Muret e transformuara me re janë në kontrast edhe me hapësirën ku zë vend “2D Plants/Flat Opsions” – kati i nëntë i “Grandit”, me mure betoni, punime të papërfunduara. Por lojë kontrastesh është edhe esenca e kësaj vepre të Laureta Hajrullahut, në kuadër të bienales nomade evropiane “Manifesta 14”. Artistja shkrin botën fizike e virtuale, e siç e përshkruan edhe vetë artistja, e fut shikuesin midis “ëndrrës e makthit në të njëjtën kohë”
Në katin e nëntë të hotelit “Grand” njëra dhomë bie shpejt në sy. Ndërhyrja artistike e Laureta Hajrullahut ka sjellë butësinë në muret e saj e nëpërmjet tre ekraneve e shëtit mendjen e vizitorëve në pjesë të ndryshme gjeografike. “2D Plants/Flat Opsions” shpërfaq kufijtë imagjinarë të fizikes dhe virtuales.
Që në hyrje hapet horizonti artistik dhe në hapësirën prej mureve të zhveshura, në sy bie porta pa derë e mbuluar me re. Aty është instalacioni kuadër të bienales nomade “Manifesta 14”. Pamja monotone e mureve përreth, ndërtime të lëna përgjysmë janë kontrasti i atyre që i ka transformuar Hajrullahu. Në dhomën e saj ndjesia e përjetimit të qiellit është pushtuese. Katër ulëse të buta ofrojnë rehatinë e botës, e gjithë pamja që ofrohet janë retë, përveç tre ekraneve të renditur vertikalisht. Ato përbëjnë një videoinstalacion më vete me pamjet që njerëzit zgjedhin t’i shfletojnë nga telefoni i tyre.
Ngjarjet që priteshin të ndodhnin e që kishin ndodhur jepen në njërin ekran, kryesisht ato për organizimet e protestave. Një tjetër tërë kohën shfaq mesazhe që pranohen në formë të zemrave që sikur përcjellin dashurinë e ngrohtësinë te vizitorët. Pamjet e tjera vizualizojnë hartën ku ndiqen brigjet, atë vijë ku deti takohet me tokën. Qëndrimi aty vjen si shëtitje e largët. Herë-herë sjell shoqërinë e yjeve.
Çdo cep i hapësirës, përveç dyshemesë, tavanit dhe në atë pjesë ku janë nëntë dritare, nuk janë mbuluar me pambukun e bardhë, të pastër, të butë e të pushtë. Siç shkruan “Manifesta 14” në tekstin përshkrues të veprës, artistja bën thirrje për t’u ulur e për t’u qetësuar brenda hapësirës, por edhe për të protestuar, pëlqyer, ëndërruar, bredhur e për të luajtur. Thërret për të ndier derisa vizitori endet nëpër rrjetin gjithëbotëror. Koncepton edhe të padukshmen derisa shfaqen në lojë pajisjet elektronike.
Artistja Laureta Hajrullahu ka thënë se vepra e saj është ndikuar shumë nga koha sa vendi ka qenë i mbyllur për shkak të pandemisë. Praktika e saj dhe interesi për të krijuar bazohen pikërisht mbi izolimin, digjitalen, intimitetin, internetin dhe strukturat shoqërore në të.
Edhe
Dhoma e reve artistike të Laureta Hajrullahut
“Instalacioni ‘2D PLANTS / FLAT OPTIONS’ përbëhet nga tri video dhe prej dhomës në formë kutie, muret e së cilës janë me pambuk sintetik që e bëjnë eksperiencën e shikuesit të ndjehet sikur është në ëndërr dhe në makth në të njëjtën kohë”, ka thënë Hajrullahu. Ajo e cilëson të vështirë botën digjitale të jetë praktike në art, ngase, sipas saj, me gjithë benefitet e saj, ekziston edhe ana e errët e saj.
“Duhet me pa si mjet tejet të rëndësishëm të kohës në të cilën po jetojmë. Besoj se është shumë direkte dhe e kuptueshme që shumica e kritikave te gjendjes sociale politike janë duke u bërë përmes rrjetit Facebook”, është shprehur artistja Laureta Hajrullahu.
Përmbajtja e videove është një kolazh i përditshmërisë së shoqërisë në rrjete sociale, që nga bisedat me të dashurit e deri në videolojërat e dhe aktivitetet e tjera që gjenden në botën digjitale, ku si ilustrim ka qenë “Google Earth”. “Videot pjesërisht janë krijime të mia dhe pjesa tjetër janë klipe ‘ready made’, të gjetura në internet. Videoloja, që shfaqet në pamjet e veprës, quhet ‘2:22 am’ dhe unë e kam incizuar ekranin e kompjuterit tim duke e luajtur atë”, ka treguar artistja, derisa është shprehur se është ironike sesi ndryshon jeta fizike nga ajo virtuale.
“Çka e bën të veçantë këtë lojë dhe pse kam vendosur ta përdor aktivitetin tim të lojës në punim është se në këtë videolojë nuk është që ka ndonjë qëllim që duhet ta kompletosh, veç duhesh të vazhdosh të bësh çfarë të duash”, ka thënë më tej ajo.
Ndërhyrja artistike “2D Plants/Flat Options” është hapësira intime e artistes dhe pjesë e një vëllimi më të madh të punës së saj.
Edhe
Arratisja në botë tjetër me “të zhbësh, të shpërbëhesh, të zhdukesh”
“Duke përdorur mediat digjitale Hajrullahu eksploron psikogjeografinë e izolimit të lidhur dhe të lidhjes së izoluar e atë synon ta përçojë te njerëzit aty brenda”, shkruhet në përshkrimin e veprës.
”2D Plants/Flat Options” përbën tërësinë e instalacioneve “And Still the Story Isn’t Over: On Speculation”, ku janë të shfaqura ndërhyrjet artistike, veprat e prezantimet e Klubit Astronomik të Kosovës, Nusret Salihamixhqit, Lek Gjeloshit, hungarezit Katalin Ladik, artistit holandez Mette Sterre, si dhe ndërhyrja artistike e gjermanit Daniel Gustav Cramer në bashkëpunim me Haris Epaminonda nga Qiproja, bashkë me krejt veprate tjera të “Manifesta 14”, që zgjat deri në fund të tetorit.