“How to survive...?” ka qëndruar si pyetje në krye të njoftimit për programin e plotë të filmave të kategorive garuese për edicionin e 21-të të “DokuFestit”. Nuk zbardhet nëse bëhet fjalë për moton e sivjetme. Por realiteti duket ta ketë determinuar një dilemë të tillë. “Janë plot me filma që do të na bindin se filmi është e vetmja formë e artit që na ngjall dëshirën për të ndryshuar botën, duke prekur spektrin e plotë të emocioneve tona”, është paralajmërimi i organizatorëve në ditën kur kanë shpallur listën e 109 filmave në tetë programe garuese
Dëshira njerëzore për mbijetesë, pavarësisht krizave që mbizotërojnë në botë, përmes këndvështrimeve të ndryshme pritet të shpalosen në programin e filmave të edicionit të 21-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, që tradicionalisht mbahet në Prizren.
Organizatorët e festivalit, të premten, kanë shpallur listën prej 109 filmave në tetë programet garuese, që do të shfaqen në kinematë unike të qytetit të vjetër. Me këtë rast kanë bërë të ditur se programet garuese të këtij edicioni “janë plot me filma që do të na bindin se filmi është e vetmja formë e artit që na ngjall dëshirën për të ndryshuar botën, duke prekur spektrin e plotë të emocioneve tona”.
Zëdhënësja e “DokuFestit”, Fatjona Kabashi, ka bërë të ditur se filmat garues të këtij edicioni mes tjerash eksplorojnë mbi të gjitha dëshirën njerëzore për mbijetesë.
“Këta filma shfaqin aspekte të ndryshme të asaj se çfarë mund të thotë krizë për njerëz të ndryshëm. Sado që situata e tyre ndryshon, ata të gjithë eksplorojnë të njëjtin spektër emocionesh dhe mbi të gjitha dëshirën njerëzore për të mbijetuar”, ka thënë Kabashi për KOHËN.
Njëherësh ka pohuar se historitë e të tjerëve me gjasë do të lehtësojnë përballjen me realitetin ekzistues.
Edhe
“DokuFesti” gati për edicionin e 21-të me pyetjet për mbijetesën
“Përmes storieve apo ballafaqimeve të të tjerëve, këta filma na bëjnë të eksplorojmë dhe interpretojmë atë që ne vetë po e kalojmë, gjë që nëse asgjë tjetër do të na ndihmojë të përballemi me atë që po kalojmë dhe kjo gjithmonë i lehtëson gjërat”, ka deklaruar Kabashi.
Përzgjedhja e sivjetme e krizave, sipas saj, është ndikuar në mënyrë të pandarë nga dy vjetët e shkuar të pandemisë, fillimi i luftës në Ukrainë, të shoqëruara me krizën e çmimeve, si dhe ngjarjet e tjera në botë.
“Ne gjithmonë përpiqemi të prekim situatën aktuale kur vendosim për një temë, kështu që kur u mblodhëm për të diskutuar atë që ka ndodhur së fundmi, duke marrë parasysh pikërisht këto çështje, nuk mund të shmangim që këto na kanë rrënjosur të gjithëve një realitet të bazuar në mbijetesë, e që ajo çdoherë e më shumë është duke u kërcënuar”, është shprehur Kabashi.
Ndërkaq drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, është i bindur që filmat e përzgjedhur do ta mahnitin audiencën. Gjithashtu është shprehur i kënaqur që festivali po i kthehet ritmit të mëparshëm, duke sjellë filma cilësorë për dashamirët e këtij arti.
“DokuFesti” ka kënaqësinë t’i rikthehet ritmit të mëparshëm, me një program eklektik të filmave, që me shumë bindje them se do ta mahnitë, prekë e madje edhe ta tronditë audiencën. Të jemi në gjendje të prezantojmë vepra të cilësisë më të lartë, vit pas viti, për audiencën tonë gjithnjë në rritje, është qëllimi ynë më i madh dhe ne jemi veçanërisht të emocionuar për këtë”, ka thënë Nurkollari.
Programuesi i filmave të shkurtër në “DokuFest”, Samir Karahoda, është shprehur i emocionuar me temat që sivjet trajtohen në filmat e shkurtër.
“Ndihemi jashtëzakonisht të lumtur për atë që kemi përgatitur dhe atë që do të ndajmë me publikun tonë dhe dashamirët e formatit të filmave të shkurtër. Prezantimi i një larmie veprash të veçanta dhe të freskëta që trajtojnë temën e sivjetme të festivalit dhe të historive të paparë deri më tani është ajo që më emocionon më së shumti”, ka deklaruar Karahoda.
Edhe
“DokuFesti” në botën e trazuar, pyet për mbijetesën
Gjatë ditës “DokuFesti” ka njoftuar se në ditët në vijim do të vazhdojë me publikimin e programit, duke përfshirë përzgjedhjen e filmave për programin e njohur View From the World, një mori programesh tjera të kuruara posaçërisht për këtë edicion, si dhe të performancave muzikore.
Edicioni i 21-të i “DokuFestit” mbahet nga 5 deri më 13 gusht në Prizren.