Pa shumë glamur, thjesht një koktej, “DokuFesti” të premten mbrëma ka shënuar hapjen e edicionit të 24-t. Në vend të fjalimeve, një video që flet më shumë se fjalët, që njeriut ia përplas për fytyre realitetin e botës, të luftës në Palestinë e gjetiu. I kërkon njeriut të këndellet. E shkëlqimi i ngjarjes është jehona e saj. Sivjet konstaton për “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”. Projektorin e ka ndezur duke kthyer prapa kohën “The Helsinki Effect”
Jo domosdo duhet të jetë spektakolare hapja e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër. Por e tillë ka ngjarë të jetë dhe kësisoj është vetë ngjarja. Jehonën në vend e në skenën ndërkombëtare veçse e ka dhe të premten mbrëma në ceremoninë e hapjes ku janë mbledhur qindra njerëz për t’i prerë shiritin edicionit të 24-t. Mesazhi: Si përherë, Festivali me bujë në botën e filmit sjell edhe koncerte, industrinë e filmit, panele diskutimi, program edukativ, por kinemaja është imazhi qendror dhe i përhershëm i “DokuFest”.
Ndryshe nga edicionet e kaluara ku me t’u përmendur ceremonia e hapjes a mbylljes, vetvetiu gjendeshe në Bahçen e kinemasë “Lumbardhi”, sivjet adresa e nisjes së eksplorimit të edicionit ka qenë kinemaja e improvizuar “Kino Lumi”. Kjo, ngase në “Lumbardh” po bëhen rinovime.
Atmosferë dinamike e hareshme ka qenë në hapje, e arena e ngjarjes ka qenë vendtakim për publikun e komunitetin artistik.
Zhveshja nga glamuri dhe realiteti që flet
Pa shumë glamur, thjesht një koktej e ka shënuar hapjen. Por shkëlqimi i ngjarjes është jehona e saj. Ka qenë skena e përgatitur si përherë për shfaqje filmash dhe aq. Organizatorët kanë qenë duke pritur e përshëndetur mysafirët gjatë gjithë kohës. Edhe sivjet kanë vendosur të mos flasin, por ka folur puna e përkushtimi i tyre ndaj Festivalit.
Në peizazhin piktoresk pas perëndimit të diellit, rrethuar nga trashëgimia kulturore e qytetit, introja e gjatë e Festivalit e ka ndërprerë dinamikën e bisedave pafund. Ka qenë tjetër kapitull dinamik. Ai që shënon nisjen e rrugëtimit nëntëditor të ngjarjes.
Tension i pafundmë, puls zemre, qetësi, por zhurmë, vetmi. Pyetje se a është dikush gjallë. Paqe e festë në njërin univers, uri, vajtim, luftë në tjetrin. Protesta e argëtim si shpalosje e kohës së lirë në këtë epokë. Kapitullim e fitore në të njëjtën kohë. Humbje jetësh pafund. Ngjarje reale të siguruara nga dokumentimi i njerëzve në Gaza në rrjete sociale. Imazhe që ngjajnë të pluhurosura nga ato të pushtetit. Një nënë që ushqen fëmijët nga një pjatë me pak ushqim dhe gjersa lugët me gjellë i shikon me lakmi, një tjetër gjersa sheh frymëmarrjet e fundit të tyre, janë fragmente të këtij materiali. Këndimi me vargjet “Kur do të mbarojë kjo dhimbje” është sekuenca e fundit e filmit të “DokuFest”, para se në ekran të shfaqet: “E shpallim ‘DokuFestin’ të hapur”.
Videon e hapjes e ka realizuar mjeshtërisht regjisori Leart Rama. Fill pasi nis të shfaqet krijohet një lloj ndjesie të realitetit të zymtë, ose boshllëku e pafuqia për ta ndryshuar atë. Është sikurse tema: “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”, e paralajmëruar nga organizatorët si konstatim më shumë sesa temë.
“Është, normalisht, për krejt gjërat që janë duke ndodhur në botë, sidomos me atë se çfarë po ndodh në Palestinë deri tash dhe në anën tjetër të botës. Derisa shumica e botës është duke kthyer sytë nga ana tjetër, e kemi parë shumë të nevojshme ta realizojmë këtë hapje, këtë temë, e sidomos hapjen në këtë formë që nuk e kemi bërë më përpara. Pamjet kanë qenë reflektimi ynë si staf, jo si njerëz dhe dhimbjen e madhe që e kemi për qeniet e njëjta që janë duke e kaluar në të njëjtin planet që jemi duke jetuar edhe ne”, ka thënë Rama. Videoja në vend të fjalimeve lë një ndjesi të gjatë. Dhe ka porosi.
“Ne mund të festojmë, në një mënyrë a tjetër, ndërsa mijëra njerëz janë duke vdekur në një shtet tjetër. Kjo është parë si diçka shumë urgjente që duhet realizohet. Ndihem shumë, shumë i nderuar që kam mundur të jem në kuadër të këtij filmi dhe kësaj hapjeje”, ka thënë ai.

“The Helsinki Effect” si një udhëtim paralel në kohë
Ceremonia e hapjes ka nisur me më shumë se gjysmë ore vonesë. E kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ardhur në ngjarje hiç më pak se 45 minuta pas kohës së paralajmëruar.
E ekrani i “DokuFest” për sivjet është ndezur me filmin dokumentar “The Helsinki Effect”, me skenar e regji të irlandezit Arthur Franck.
Lojë politike shahu e paqes botërore është kryefjala e këtij filmi që jo rastësisht përzgjidhen. Në ceremonitë e Festivalit kryesisht rrëfimet në filma janë të fuqishëm dhe kuptimplotë. Gjithashtu kanë lidhje me temën. Sivjet ky film është shpjegimi për temën e edicionit të 24-t – “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk”.
I ndarë në kapituj të veçantë, flet për efektet e konferencës, për të cilat as vetë pjesëmarrësit e nënshkruesit e marrëveshjeve të rëndësishme, nuk ua dinin efektet. Madje ngjarja për ta ishte edhe e mërzitshme. E regjisori krijon interaktivitet me publikun duke ndarë përvojat e tij e komentet rreth projektit të tij. Sesi projekti doli të jetë më i vështirë sesa e mendonte.
Filmi shpalos historinë e samitit të OSBE-së, të vitit 1975 që ndikoi në përfundimin e Luftës së Ftohtë. U mbajt në Finlandë. Midis personazhesh politikë botërorë si Ford, Brezhnev, Wilson, Honecker, Trudeau, Palme e Çaushesku, aty ishte edhe ish-udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Josip Bros Tito. Konferenca treditore dokumentohet në detaje.
Me këtë projekt, regjisori Arthur Franck zbulon se si Konferenca e Helsinkit pati ndikim të thellë në botë dhe se si ajo rezonon sot në botën e trazuar pas një gjysmëshekulli. Filmi u dha premierë në prill të këtij viti në Finlandë.
Udhëheqësi i “DokuLab” të “DokuFest”, Eroll Bilibani, ka thënë se shpreson që me këtë film publiku të reflektojë për ngjashmëritë dhe ndryshimet midis kohës së kësaj konference dhe tash, gjysmë shekulli diferencë kohore.
“Filmi i hapjes është shumë i veçantë dhe flet për themelimin e OSBE-së dhe një takim në Helsinki ku liderët botërorë për përçarjet midis Lindjes e Perëndimit bëhen bashkë në një organizatë sigurie dhe bashkëpunimi. Po shpresoj që njerëzit të rezonojnë në atë se çka ka ndryshuar përgjatë këtyre viteve dhe çfarë nuk ka ndryshuar. Shpresoj që pas kësaj nate të hapjes të gjithë të iluminohemi nga pak dhe të mendojmë për një të ardhme me të ndritshme”, është shprehur ai për KOHËN.
Ka përmendur ndërlidhjen me temën derisa ka thënë se ajo është më shumë diagnozë e gjendjes në botë e në rajon.
“Këtë vit nuk do të thoshim një temë, por më shumë një diagnozë se çfarë është duke ndodhur në botë dhe këtu në rajon. E sjellim përmes filmave, por edhe përmes videos që e kemi bërë për hapjen. E përçon një mesazh që bota në një situatë jo të mirë. Përmes filmave dhe ngjarjeve që i kemi në festival duam ta përcjellim një mesazh, të dialogut e diskutimit, sado që i vështirë të jetë ai”, ka thënë Bilibani.
Në të njëjtën kohë, paralelisht me “The Helsinki Effect” janë shfaqur edhe filma të tjerë në kuadër të Festivalit. Është shfaqur filmi “The Encampments” në “Kino Oborri”, dhe “Facing War” nga programi “View from the World” në platenë e “DokuKinos”.

Vitin e kaluar në hapje, në kinemanë “Lumbardhi” ekrani qe ndezur për filmin “Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb” të regjisorit ikonik, Stanley Kubrick të vitit 1964. Nën temën “New Order” ishin 103 filma në garë dhe midis tjerash, kishin në fokus Ukrainën e Palestinën të kapluara nga flakët e luftës.
Sivjet janë gjithsej 99 filma në shtatë kategori garuese të përzgjedhur prej gati tre mijë e 500 aplikimesh nga e gjithë bota.
Në kategorinë e filmave vendorë, e cila prej edicionit të kaluar e përcakton fituesin e Festivalit, përfshin filmat “Pesë stinët e fëmijërisë sime” të Besim Ugzmajlit, filmin “Ndera” të Endrit Qarollit, “Ben’s Birthday” të Robert Deçanit, filmin “Në parajsën socialiste (Nuk bie shi)” të Ermela Telit e “The Rabbit is Dead” të Hanis Bagashov.
Në garë për çmimin kryesor sivjet janë edhe filmat: “I had white cotton in my yard, I fed it, I watered it” nga Endi Tupja dhe Klodiana Millona, “Hyjnesha në fron” nga Durim Klaiqi, “Mos parko” nga Zana Radogoshi, “Fluturat” nga Astrit Ismaili, “SOS” nga Anita Morina, “Mua besoj më shpëtoj portreti” nga Alban Muja, “Fatbardha” nga Kitty Kentezi dhe “Mama Klorin” nga Doreida Xhogu.
Juria në këtë kategori është e përbërë nga artisti Baris Karamuco, programeri spanjoll i filmave Jose Carbera Betancort dhe kineastja iraniano-holandeze, Sara Rajaei.
Filmat e tjerë janë të shpërndarë në kategoritë “Balkan Dox”, “International dox: features”, “International dox: Shorts”, Human rights dox”, “Green Dox” dhe “International shorts”. Si përherë, janë edhe programet e filmave jashtë gare “Vieë from the World”, “Spotlight”, ai i retrospektivës, “DokuNights”, “DokuKids”, panele, ligjërata e masterklasë – që tashmë janë tradicionalisht pjesë e festivalit.
Prej ngjarjeve unike sivjet është Forumi i Filmit të Shkurtër, i vetmi i tillë në Ballkan dhe u dedikohet filmbërësve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Tema e sivjetme nën të cilën gjithçka merr emër – “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk” – nuk është tamam temë a koncept. Vjen si revoltë e protestë, për luftërat dhe gjithçka po ndodh me botën.
“DokuFest” proteston me filma dhe jo vetëm, për shkëputjen e mendjes së njeriut nga realiteti.