Krejt arritjet e “Chopin Piano Fest” bashkë me prezantimin e artit në Kosovë prezantohen edhe në federatën ndërkombëtare të shoqatave “Chopin”, ku festivali nga Prishtina është i anëtarësuar. Në Asamblenë e Përgjithshme të saj, dy pianistet udhëheqëse të tij, Lejla Pula dhe Besa Luzha kanë ndarë përvoja e kanë promovuar trashëgiminë muzikore të vendit. Institucioni prestigjioz muzikor, që peshën e tij e dëshmon anëtarësia në Këshillin Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO, ka qenë adresa e prezantimit për katër edicionet e suksesshme të festivalit kosovar
“Chopin Piano Fest” në Prishtinë tashmë me 15 edicione është pikëtakim i profesionistëve të muzikës e publikut. Emrat që sjell deri te promovimi i skenës vendore bashkë me punëtoritë e masterklasat me studentë kanë bërë që festivali të ketë trashëgimi domethënë në kulturën e vendit. Krejt arritjet bashkë me prezantimin e artit në Kosovë prezantohen edhe në federatën ndërkombëtare të shoqatave “Chopin”, ku festivali nga Prishtina është i anëtarësuar. Në Asamblenë e Përgjithshme të saj, dy pianistet udhëheqëse të tij, Lejla Pula dhe Besa Luzha kanë ndarë përvoja e kanë promovuar trashëgiminë muzikore të vendit.
Institucioni prestigjioz muzikor, që peshën e tij e dëshmon anëtarësia në Këshillin Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO, ka qenë adresa e prezantimit për katër edicionet e suksesshme të festivalit kosovar.
Prapë dominojnë arritjet e festivalit ndërkombëtar të pianos, i cili njihet nga organizata prestigjioze ndërkombëtare.
Pikërisht në vendlindjen e kompozitorit botëror, Friederich Chopin, në Żelazowa Wola, 46 kilometra në perëndim të kryeqytetit polak, Varshavë, u mbajt Asambleja e Përgjithshme e federatës ndërkombëtare të shoqatave “Chopin”.
Drejtoresha menaxhuese e festivalit “Chopin Piano Fest” në Prishtinë, Besa Luzha, ka thënë se vetë pjesëmarrja në këtë ngjarje është e rëndësishme, pastaj edhe promovimi i skenës muzikore të vendit dhe të festivalit.
“Fillimisht është shumë e rëndësishme që ne vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj federate, e cila është pjesë e UNESCO-s dhe që i bashkon 31 shoqata aktive të ‘Chopin’ nëpër krejt botën. E dyta, rëndësia është që ne përmes festivalit tonë kemi dëshmuar që edhe si vend i vogël jemi në një mënyrë një lojtar i fortë në këtë federatë, sepse raportet prej koncerteve, edicioneve, e kanë ngritur nivelin e respektit ndaj shoqatës sonë, mbase fillimisht e panjohur”, ka thënë Luzha në një bisedë telefonike me KOHËN nga Polonia.
Gjithashtu ajo e ka vlerësuar të rëndësishme pjesëmarrjen atje edhe për shkak të krijimit të kontakteve e të mundësive për bashkëpunim me shoqata të tjera ndërkombëtare.
“Dhe e treta, shkëmbimi i kontakteve për artistët, por edhe mundësia për të bashkëpunuar shoqatat, për të ofruar mundësi për artistët e Kosovës për të koncertuar nëpër festivalet e tyre dhe të ofrojnë mundësi për artistët e vendeve prej nga janë këto shoqata. Sidomos gjatë kohës së festivaleve të ‘Chopin’ që organizohen”, ka vazhduar ajo.
Sipas saj, Kosova prezantohet në një nivel tjetër kulturor në aspektin ndërkombëtar, që njihet dhe vlerësohet shumë. Është shprehur se pjesëmarrja e tyre ndikon në promovimin e shtetit si pjesë e kësaj skene muzikore botërore.
Në këtë asamble janë zgjedhur edhe udhëheqësit e Federatës. President është zgjedhur francezo-polaku Antoine Paszkiewicz, zëvendëspresident gjermani, Sookie Schober, ndërsa sekretar i përgjithshëm polaku, Grzegorz Michalski. Anëtarë të bordit janë zgjedhur: francezi Yves Henry, spanjollja Rosa C. Ferra, italiania Marcella Crudeli dhe amerikania Barbara Muze. Ata kanë mandat pesëvjeçar. Kanë rastisur të zgjidhen në kuadër të Asamblesë, e cila mbahet çdo katër vjet.
Në kuadër të Asamblesë janë zhvilluar takime me udhëheqësit e shoqatave “Chopin” nga e gjithë bota.
“Shumë interesante të takohesh me të gjitha ato figura. Jemi takuar me shumë prej tyre, me disa veçse kemi bashkëpunuar ose kemi marrë kontaktet e ndonjë prej pianistëve, ose kemi propozuar të dërgojmë ndonjë pianist tonin nëpër koncerte të forumeve të të rinjve. Propozuam që është shumë më shumë të bashkëpunojmë, ndërsa herën e kaluar patëm propozuar që është mirë që federata të jetë më shumë prezente në media sociale, pra rekomandime të cilat kemi vërejtur që janë zbatuar”, është shprehur pianistja Besa Luzha.
Ka thënë se tashmë festivali nga Kosova po njihet në mbledhje të tilla nëpërmjet promovimit të tyre e të pianistëve që kanë qenë për të interpretuar.
“Në bashkëbiseda me organizatorët e festivaleve habia e tyre ka qenë programi i festivalit, përkatësisht emrat e shquar që marrin pjesë në festival e të cilët është shumë vështirë të sillen në vende të tilla, veçmas në Prishtinën pa kushte, pa sallë, pa asgjë”, ka treguar ajo.
Në kuadër të Asamblesë janë organizuar edhe ngjarjet e tjera në nderim të veprës së “Chopin”, sikurse edhe gara “Chopin”, që më 18, 19 e 20 tetor po organizon edicionin e 19-të.
“Biseduam edhe për atë se çfarë të promovohet, standardet e festivaleve, kualiteti, repertori. Dje në muze, për shembull, e pamë që kishin marrë një ekspozitë prej kohës kur ‘Chopin’ ka qenë në Paris. Muzeu kishte blerë manuskriptet, një milion dollarë për një manuskript që e kanë gjetur, pra Baladën origjinale, draftin e parë kur e ka shkruar. ‘Chopin’ për ta është thesar botëror. Çfarëdo që ka lidhje me të në botë, ata shpenzojnë miliona dollarë për të pasur të gjitha gjërat e tij”, ka thënë Luzha, profesoreshë e pianos.
Jo veç profesionistët, por edhe dashamirët e muzikës nga e gjithë bota janë në vendlindjen e “Chopin”. Luzha ka thënë se gara sivjet ka marrë hov të madh.
“Sikur të ishte ndonjë garë futbolli. Nëpër të gjitha kafenetë, në rrugë, në tramvaj, kudo ka qenë e transmetuar. Është një lloj krenarie kombëtare. Përvojë e mirë, duke diskutuar edhe financimin, organizimin, si të lobojmë tek organizatat dhe ministritë. Ministria e Kulturës e Polonisë e ka falënderuar federatën dhe të gjitha shoqatat me një letër të veçantë për punën që po e bëjnë për t’i transmetuar nëpërmjet ‘Chopin’ shpirtin, kulturën dhe traditën polake. Për herë të parë në Parlament është mbajtur një mbledhje ku është prezantuar ideja për njëqindvjetorin. Aty është luajtur edhe manuskripti i veçantë i blerë”, ka treguar ajo më tej.
Në Asamble, siç shkruhet në prezantimin e federatës, diskutohen “projekte të ndërmarrjeve të përbashkëta artistike dhe botuese”. Që nga viti 1986, revista vjetore “Chopin in the World” botohet në Varshavë dhe përmban artikuj të thelluar mbi jetën dhe veprën e “Chopin”, si dhe raporte mbi aktivitetet e disa prej shoqatave “Chopin” në të gjithë botën. Në Vjenë botohet një periodik tjetër: “Wiener Chopin—Blätter”.
Luzha ka treguar se në këtë revistë vjetore është përfshirë sivjet edhe aktiviteti i festivalit, të cilin e drejton ajo së bashku me profesoreshën Lejla Pula.
Federata ndërkombëtare e shoqatave “Chopin” është organizatë ndërkombëtare e konstituuar si federatë shoqatash, e themeluar në vitin 1985 në Żelazoëa Wola, vendlindjen e gjeniut Chopin, 46 kilometra në perëndim të kryeqytetit Varshavë.
Iniciativa u mor nga muzikologu britanik, Arthur Hedley, pianisti polak Jerzy Żurawlew, themeluesi i Konkursit Ndërkombëtar të Pianos Chopin, dhe pianisti çek František Rauch.
Që nga viti 1989, Federata është anëtare e Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës të UNESCO-s.
Me kalimin e kohës, federata ndërkombëtare e shoqatave “Chopin” u zgjerua, duke pranuar shoqata të sapokrijuara nga e gjithë bota, siç është edhe “Chopin Piano Fest” nga Kosova.
Asambleja e Përgjithshme e federatës së shoqatave “Chopin” u mbyll të premten mbrëma me koncertin tradicional “Requiem” si përkujtim i 176-vjetorit të vdekjes së Friederich Chopin në Bazilikën e Kryqit të Shenjtë në Varshavë, ku pushon zemra e kompozitorit.
Kryevepra e Mozartit u interpretua për piano solo nga Vadym Kholodenko, i cili mjeshtërinë e tij e pati prezantuar edhe në një koncert recital në Prishtinë, më 26 maj të këtij viti, në kuadër të programit të edicionit të 15-të të “Chopin Piano Fest”.