zbulohet magjia.
Imazhi shkëlqyes e madhështor i festivalit jepet edhe koncertet që organizohen në kuadër të tij. Për programin qendror, kurimi i filmave, prezenca e autorëve e fjalët për projektet e tyre, janë më vetvete të tilla. Ajo që për publikun duket e thjeshtë, përbën një vit pune të stafit të Festivalit. Në prag të edicionit, ai dyfishohet. I tillë ngjan edhe tensioni, entuziazmi, sasia e punës e dinamika. Edhe jashtë zyrave të “DokuFest”.
Ky edicion i festivalit me nam në skenën ndërkombëtare të filmit vjen nën temën “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”. Nuk është tamam temë a koncept. Vjen si revoltë e protestë, për luftërat dhe gjithçka po ndodh me botën. E ka bërë përherë.
Temat e festivalit u bashkohen kauzave e ngjarjeve globale dhe sivjet titulli me të cilin kurorëzohet nuk është tematik, por konstatues.

Tema si konstatim i gjendjes dhe shumë pikëpyetje
Siç edhe shkruhet në prezantimin e temës, edhe drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, ka theksuar se asnjëherë më parë nuk ka qenë më e vështirë të zgjidhet tema.
“Sikur edhe vitet e tjera kemi qenë të brengosur. Edhe kemi shkruar se asnjëherë nuk ka qenë më e vështirë të zgjidhet një temë. Nuk është bash temë, si vitet e kaluara. Më shumë është konstatim i një gjendjeje të parehatisë. Të asaj se çfarë po ndodh, pse po ndodh dhe pse s’po mundemi të reagojmë, sesi njerëzit janë të mpirë me gjithë ato gjëra të këqija që po ndodhin nëpër botë, luftërat”, është shprehur Nurkollari për KOHËN e cila ka vizituar ambientet e “DokuFestit” kur përgatitjet janë në kulminacion.
Festivali nga Kosova që e ka përjetuar luftën dhe e ka të freskët atë, u bën homazh vendeve në botë që po shtypen.
“Luftërat s’po ndalen, dhe ne jemi të brengosur, duke qenë Festival filmi dhe një vend ku shfaqen filma nga gjithë bota, edhe nga luftërat. Vetëm nga Ukraina do të jenë dy filma që lidhen direkt me luftën si dhe një film i ndërlidhur indirekt me luftën. Do të kemi filma nga Palestina. Luftëra ka gjithandej dhe duke qenë një shoqëri e dalë nga lufta ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj luftës dhe vuajtjeve”, është shprehur Nurkollari.
Edhe përgjatë edicioneve të kaluara të “DokuFestit”, lufta ka qenë një prej temave të filmave që janë shfaqur në programin e tij. Impakti i gjithë kësaj, të paktën, është një lloj edukimi e informimi i publikut gjersa sheh gjithçka nga një tjetër perspektivë ngjarjet që do t’i kapërcente lehtësisht duke shfletuar tjetër faqe në rrjete sociale a media.
“Është informativ. Me filma sjellim edhe informata. Njerëzit mund të shohin, të mësojnë diçka, të shohin gjëra që nuk shohin në televizion apo në rrjete sociale. Mendoj se ky është roli i festivaleve si ‘DokuFesti’ që me laramaninë e asaj që ofron, mund të edukojë. Natyrisht se ne nuk mund t’i ndalojmë luftërat, por kjo është ajo që mund ta bëjmë dhe atë e bëjmë”, ka thënë drejtori artistik i “DokuFest”.
Sivjet, nën temën “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”, filmat, diskutimet e muzika vijnë si thirrje e protestë. Mbi të gjitha kundër mungesës së ndjeshmërisë, harresës e shkëputjes nga realiteti.

Magjia e kinemasë dhe tingujt e revoltës
Në peizazhin piktoresk, energjinë e dinamikën e Prizrenit gjatë “DokuFestit” e shtojnë edhe kinematë e shpërndara nëpër qytet, hapësirat atraktive e ngjarjet e veçanta me kineastë e muzikantë nga e gjithë bota. Prizreni është kryeqyteti evropian i filmit për nëntë ditë.
Edicioni i sivjetmë, siç është tradita, e nis rrugëtimin me një film që reflekton në temën e Festivalit. I 24-ti hapet me filmin “The Helsinki Effect” nga regjisori finlandez, Arthur Franck. Është dokumentar që eksploron narrativat dhe mitet e Luftës së Ftohtë. Për të shpjegohet se dekonstrukton anatominë e një procesi diplomatik shpesh të keqkuptuar dhe zbulon se si arriti të ndikojë në mënyrë vendimtare në botë.
Jo si zakonisht që ngjante që ceremonitë e hapjes të mbaheshin në Bahçen e kinemasë “Lumbardhi” ku aktualisht po bëhen renovime, sivjet ky film do të shfaqet në “Kino Lumi”. Kinemaja e improvizuar, njëra prej më atraktiveve të festivalit, është adresa për dy ngjarjet solemne.
Producentja e “DokuFestit”, Alba Çakalli, ka thënë se kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e ndryshimeve buxhetore. Në qershor, “DokuFesti” ka reaguar se për të dytin vit me radhë buxheti i Komunës së Prizrenit për festivalin është ulur për 30 për qind.
“Për shkak të ndryshimit në infrastrukturën që e kemi sivjet dhe për shkak të ndryshimeve buxhetore, i kemi bërë disa ndryshime edhe në ceremoninë e hapjes dhe të mbylljes së Festivalit. Për shkak të rrethanave, jemi detyruar që këto ceremoni t’i zhvendosin në ‘Kino Lumi’. Është njëra prej kinemave ikonike të ‘DokuFestit’. Është si gjysmë publike dhe gjysmë private në aspektin e shfaqjes së filmave, ndërsa shfaqjet e tjera të filmave do të jenë në vendeve të ndryshme”, ka thënë ajo.
Sivjet janë 99 filma në garë, të shpërndarë në kategorinë kryesore, atë Kombëtare dhe në “Balkan Dox”, “International dox: features”, “International dox: Shorts”, Human rights dox”, “Green Dox”, “International shorts”, ndërsa “Truth Dox” sivjet është hequr nga programi, por organizatorët kanë bërë të ditur se do të rikthehet në edicionin e vitit të ardhshëm.
Kinemave të mirëfillta e atyre të improvizuara si “DokuKino” e plateja e saj, “Kino Lumi”, “Lunar” dhe të tjera, sivjet u është shtuar “Kino Oborri” e brenduar për të parën herë.
Çakalli, ka bërë të ditur se kjo hapësirë për shfaqjen e filmave është vendosur në Qendrën Historike të Qytetit. Ndërkohë, programi “DokuKids” që përfshin shfaqje filmash dhe punëtori, si zakonisht zë vend në Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit – ITP.

Në skenën atraktive “Sonar”, pranë Kalasë së qytetit do të shtrihet programi muzikor i “DokuFestit”, “DokuNights”, që nis më 2 gusht. “Shkodra Elektronike”, Yll Limani e Ibadet Ramadani me bend janë prej protagonistëve të muzikës në këtë shtyllë të Festivalit Ndërkombëtar të “DokuFest”.
Producentja e “DokuFestit”, Alba Çakalli Çakalli ka veçuar kuartetin e muzikës folklorike ukrainase “DakhaBrakha” që do ta argëtojë publikun e “DokuFest” më 4 gusht. Me këtë koncert theksohet revolta e Festivalit me temën e sivjetme “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”.
“Me 4 gusht e kemi një bend shumë interesant prej Ukrainës, që bëjnë muzikë folk me instrumente të ndryshme tradicionale, të cilët i kemi edhe mysafirë të festivalit sivjet”, është shprehur Çakalli.
Kapacitetet e qytetit të Prizrenit shpesh bëhen sfiduese për një festivalit si ai i përmasave të “DokuFest”.
“Ne i kemi diku 200 mysafirë që janë të ftuar prej festivalit. Ky numër ende nuk është i përfunduar, sepse ende jemi duke shtuar numër të mysafirëve të cilët duam t’i kemi në Prizren, të jenë dëshmitarë të realizimit të edicionit të 24-të të Festivalit. Jemi duke bashkëpunuar me disa hotele, por duke qenë se është sezoni dhe qyteti i festivaleve, kërkesat e festivalit janë pak ngushtë me atë që ofron qyteti”, ka thënë Alba Çakalli.
Vullnetarët janë zemra e pjesa integrale e festivalit, nisur prej faktit se vetë festivali ishte nismë vullnetare. Interesimi për t’iu bashkuar ekipit – i cili për harmoninë e energjinë pozitive gjatë angazhimit dëshmohet edhe nëpërmjet materialeve si mirënjohje e punës së tyre – është përherë në rritje. Por sivjet është dashur që të ulet dukshëm numri i vullnetarëve.
“Për shkak të situatës që e kemi pasur, numrin e vullnetarëve sivjet jemi detyruar ta ulim në 70 prej 130. Kërkesë ka shumë, por jo edhe mundësi për të akomoduar të gjithë. Gjithsesi do të ketë një numër të vullnetarëve që do të jenë në të gjitha hapësirat e Festivalit. Kemi diku 80 persona staf të cilët punojnë ngushtë me ekipin tonë të menaxhimit dhe ekipin që e kemi gjatë gjithë vitit”, ka thënë Çakalli.
Me një vizitë në zyrat e “DokuFestit” në prag të nisjes së edicionit, has në atmosferën sa dinamike e tensionuese, aq edhe atraktive e pozitive.
“Atmosfera në zyre është shumë e ngjeshur. Çdo mëngjes, kush vjen i pari e zë karrigen, përndryshe do të mbesë në këmbë dhe s’do të gjejë vende për të punuar. Jemi të shpërndarë në tri zyre. Së shpejti do ta kemi edhe një zyrë ku vjen edhe pjesa tjetër e ekipit. Të gjithë po punojnë intensivisht për ta nisur Festivalin më 1 gusht”, ka treguar Çakalli duke u qeshur.

Forumi i Filmit të Shkurtër – dritare për kineastët
Sivjet, festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” i bashkohet edhe Forumi i Filmit të Shkurtër, i cili për tri ditë e pasuron edicionin e sivjetmë si njëra prej ngjarjeve qendrore, krahas shfaqjes së filmave.
Është i vetmi i tillë në Ballkan dhe u dedikohet filmbërësve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ngjarja synon zhvillimin e kinematografisë dhe mbështetjen e kineastëve të rinj e atyre që kanë karrierë.
“E krijuam forumin e parë në Ballkan për filmat e shkurtër. Forumi ka për qëllim që të krijojë mundësi për filmat, kineastët që punojnë me filma të metrazhit të shkurtër, që të gjejnë mundësi alternative për financimin e filmave të tyre. Deri tash dihet që kryesisht filmat e shkurtër janë mbështetur nga qendrat e filmit, e Forumi ka për qëllim që ta diversifikojë mundësinë e mbështetjes për koproduksionet e filmave të shkurtër, por edhe t’i prezantojë filmat e papërfunduar para ekspertëve që do të marrin pjesë”, ka thënë Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab” në “DokuFest”.
Programi i Forumit përfshin një ditë të dedikuar për punëtori, një për zhvillimin e projekteve dhe për mundësinë e bashkëprodhimeve ndërsa tjetra është trajnimi për prezantimin e projekteve.
Bilibani është shprehur se Forumi i Filmit të Shkurtër ka qenë ëndërr e tyre për një kohë të gjatë, por se e ka penalizuar mungesa e financimit të qëndrueshëm.
“Forumi është një risi dhe një sfidë e re për ne, prandaj kemi filluar në mënyrë modeste, sepse është diçka e re. E kemi pasur ëndërr për 15 vjet ta nisim, por mungesa e një financimi të qëndrueshëm dhe e planifikimit afatgjatë, gjithmonë na ka kufizuar që të mos e organizojmë, sepse kemi partnerë seriozë dhe nuk mundemi ta bëjmë një vit, dy dhe në të tretin ta anulojmë për shkak të mungesës së fondeve”, ka thënë ai.
Të paktën, për dy vitet e ardhshme, e ka buxhetin të sigurt, ndërsa përkrahet nga partnerë seriozë si: Qendra për Film të Shkurtër e Italisë, Instituti Skocez i Dokumentarëve, Asociacioni i Dokumentaristëve të Evropës, Festivalin e Selanikut dhe “Square Ice” si partner për distribuim.
“Buxhetin e kemi të siguruar pak a shumë deri në vitin 2027 kur edhe shpresojmë që Kosova do të pranohet në mekanizmin evropian të financimit, ‘Creative Europe Media’, e cila zakonisht financon këso projektesh. Këtë vit fillojmë me tri shtete ndërsa vitin tjetër do ta hapim për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Greqi, Bullgari dhe Turqi. Do të zgjerohet në nëntë shtete dhe do të jetë adresa kryesore e kësaj pjese të Evropës, për filma të shkurtër”, ka thënë Bilibani derisa ka zbuluar projektet që janë pjesë e Forumit.
“Ne i inkurajojmë filmbërësit që të dalin nga zona komforte, të eksperimentojnë me tregimet e tyre, të jenë më të guximshëm. Sivjet kemi goxha projekte interesante. Janë Flaka Kokolli, Ana Morina, Durim Klaiqi i cili për mua është një prej filmbërësve më eksperimentalë që ka Kosova si dhe një grup i të rinjve që janë duke e bërë një film shumë interesant për një festival që ishte mbajtur në fillim të viteve ’80. Nga Maqedonia kemi dy tregime interesante të filmave dokumentarë, nga Shqipëria kemi dy filma fiksion”, ka thënë ai.
As sivjet nuk mungojnë filmat e gjeneratës së re të kineastëve që shfaqen në kuadër të programit “Future is Here”. Janë shtatë filma të punuar nga gjenerata e 13-të e nxënësve të shkollave të mesme. Udhëheqësi i “DokuLab”, Eroll Bilibani ka paralajmëruar filmat.
“Janë shtatë filma të jashtëzakonshëm, shumë të ndryshëm, që tregojnë brengat që gjeneratat e sotme të adoleshentëve i kanë dhe mënyrën sesi i kanë artikuluar ato. Shfaqja do të bëhet më 6 gusht në ‘Kino Lumi’, bashkë me ta do të shfaqim edhe një program të filmave nga shteti mysafir i Forumit sivjet, që është Skocia”, ka thënë ai.
Me “DokuFest”, rrëfimet e botës mblidhen në ekranet e festivalit, për nëntë ditë.