Kulturë

Bizneset sponsorizuan kulturën me dy milionë euro për një vit

Prej 22.6 milionë eurove sa figurojnë si sponsorizime në sport, kulturë e rini, bankat e bizneset private i kanë financuar aktivitetet kulturore, filmat e serialet gjatë vitit 2024 me 2 milionë e 77 mijë e euro

Prej 22.6 milionë eurove sa figurojnë si sponsorizime në sport, kulturë e rini, bankat e bizneset private i kanë financuar aktivitetet kulturore, filmat e serialet gjatë vitit 2024 me 2 milionë e 77 mijë e euro

Kultura nuk arrin të marrë as 10 për qind prej parave që jep biznesi në emër të sponsorizimeve në sport, kulturë e rini, siç ia lejon ligji. Janë 2 milionë e 77 mijë euro sponsorizime në kulturë, e listën e kryesojnë kryesisht ngjarjet e mëdha. Bankat janë sponsorizuesit me shumat më të mëdha, përderisa te përfituesit figurojnë edhe organizata jo fort të njohura në publik. Për disa akterë të kulturës përqindja duhet të rritet pasi sporti është në avantazh, e për disa të tjerë mundësia e keqpërdorimit në sponsorizim është shumë e madhe

Gjatë vitit të kaluar bizneset kanë shfrytëzuar Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturës duke përkrahur aktivitetet dhe prodhimet kulturore me 2 milionë e 77 mijë e 510 euro. Ministria e Kulturës sipas të dhënave për vitin 2024, ka leshura gjithsej 158 vërtetime për sponsorizim. Sipas listës që posedon MKRS-ja, bankat dalin të jenë financueset me shuma më të mëdha. Sipas ligjit, sponsorizuesve në sponsorizimet në fushën e kulturës dhe rinisë u njihet zbritja deri në 20 për qind nga tatimi në fitim. Përderisa për disa akterë të kulturës përqindja duhet të rritet pasi sporti është në avantazh, për disa të tjerë mundësia e keqpërdorimit në sponsorizim është shumë e madhe. 

Sporti ka marrë 20 milionë euro sponsorizime. Nga buxheti total prej 22 milionë eurosh në sponsorizime, përfshirë edhe rininë me 480 mijë euro, kultura nuk ia del të marrë as 10 për qind. 
Vitin e kaluar sipas listës së MKRS-së qenë përkrahur 125 projekte kulturore me 1 milion e 788 mijë e 936 euro. 

Sipas listës së sivjetshme, mbështetjet mbajnë shifra të ndryshme, përderisa si shuma, prin ajo e bankës “Pro Credit” për “Sunny Hill Sh.P.K” me 210 mijë euro. Biznesi që organizon festivalin “Sunny Hill” del të jetë prej përfituesve më të mëdhenj në sponsorizime duke marrë shifra si 27 mijë, 30 mijë, e 50 mijë euro. Një organizatë për art dhe kulturë jo e njohur në publik, “Amelie”, ka marrë përkrahje nga biznesi “Finese L.L.C” 155 mijë euro. Në një rast tjetër po ky biznes ka përkrahur organizatën tjetër “Prishtina Bienale” me 18 mijë euro. 

“Opera Sh.P.K.” nga Istogu ka marrë 70 mijë euro nga banka “TEB” për organizimin e “Festivalit ‘Ramë Lahaj’”. Kurse fondacioni “Ramë Lahaj” ka marrë 40 mijë euro nga dy sponsorë të tjerë. Për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, banka “Pro Credit” ka dhënë 70 mijë euro, “IPKO” ka dhënë 30 mijë e disa kompani të tjera shuma më të vogla. “Pri Film Fest” figuron të ketë marrë 40 mijë euro nga tre biznese, RTK-ja ka marrë 57 mijë euro e shoqata “Hardh Fest” ka marrë 35 mijë nga “Banka për Biznes”. Kompania “Hidden Records” del të ketë marrë 95 mijë euro nga dy biznese përderisa, “Bon Production” ka marrë 44 mijë euro nga “Kosmonte Foods”.   Seriali “Me Gjylen” është përkrahur me 70 mijë euro nga tre biznese, e Instituti i Kosovës për Siguri e Marrëdhënie Ndërkombëtare ka marrë 30 mijë euro nga “Besimi Comerce”. 

Organizata ose bizneset e tjera përfituese kanë relativisht shuma më të vogla të përkrahjes. 
KOHA ka provuar që të marrë përgjigje nga Ministria e Kulturës sa i përket trendit të rritjes së subvencionimit e po ashtu sa i përket mekanizmave të kontrollit. Tash e një javë nuk është përgjigjur. 
Por në skenën e pavarur kulturore ka zëra që pretendojnë se nëpërmjet sponzorizimit mund të ketë keqpërdorime. S’kanë besim as në Ministrinë e Kulturës. 

Regjisori Agim Sopi ka thënë se Ministria e Kulturës tash e katër vjet është dëshmuar që nuk është shumë imune ndaj korrupsionit dhe konfliktit të interesit. 

“Nuk ekziston thuajse asnjë projekt që është realizuar dhe s’ka konflikt interesi e shkelje ligjore. S’ka asnjë projekt serioz në institucionet publike. Ato janë të hendikepuara e të defaktorizuara me paramendim. MKRS-ja është ministri i OJQ-ve. Ndan fonde për organizata të caktuara që janë me emra të ndryshëm por sillen te një grup i caktuar i individëve”, ka thënë ai. 

Sa i përket sponsorizimeve ka thënë se ato mjete po ndahen kinse në mbështetje të projekteve kulturore por shtrohet pyetja ku janë ato projekte. 

“A po dalin në publik, a po nxirren jashtë shtetit. Nuk është kiamet nëse nga dhjetë projekte, pesë dështojnë. Por duhet të dihet se ku shkojnë dhe çfarë del në publik”, ka thënë Sopi. 

Sipas tij me 15 milionë euro buxhet publik në kulturë, Kosova mund të jetë konkurruese në rajon. 

“Tash ka shumë më shumë e nuk është”, ka thënë ai. 

Në vitin 2017 kur është miratuar Ligji për sponsorizim në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë, qe vendosur që aktivitetet sportive të mund të financohen deri në 30 për qind të fitimit të bizneseve përderisa ato kulturore deri në 20 për qind. Asokohe komuniteti i sportit ka qenë shumë më i zëshëm edhe nëpërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kurse komuniteti i artit ka shpërfillur edhe debatet publike. 

Producenti Fatmir Spahiu ka qenë ndër më të zëshmit asokohe. Qëndrimet i ka përsëritur edhe tash. 

“Është një gabim që duhet të rregullohet pasi është ofendues për skenën artistike. Sporti dhe kultura duhet të barazohen në përqindje. Mundësisht të ngrihet kultura në 30 për qind sikurse sporti. Sporti është apriori i privilegjuar. Një ndeshje ta zëmë futbolli ka audiencë më të madhe se pothuajse secila ngjarje kulturore”, ka thënë ai.  

Ka shtuar se kur është interesuar për këtë dallim, si kundërpërgjigje ka marrë se skena artistike i ka disa buxhete të garantuara nëpërmjet institucioneve qendrore të kulturës. 

“Ata që e kanë hartuar e votuar ligjin s’kanë qenë të informuar se shumica e skenës artistike i takon skenës së pavarur. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që skena e pavarur të organizohet me një prezantim se përse është interesant që të investohet ta zëmë edhe në film. Janë disa miliona euro potenciale që nuk shfrytëzohen”, ka thënë ai. 

Pavarësisht se ligji ishte miratuar në Kuvend në dhjetorin e vitit 2016 deri në mars të vitit 2018 nuk ishte themeluar Komisioni i Ministrisë së Kulturës për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorizime. 

Qysh para miratimit të Ligjit për sponsorizime, një prej diskutimeve më të mëdha ka qenë kontrollimi i procesit të sponsorizimit në mënyrë që bizneset të mos u ikin tatimeve duke përdorur si arsye sponsorizimin e aktiviteteve kulturore, sportive apo rinore. 

Por, sipas Kujtim Gashit, asokohe ministër i Kulturës i cili kishte emëruar Komisionin, mbarëvajtja e sponsorizimeve varet edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës. 

“Pa dyshim që edhe auditimi ka rol të rëndësishëm në këtë proces”, kishte thënë ai për “Kohën Ditore”. 

Pas gati dy dekadash ishte diskutuar për këtë ligj e disa grupe kishin punuar në të. Qysh para se ligji të aprovohej, komuniteti kulturor kishte konsideruar që kultura do të duhej ta kishte një lloj diskriminimi pozitiv pasi që apriori sponsorizimet në sport janë më të lehta shkaku i popullaritetit të sporteve të ndryshme. Por një gjë e tillë nuk ishte marrë parasysh.