Futboll

Ish-portieri i Zvicrës i del në mbrojtje Shaipit

Amir Shaipi

Ish-portieri i Zvicrës, Pascal Zuberbuhler, ka thënë se portieri i Kosovës, Amir Shaipi, nuk është problemi te Lugano. Ai ka thënë se Shaipi ka qenë stabil në portën e Luganos që nga viti 2021.

Shaipi së fundi e humbi vendin e startuesit tek ekipi zviceran.

“Shaipi ka qenë me klubin që nga viti 2021, ka treguar paraqitje të mira dhe ka arritur të jetë pjesë e ekipit të Kosovës. Sipas mendimit tim, ai nuk është problemi te Lugano. Lugano mund të kishte fituar para me Shapin, ai ka ende kontratë me klubin. Tani jam kurioz të shoh se kush dëshiron ta blejë atë dhe të paguajë në janar për një portier që nuk luan”, ka thënë Zuberbuhler për “nau.ch”.

Shaipi nuk ishte sa pjesë e skuadrës në humbjen 1:0 nga St. Galleni, të shtunën. 

“Është një situatë e vështirë për Amir Shaipin, por nuk është kurrë e lehtë për një portier. Je gjithmonë nën presion dhe gjërat lëvizin shpejt. Gianluigi Donnarumma është shembulli më i mirë. Ai fiton gjithçka me PSG-në dhe pastaj largohet. Është e rëndësishme që Amiri të bëhet pjesë e një ekipi për të cilin mund të luajë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në moshën 25-vjeçare, ai është në kulm”, ka theksuar ish-portieri i Fulhamit. Zuberbulher karrierë ka bërë edhe te Baseli dhe Leverkuseni. Për Zvicrën, nga viti 1994 deri në vitin 2008 ka luajtur 51 ndeshje.

Drejtori sportiv i Luganos, Sebastian Pelzer, ka thënë se Shaipi ka pranuar stolin dhe do të mbetet në skuadër. Ai nuk ka dhënë detaje rreth ndonjë mase disiplinore.

Të shtunën ndaj St. Gallenit në portë ishte portieri me përvojë, David von Ballmoos.

“Komunikimi me Shaipin dhe brenda nesh ka qenë shumë i qartë. Dhe tani presim që lojtari të sillet profesionalisht. Me fjalë të tjera, i takon atij të tregojë se e ka pranuar konkurrencën e re ndërmjet portierëve dhe është i gatshëm të reagojë”, ka thënë Pelzer në konferencë për media.

Shaipi është portier i dytë te Kosova.