Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Betejë favoritësh në pritje të fituesit të “Nobelit” për letërsi

Autorja kineze, Can Xue, është favorite për ta marrë çmimin “Nobel” për letërsi që ndahet sot. Emra të mëdhenj, si Haruki Murakami, Margaret Atwood dhe Salman Rushdie, janë në mesin e autorëve të preferuar. “Është një fushë e hapur për sa u përket gjasave për të triumfuar, por shifrat e fundit tregojnë se shanset e Can Xue po rriten me shpejtësi të madhe”, deklaroi Alex Apati nga “Ladbrokes”

(The Guardian) – Shkrimtarja avangarde kineze, Xue, kryeson listën e kompanisë britanike të basteve “Ladbrokes”, e cila jep shanset 8-1 që ajo ta fitojë çmimin prestigjioz letrar. Fituesi i “Nobelit” për letërsi shpallet sot (e enjte).

“Është një fushë e hapur për sa u përket gjasave për të triumfuar, por shifrat e fundit tregojnë se shanset e Can Xue po rriten me shpejtësi të madhe”, deklaroi Alex Apati nga “Ladbrokes”.

70-vjeçarja Xue, emri i vërtetë i së cilës është Deng Xiaohua, në të kaluarën ishte futur në listën e gjatë të favoritëve për ta fituar çmimin ndërkombëtar “Booker” për romanin e saj “Dashuria në mijëvjeçarin e ri” (“Love in the New Millennium”), përkthyer nga Annelise Finegan Wasmoen, dhe përmbledhjen e tregimeve të shkurtra “Unë jetoj në lagjet e varfra” (I Live in the Slums), përkthyer nga Karen Gernant dhe Chen Zeping.

Sipas testamentit të vitit 1895 të Alfred Nobelit, “Nobeli” për letërsi i ndahet “personit që në fushën e letërsisë ka prodhuar veprën më të spikatur në një drejtim ideal”. Këtë vit shuma e të hollave që përmban Çmimi do të rritet në 11 milionë korona suedeze, rreth 950 mijë euro.

Pas autores Xue, me shanset 12-1 për të fituar, renditet shkrimtari japonez 74-vjeçar, Haruki Murakami, i cili shquhet për romane të tilla si: “Pylli norvegjez”, “Kafka në breg” dhe “1Q84”. Ka kohë të gjatë që ai konsiderohet si një fitues i mundshëm i këtij çmimi prestigjioz, dhe në vitin 2013 ai ishte i preferuari i bastvënësve me shanset 3-1, megjithëse triumfi i takoi shkrimtares Alice Munro.

Edhe “Nobeli” për letërsi i paparashikueshëm përballë befasive Kulturë “Nobeli” për letërsi i paparashikueshëm përballë befasive

Pas Murakamit, favorit konsiderohet 84-vjeçari australian, Gerald Murnane, autor i disa romaneve të suksesshme, si “The Plains” dhe “Inland”. Puna e tij është shpesh vetëreferuese. Në një ese të publikuar në muajin qershor në “The Guardian”, Emmett Stinson shkroi se “njohja ndërkombëtare e Murnanit është e vonuar”.

Me shanset 14-1 për të fituar, i treti renditet shkrimtari dhe skenaristi hungarez, László Krasznahorkai. Romanet e tij më të njohura ndërkombëtarisht janë, “Sátántangó” dhe “The Melancholy of Resistance”. Në vitin 2015 ai e kishte fituar çmimin ndërkombëtar “Booker”.

Shtatë shkrimtarëve u janë dhënë shanset 16-1 për t’u shpërblyer të enjten, e ata janë: Lyudmila Ulitskaya nga Rusia, Margaret Atwood nga Kanadaja, Mircea Cărtărescu nga Rumania, Pierre Michon nga Franca, Salman Rushdie, një autor me prejardhje indiane, britanike dhe amerikane, si dhe Thomas Pynchon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vitin e kaluar çmimin “Nobel” për letërsi e mori Annie Ernaux, vepra e së cilës është kryesisht autobiografike. Ajo ishte favoritja e bastvënësve për të fituar në vitin 2021.

Edhe Akademia “The Ivors” shpall Rosalian “Kantautore ndërkombëtare të vitit” Showbiz Akademia “The Ivors” shpall Rosalian “Kantautore ndërkombëtare të vitit”

Prej vitit 1901 me çmimin prestigjioz letrar janë shpërblyer 115 shkrimtarë. Nëse Xue triumfon të enjten, ajo bëhet gruaja e 18-të që fiton çmimin “Nobel” për letërsi dhe autorja e dytë kineze, pas shkrimtarit të njohur Mo Yan, që ishte nderuar në vitin 2012. Autori i lindur në Kinë, Gao Xingjian, e fitoi çmimin në vitin 2000, por ai ka nënshtetësi franceze.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku