Kulturë

“Nobeli” për letërsi i paparashikueshëm përballë befasive

Nobel

“Nobeli” për letërsi fituesi i të cilit shpallet të enjten është një temë e nxehtë për spekulime në media dhe për biseda mes miqve e komunitetit. Befasia, ka disa vjet që nuk i shqitet këtij çmimi prestigjioz e ajo e bën të paparashikueshëm fituesin

Foto: Associated Press

Parashikimet për fituesin e sivjetmë të “Nobelit” për letërsi janë të ndryshme. Gjatë sezonit të ndarjes së çmimit, komiteti duket se zgjedh ose nga lista e gjatë e shkrimtarëve veteranë (si Günter Grass apo Patrick Modiano), ose ndonjë emër të shtuar rishtas (si Kazuo Ishiguro ose Orhan Pamuk). Veteranët sjellin prestigj; emrat e rinj, energji

Sophia Nguyen

Të hamendësosh kush do ta fitojë çmimin “Nobel” për letërsi nuk është ndonjë rit amerikan në të njëjtin nivel me ndjekjen e ceremonisë “Oscar”. Por në Suedi — ku fituesi do të shpallet të enjten — kjo është një temë e nxehtë për spekulime në media dhe për biseda mes miqve e komunitetit.

“Besoj se këtë vit njerëzit nuk janë të sigurt rreth fituesit”, ka thënë Jens Liljestrand, gazetar dhe autor i romanit “The Burning”.

Krahasojeni këtë vit me vitin e kaluar, kur besohej gjerësisht se çmimi do t’i jepej një gruaje nga Azia.

Favoritja konsensuale ishte shkrimtarja avangarde, Can Xue, e Liljestrand parashikoi saktë, shkrimtaren Han Kang.

“Ata do të bëjnë një zgjedhje komerciale”, këmbënguli ai në atë kohë. “Po kthehen në njerëz të nivelit të çmimit ‘Booker’”. 

Xue është sërish ndër favoritët për të fituar këtë vit, të paktën sipas kompanisë së basteve “Ladbrokes”, që i dha asaj shanse 10 me 1 (në një garë të ngushtë me shkrimtarin hungarez László Krasznahorkai). Por sipas disa vëzhguesve të mprehtë, kjo mund të nënkuptojë se ndoshta nuk e fiton çmimin.

“Favoriti” që nuk do ta fitojë

“Mendoj se kushdo që është në listën e parashikimeve të fituesit potencial, nuk do ta fitojë atë”, ka thënë Mathilde Montpetit, kandidate për doktoratë në Universitetin e New Yorkut, e cila ka fituar çmimin “Nobel” të klubit të saj të leximit për katër vjet rresht. “Kam përshtypjen se ata duan t’i bëjnë njerëzit të lexojnë ndonjë autor, që përndryshe nuk do ta lexonin. Është sikur: nëse mjaftueshëm njerëz vazhdimisht thonë se do ta fitosh ‘Nobelin’, atëherë realisht nuk ke nevojë ta fitosh atë”.

Truku i Montpetit është të mendojë për një kandidat të mundshëm dhe pastaj të zgjedhë dikë të ngjashëm: “Për shembull, Abdulrazak Gurnah, që e adhuroj, është në mënyrë sipërfaqësore i ngjashëm me Ngugi wa Thiong’o, por është shumë i dukshëm”.

Zgjedhja e saj këtë vit është, Amitav Ghosh (i cili mund të konsiderohet i ngjashëm me Salman Rushdie). Në një artikull për gazetën “Berliner”, ajo dha më shumë detaje: “Ghosh shkruan si letërsi artistike ashtu edhe ese, ka fituar disa çmime të mëdha (por jo shumë), dhe këndvështrimi i tij për kolonializmin, Luftërat e Opiumit dhe ndikimin e tyre bashkëkohor është pikërisht ajo që pëlqen komiteti përzgjedhës i Nobelit”.

Gjithashtu ka shtuar se, Ghosh ka eksploruar tema mjedisore.

Animi nga ndryshimet klimatike dhe gjinia

“Kam përshtypjen se mund të anojnë nga tema e ndryshimeve klimatike”, ka thënë ajo. 

Të interesuarit për t’u përfshirë në lojën e spekulimit të fituesit potencial, mund të marrin për bazë modelet e fundit, sidomos gjininë. 

“Unë bëj shaka me miqtë se Komiteti i Çmimit zakonisht vepron me radhë, duke zgjedhur një burrë, pastaj një grua e kështu me radhë”, ka thënë kritikja Merve Emre. “Kështu që mendoj se këtë vit do të triumfojë një shkrimtar”.

Emre favorizon shkrimtarin australian, Gerald Murnane, i cili do të “kontribuonte me një lloj të caktuar të letërsisë eksperimentale, por sërish të kuptueshme”, ka thënë. Sipas saj, nderimi i Murnanes me “Nobel” do të vinte në fokus një autor nga një rajon që nuk është prekur prej kohësh.

Është gjithashtu e dobishme të merret parasysh që komiteti mban një listë të gjatë autorësh të shquar që meritojnë të vlerësohen, ka thënë Liljestrand. Ai vlerëson se është një grup relativisht i pandryshuar prej rreth tetë personash, me ndoshta një ose dy që shtohen çdo vit, pasi Komiteti nuk ka kohë të lexojë botime të dhjetëra autorëve të rinj, dhe ka vetëm disa mënyra për të dalë nga lista: “E fiton çmimin, vdes, ose bëhesh i pakualifikuar duke shkruar diçka kaq të tmerrshme sa të përjashtojnë nga lista. Mendoj se kjo ndodh shumë rrallë, sepse sapo futesh në listë je thuajse i garantuar, nuk shkruan vepra të këqija dhe boton mjaft rrallë”.

Rreziku me shkrimtarët e rinj

Gjatë sezonit të ndarjes së çmimeve, Komiteti duket se zgjedh ose nga kjo listë e gjatë e shkrimtarëve veteranë (si Günter Grass apo Patrick Modiano), ose ndonjë emër të shtuar rishtas (si Kazuo Ishiguro ose Orhan Pamuk). Veteranët sjellin prestigj; emrat e rinj, energji. Në grupin e këtyre “të rinjve”, zakonisht autori duhet të jetë të paktën në të pesëdhjetat.

“Është një rrezik të zgjedhësh një shkrimtar të ri, sepse çfarë ndodh nëse ai kalon dy dekadat e ardhshme duke shkruar libra të dobët, apo nuk shkruan më fare?”, ka thënë Liljestrand. “Por kam përshtypjen se po e bëjnë gjithnjë e më shpesh, sepse nuk duan që çmimi të jetë vetëm për arritje jetësore”.

Një tjetër faktor ndikues është gjeografia, me çmimin që duket se lëviz, pak a shumë, midis Evropës dhe pjesës tjetër të botës. Duke ndjekur këtë model, Liljestrand parashikon “një autor veteran nga lista e gjatë, një zotëri i moshuar, i cili ndoshta do të jetë evropian, dhe nëse jo evropian, ai me siguri nuk do të jetë nga Azia, Afrika apo Amerika e Veriut. Mund të jetë nga Amerika Latine, ndoshta edhe australian”.

Zgjedhjet e tij kryesore janë: Enrique Vila-Matas, pastaj César Aira dhe në fund, Gerald Murnane. 

“Ai është 86 vjeç. Ka një kufi moshe ku bëhesh shumë i vjetër, kështu që kjo është arsyeja pse e kam vendosur të tretin në renditje”, ka thënë Luljestrand.

I pyetur për mendimin e tij personal, Magnus Puke, që dikur punonte në kompaninë e basteve “Ladbrokes” si përpilues i koeficienteve për “Nobelin”, përdori kritere të ngjashme.

“Nuk kam pretenduar kurrë se jam ekspert në letërsi. Por mund ta parashikoj një garë nëse e vëzhgoj”, ka thënë ai.

“Atyre u pëlqen t’i befasojnë njerëzit”

Duke theksuar se një bast i mirë kërkon mendësi të ndryshme nga ajo e hartuesit të koeficienteve, zgjedhja e Pukes për fituesin e këtij viti është, Mircea Cărtărescu. Çmimi duket se po shkon drejt Evropës Lindore, arsyetoi ai, dhe Cărtărescu është një burrë, në moshën e duhur, shkrimtar i prozës dhe poezisë si dhe fitues i çmimit letrar të Dublinit.

“Thjesht, Cărtărescu plotëson çdo kriter”, ka thënë Puke. “Nuk është tepër i famshëm, por mjaft i njohur në ato qarqe, nëse mund të thuash ashtu. Nuk është në nivelin e Tomas Tranströmerit, gjë që në njëfarë mënyre e bën më të përshtatshëm. Sepse atyre u pëlqen t’i befasojnë njerëzit”. 

Sipas mendimit të tij, Cărtărescu është vetëm pak më përpara se László Krasznahorkai. 

“Sigurisht nëse vërtet mendoni se Akademia do të rrezikojë atëherë do të zgjedhin francezin, Michel Houellebecq”, ka thënë Puke. “Do të ishte një deklaratë e fuqishme. A mendoj se mund ta bëjnë këtë? Absolutisht, po. A mendoj se janë gati ta bëjnë tani? Ndoshta jo, por ia dhanë çmimin Dylanit, apo jo? Ia dhanë Handkes”.

Por nuk mund të nënvlerësohet faktori njerëzor. 

“Jam vëzhguese e çmimit ‘Nobel’, njësoj siç mund të thuhet se vëzhgoj natën për dukuri ajrore të paidentifikuara. Unë thjesht po shikoj qiellin”, ka thënë Tara Tobler, redaktore në shtëpinë botuese britanike “And Other Stories”. Tutje, ajo shtoi: “Si redaktore, më ngjan në një lloj makine lotarie — ato të vjetrat me topa që rrotullohen brenda — dhe edhe nëse ke shanse për çdo top aty, prapë ka gjasa që një tjetër të bjerë nga qielli, të shkatërrojë makinën dhe ta fitojë çmimin në vendin tënd. E nëse do të mund të zgjidhja ndonjë autor potencial për ta rrëmbyer çmimin, sipas meje janë: Mosab Abu Toha, Louise Erdrich, Dionne Brand, Bhanu Kapil, Joy Harjo”.

Disa burime e përshkruan Akademinë Suedeze si “idiosinkratike”. Nga përvoja e saj si anëtare jurie, Emre ka thënë: “Një gjë që mund t’ju them është se gjithmonë varet nga personaliteti i veçantë i njerëzve në atë dhomë”.

Puke theksoi një aspekt të këtij personaliteti: një mendje të drejtë që, sipas tij, është thelbësore për psikikën suedeze, sidomos për intelektualët e një brezi të caktuar. 

“Njerëzit që e projektojnë këtë — janë suedezë. Nuk janë njerëz të ‘Washington Postit’. Nuk janë londinezë. Janë suedezë! Nëse nuk e kupton këtë kur analizon kush do të fitojë, atëherë e ke humbur plotësisht thelbin”.

Marrë nga “The Washington Post”: Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë