Kulturë

Gjashtë artistë në një dhomë kërkojnë formulën e shtëpisë utopike

Mbi të gjitha, ekspozita sfidon konceptin tradicional të shtëpisë, ka zbërthime hipotezash shkencore, futet në lojë edhe Dysoni dhe burimi i përhershëm i energjisë. “Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’? Rikrijimi i mureve dhe gardheve që formojnë shtëpinë tonë” kuruar prej Donjetë Muratit, bashkon në një dhomë artin e gjashtë artistëve. Prej aty nisi pafundësia e interpretimeve dhe kërkim i vazhdueshëm i shtëpisë. Është utopike, por gjetja e formulës shtjellohet si imperativ

“Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’? Rikrijimi i mureve dhe gardheve që formojnë shtëpinë tonë”, brenda një dhome fut veprat e artistëve Jakup Ferri, Laureta Hajrullahu, Majlinda Hoxha, Rina Krasniqi, Atdhe Mulla dhe Brilant Pireva. Artistët shtjellojnë temën e shtëpisë duke vënë në pikëpyetje atë se çka nënkupton ky term dhe jo vetëm.

Në anën e djathtë të “HUB & Studio 2.0” gjendet një kolltuk i vjetër, ngjyrë të gjelbër. Për të ofruar një ambient sa më shtëpiak edhe për publikun, kuratorja e ekspozitës, Donjetë Murati, e ka marrë këtë kolltuk nga Teatri Kombëtar i Kosovës tek e ka bërë pjesë të ekspozitës. Në pjesën e sipërme, vendosur në mur gjendet vepra “Dive pool” e fotografes Majlinda Hoxha. Në të mund të shihet një pishinë e cila, si një pasqyrë reflekton gjithë gjelbërimin e lisave dhe natyrës përreth. Megjithatë ajo që bie në sy është një shenjë ku shkruhet “Bombing allowed” (Lejohet bombardimi). Fotografia është vepër e vitit 2008 dhe ishte shkrepur në Zelandën e Re, atje ku Hoxha ishte strehuar pasi kishte ikur nga lufta në Kosovë. Nëpërmjet kësaj, Hoxha luan me dykuptimësitë që një “leje” e tillë merr në dy vendet: Kosovë dhe Zelandë të Re.

Përballë saj, në skajin tjetër të dhomës, mund të shihen tre kolltukë ngjyrë të kaltër të mbylltë. Mund t’u duken të njohur atyre që kanë vizituar ekspozitat e hapura në “Hotel Grand” gjatë “Manifesta 14”, në korrikun e vjetmë. E po nga ky institucion i kishte huazuar edhe kuratorja Murati. Por, për të ofruar një ambient edhe më shtëpiak, poshtë saj kuratorja i ka bërë vend veprës së Jakup Ferrit, “Tintiriniti”, një tapet punëdore. Vepra në fjalë ka qenë pjesë e ekspozitës “The monumentality of the Everyday” (Monumentaliteti i së përditshmes), e cila përfaqësoi Kosovën në Bienalen ndërkombëtare të Artit në Venecia më 2022.

E në murin krejt afër kolltukëve dhe “Tintirinitit” gjendet vepra “30 bimë të pafajshme të ndodhura në mes të marrëdhënies së trazuar mes meje dhe kapitalizmit” e artistes Rina Krasniqi. E punuar në formë të një tapeti përfshin 30 lloje bimësh të cilat i ngjajnë një vizatimi në mure. Janë kopjuar me dhjetëra herë sa të zënë një faqe muri. Në kuadër të kësaj ekspozite, Krasniqi prezantohet dhe me “The Bush” e punuar si vizatim. Vëmendje i kushtohej një shkurreje e cila kishte mbirë krejt afër banesës ku ajo jetonte. Kap një histori më vete për artisten. Dikur ajo kishte qenë e preferuara e babait të saj tashmë të ndjerë, e tani për të ruajtur kujtimin për të, për bimën kujdeset e tërë shtëpia.

Në mes të hapësirës ekspozuese, në tokë gjendet vepra e Laureta Hajrullahut, “Lulet e monoksidi, zanat e skaduara”, e cila përbëhet nga dy pjesë. Janë skulptura tekstili që bien në sy nga ngjyra vjollcë e ndezur. Teksa njëra prej tyre është e lidhur me zinxhirë, mbi tjetrën shihet një “Mp4 player”. Nëpërmjet veprës imagjinon një dimension alternativ teksa shqyrton marrëdhënien me speciet e tjera.

Jo shumë larg saj gjenden veprat “Splinter Series” dhe “Bridge and Cage” të Brilant Pirevës. E para përfshin disa struktura të punuara me dru qershie, në pjesën e sipërmes të të cilave shihen disa vizatime digjitale të zhvilluara në film analog. Vepra “Ura dhe kafazi” në të vërtetë është një tregim i shkurtër të cilin mund ta marrë gjithsecili vizitor dhe të mendojë për konceptet dhe atë çfarë artisti ka shkruar në të. Në një faqe të vogël libri artisti shqyrton “lidhjen e pandalshme midis fatit të njerëzimit dhe ekologjisë së tij, shtëpisë së tij”.

Image
“30 bimë të pafajshme të ndodhura në mes të marrëdhënies së trazuar mes meje dhe kapitalizmit” e artistes Rina Krasniqi dhe “Shtëpia e Nexhit nga Gjermania” e Atdhe Mullës

Vepra e fundit e ekspozitës është ajo e Atdhe Mullës, “Shtëpia e Nexhit nga Gjermania”. Dritaret e mëdha të saj bëjnë që ai që shikon nga shtëpia të shohë gjithçka që bëjnë njerëzit e asaj shtëpie. Në katin e parë, në atë që me shumë gjasë është salloni i shtëpisë, shihen disa njerëz duke biseduar. Në katin e dytë në dhomën majtas është një nënë me fëmijën e saj në krah, ndërsa në dhomën përkrah, një vajzë me telefon në dorë. Fotografia tenton të shpërfaqë ndjenjën dhe një lloj dëshire të mërgimtarëve për t’u kthyer në vendlindje. Mbledhja e farefisit është një mënyrë tjetër e asaj se çfarë është shtëpia.

Por, përveç pjesës “Rikrijimi i mureve dhe gardheve që formojnë shtëpinë tonë”, ekspozita mban në titull edhe pyetjen: “Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’?” E tërë kjo ka origjinë në një hipotezë të fizikanit britaniko-amerikan, Freeman Dyson.

“Ideja se si ka rrjedhë është për shkak të faktit që me mendu përreth pabarazive aktuale që i kemi, por duke e menduar një sferë hipotetike. Sfera ‘Dyson’ është një hipotezë e krijuar prej Freeman Dyson në vitet ’60 dhe ideja është që kur të krijohet ajo do ta përpunonte gjithë energjinë e diellit në sistemin tonë diellor. Më pas do ta krijonte mundësinë që njerëzit kudo në tokë ta kenë energjinë të pakufishme”, ka shpjeguar kuratorja e ekspozitës, Donjetë Murati.

Ka thënë se gjatë realizimit të ekspozitës të kenë lindur edhe shumë pikëpyetje rreth asaj se pse njerëzimi nuk ka arritur të krijojë një gjë të tillë.

“Duke e marrë parasysh këtë mendim ose këtë hipotezë ne kemi menduar se çfarë i ndalon njerëzit për ta ndërtuar këtë sferë. A është edukimi ndoshta, a janë pabarazitë ekonomike, a është eksploatimi i shumtë që ndodh kudo në botë ose mënyra hierarkike si strukturohet shoqëria. Ka shumë arsye se si pabarazitë kolektive na pamundësojnë ndërtimin e një këso strukture utopike”, ka thënë ajo.

Ideja e ekspozitës, sipas saj, lidhet edhe me atë se si kjo sferë hipotetike do të mund të sillte një rikrijim raportesh midis njerëzve dhe mënyrës se si funksionojnë ekonomia apo pabarazitë sociale. Por, pavarësisht kësaj, ekspozita ka marrë formën e një shtëpie.

“Në ekspozitë nuk mundemi me pa asnjë formë të sferës ‘Dyson’ për shkak se mandej ekspozitën e kemi ndërtuar si një ambient shtëpiak por që është e krijuar përtej familjes nukleare për të menduar njerëzit e ndryshëm dhe për të ardhur së bashku për të menduar në mënyrë kritike për problemet që na rrethojnë”, ka thënë ajo.

E tema për shtëpinë në fakt ka qenë vazhdimësi e “Karnavalit 2.0”, një festival vjetor që “Kosovo 2.0” e organizon qysh nga viti 2020, e gjatë së cilit zhvillohen aktivitete të shumta përfshirë: ekspozita, mbrëmje muzikore, performanca e të tjera.

“Pra ‘Karnavali Kosovo 2.0’ është një lloj festivali vjetor që prej vitit 2020 mbahet në kuadër të programit vjetor dhe programit publik të ‘Kosovo 2.0’. Përgjatë karnavalit zakonisht shtjellohet një temë që mendojmë që është relevante dhe e rëndësishme për shoqërinë që të shtjellohet pak më thellë. Këtë edicion kemi vendosur ta shtjellojmë shtëpinë. Arsyeja se pse kemi vendosur ta shtjellojmë këtë temë është që ka lindur edhe si bashkëbisedim mes nesh brenda ‘Kosovo 2.0’ por edhe duke e marrë parasysh edhe atë se çfarë është duke ndodhur nga pandemia e tutje”, ka bërë të ditur Erletë Morina, menaxhere e projekteve në ‘Kosovo 2.0’”.

Ka shpjeguar se ekspozita ishte krijuar në fakt duke shtruar pikëpyetje të mëdha sa i përket nocionit “shtëpi” dhe kuptimeve e trajtave të ndryshme që merr ky term në raport me njerëz të ndryshëm.

“Ia kemi nisë ta vendosim në pikëpyetje konceptin e shtëpisë se a janë vetëm ato katër mure me të cilat ne jemi mësuar ta paramendojmë dhe me pa nëse një shtëpi është edhe diçka tjetër. A mundet një person me ta dhënë ndjenjën e shtëpisë, a mundet një hapësirë tjetër që nuk është doemos shtëpia ku ti je rritë. Çka do të thotë shtëpia për komunitetin e diasporës e kështu me radhë”, ka thënë ajo.

Ekspozita pritet të mbyllet të shtunën e 23 korrikut kur do të organizohet edhe një punëtori. Kuratorja Murati do të jetë ajo që do të flasë më shumë rreth mënyrës së realizimit të ekspozitës dhe ndërlidhjen që ajo ka me fushën e astrofizikës.

“Ekspozita është e krijuar duke marrë një koncept që vjen prej fushës së astrofizikës dhe ka shumë video të ndryshme në YouTube, shumë shkrimtarë që kanë tekste spekulative, por edhe kreatorë në Tik Tok që merren me këtë çështje të cilat do t’i ndajmë gjatë punëtorisë për me pa edhe prapavijën e saktë për sferën ‘Dyson’, por edhe atë se si janë duke ndikuar zbulimet e ndryshme. Edhe pse ne këtu jemi duke e hulumtuar gjendjen tonë ose kushtet tona materiale përmes kësaj hipoteze dhe këtij eksperimenti të të menduarit”, ka thënë Murati.