Amir Shaipi është portieri i dytë i Kosovës, ndërsa nga fillimi i shtatorit ishte portieri i dytë edhe te skuadra zvicerane, Lugano.
25-vjeçari për kohë të gjatë ishte portier i Luganos, por pati rënie në formë dhe humbi vendin në portë. Zvicerani me përvojë, David von Ballmoos, i huazuar nga Young Boysi e ruajti ndeshjen e Luganos në shtatë ndeshje rresht. Por 30-vjeçari u lëndua mesjavën e kaluar në ndeshjen ndaj Luzernit, dhe kështu rasti të dielën në ndeshjen e Luganos ndaj St. Gallenit i erdhi Shaipit.
Kjo ndeshje u ndërpre për shkak të shiut, kurse për kosovarin ishte me shumë rëndësi që u kthye mes shtyllave.
“Blick” ka shkruar të hënën se paraqitja e Shaipit ishte bindëse. Ai nuk është dashur të bëjë shumë ndërhyrje, por lojën me këmbë e kishte në nivel. Madje ka bërë vazhdimisht pasime të gjata.
“Kur e kemi Shaipin në portë, ne duam të përfitojmë prej anëve të forta të tij”, ka thënë trajneri i Luganos, Mattia Croci-Torti.
Edhe Shaipi është i lumtur që është kthyer në fushë. Ai pritet të aktivizohet në disa ndeshje. Von Ballmoos do të mungojë disa javë.
“Ndoshta do t’i fitoj disa shanse tani. Nuk e dimë saktë se sa gjatë do të mungojë von Ballmos”, ka thënë Shaipi.
Ai nuk e kupton fjalën “dorëzim”.
“Dua që sërish të jem numri një. Por në fund trajneri vendos se kush është në portë”.
Rastin këtë muaj pritet ta fitojë edhe te Kosova. Portieri i parë, Aro Muriq, është i suspenduar për ndeshjen e 15 nëntorit me Slloveninë në Lubjanë. Dhe gjasat janë të mëdha që Shaipi të zëvendësojë atë.
“Jam bërë më i fortë në kuptimin e disiplinës. Po e shtyj veten fort në stërvitje. Jam gjahtari tani. Më parë isha gjahu”, ka theksuar Shaipi.
Ai ka pranuar se ka pasur disa javë të vështira. Ka thënë se nuk është e lehtë kur duhet të kthehesh në bankë pas katër vjetësh.
Pasi e humbi vendin, ai nuk udhëtoi për ndeshjen e parë të skuadrës. Por nuk dëshiron të flasë për atë. Tani preferon të flasë në frymë pozitive për garën me von Ballmoos.
“Ai solli stabilitet në ekip me përvojën që ka. Niveli në stërvitje është shumë i lartë. Me gjasë nuk ka ekip në Superligë që mund të llogarisë në dy portierë si ekipi ynë. Ne të dy kemi fituar trofe. Ai me Young Boysin, unë me Luganon”, ka thënë Shaipi.
Për Shaipin foli edhe portieri i Luganosë, Croci-Torti.
“Ajo që më pëlqeu më së shumti ishte qasja e tij dhe gjuha e trupit. Ishte pikërisht ajo që na duhej dhe ajo që i mungonte”.