Nëpërmjet protestave disaditore, serbë në Surdullicë të Serbisë janë duke e kërkuar dëbimin e një familjeje shqiptare, shkaku i një aksidenti trafiku që ka ndodhur në shkurt, e në të cilin një shqiptar i moshës 20-vjeçare dyshohet se e ka goditur për vdekje aksidentalisht një serb 40-vjeçar. Banorët janë duke e kërkuar edhe bojkotin e biznesit të kësaj familje shqiptare, e cila jeton me vite në këtë vend
Surdullicë – Protesta në Surdullicë të Serbisë për vdekjen e një 40-vjeçari serb, i cili dyshohet se është goditur për vdekje me veturë nga një shqiptar 20-vjeçar në fillim të muajit shkurt, pritet që të vazhdojnë edhe të enjten.
Në këto protesta, banorët serbë për disa ditë radhazi kanë bërë thirrje për drejtësi teksa kanë kërkuar edhe që familja shqiptare të dëbohet nga qyteti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKordonë të policisë kanë qëndruar për çdo ditë para bizneseve të familjes shqiptare, pasi protesta ka ngjallur thirrje për bojkotimin e tyre në atë që ka nxitur edhe tensione etnike.
Fushatës së përndjekjes dhe thirrjeve për dëbimin e familjes shqiptare i ka paraprirë gjuha e urrejtjes nëpër grupe të rrjeteve sociale. Njëri prej anëtarëve të këtyre grupeve ka qenë edhe ish-kryetari i Komunës së Surdullicës, njëherësh edhe ministër në Qeverinë e Serbisë, Novica Tonqev.
Liridon Cikaj, pronar i biznesit ku janë zhvilluar protesta, është familjar i 20-vjeçarit që dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin. Ai, nëpërmjet telefonit i ka thënë KOHËS se fushata e përndjekjes dhe e bojkotit të biznesit të tij është duke vazhduar nga banorët e zonës.
“Situata nuk është edhe pa rrezik. Prej fillimi e deri para disa ditësh na ka ruajtur policia. Rasti ka qenë aksident, por tash këtë rast e kanë përzier më shumë me furrë. Besoj e keni parë organizatorin, e ka përmendur edhe në grupe, se e vetmja zgjidhje është që ne ta lëshojmë qytetin. Unë nuk mundem ta lëshoj qytetin se e kam shtëpinë këtu dhe e kemi afër spitalit. Në maksimum janë duke e bojkotuar furrën, kanë hyrë edhe në furrë dhe i kanë kërcënuar myshterinjtë”, është shprehur ai.
20-vjeçarit, i cili dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin në të cilin ka mbetur i vdekur 40-vjeçari i nacionalitetit serb, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
KOHA ka adresuar pyetje në Prokurorinë në Vlladiçin Han lidhur me hetimet për këtë rast në Surdullicë, si dhe se cilat janë shkaqet e këtij aksidenti, porse nuk ka marrë përgjigje.
Përgjigje nuk ka marrë as në pyetjen nëse kanë filluar hetimet për personat që e kanë organizuar protestën disaditore kundër familjes së të dyshuarit.
E gazetarja nga Lugina e Preshevës, Ardita Behluli, i ka kritikuar organizatorët e protestave kundër familjes shqiptare.
“Në këtë shtet shpesh problemi individual kalon në problem që ka të bëjë me çështjen etnike, me problemin social, juridik dhe ekonomik. Menjëherë pas rastit tragjik, ku ka humbur jetën personi në fjalë është dorëzuar pranë organeve të drejtësisë, ndërkaq në anën tjetër grupacione ftojnë protestë ku ka gjuhë të urrejtjes që është e ndaluar me ligj”, ka thënë ajo.
Qasjen e popullit serb kundër shqiptarëve që jetojnë Serbi e ka kritikuar edhe Kushtrim Kadriu, përfaqësues i Lëvizjes Vatra, e cila avokon për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
“Ky rast tregon qartë se populli serb është ende duke u ushqyer nga politika e Serbisë, nga politika gjenocidale e spastrimit etnike”, ka thënë ai.
Lidhur me situatën ka reaguar edhe komisionari për Mbrojtjen e Barazisë, Millan Antonijeviq.
Ai ka theksuar se thirrjet për dëbim dhe kërcënimet ndaj familjes me kombësi shqiptare përbëjnë shkelje serioze të së drejtës për barazi.
Në Surdullicë të Serbisë, sipas regjistrimit të popullsisë jetojnë rreth 10 mijë banorë, prej të cilëve gjashtë janë shqiptarë, pjesëtarë të një familje.