Çmimi “Nobel” për letërsi i është dhënë poetes Anne Carson.
Poetja kanadeze 76-vjeçare, Anne Carson, ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2026.
Ajo është nderuar nga Akademia Suedeze që e ndan çmimin, për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.
Ingrid Carlberg, sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, tha se ia kishte dhënë lajmin Carsonit përmes telefonit pak para njoftimit publik.
“Ajo pati kohë të më tregonte se për momentin ndodhet në Islandë”, tha Carlberg. “Ajo u kap në befasi, por ishte shumë e lumtur. Këtë mund ta dalloja në zërin e saj”.
Edhe
Prapaskenat e “Nobelit” për letërsi
Gjatë gjithë karrierës së saj, Anne Carson e ka ndërthurur shkrimin e poezisë me përkthimin dhe mësimdhënien në universitete të ndryshme. Pothuajse e gjithë krijimtaria e saj letrare është përqendruar te ndërthurja midis pasionit të filologut për fjalët dhe dëshirës së poetit për kuptime të reja. Ajo vetë e ka përcaktuar etimologjinë e fjalëve si pikënisjen e gjithë punës së saj.
Carson u lind në vitin 1950 në Toronto të Kanadasë. Është poete, eseiste, përkthyese dhe ish-profesoreshë. Shkrimet e saj shpesh kapërcejnë kufijtë e zhanreve, duke ndërthurur poezinë me prozën.
Suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1998 me romanin në vargje “Autobiography of Red”. Ajo ka botuar më shumë se 20 libra me poezi, ese dhe përkthime.
Në vitin 2001, ajo u bë gruaja e parë që fitoi çmimin "T.S. Eliot" për përmbledhjen e saj “The Beauty of the Husband”.
Vitin e kaluar, shkrimtari hungarez László Krasznahorkai fitoi këtë çmim. Juria vlerësoi se vepra e tij mbron fuqinë e artit në mes të “tmerrit apokaliptik”.
Tre çmime në fushën e shkencës u shpallën në fillim të kësaj jave. Çmimi “Nobel” për mjekësi iu dha tre shkencëtarëve, puna e të cilëve çoi në zhvillimin e një mjeti që përdor dritën për të ndihmuar në zbërthimin e mënyrës se si funksionon truri. Çmimi për fizikë vlerësoi përpjekjet e një shkencëtari për të hedhur dritë mbi grimcat më të vështira për t’u kapur në univers, të njohura si neutrino me energji të lartë. Ndërsa çmimi për kimi iu dha dy shkencëtarëve për zbulimin e mistereve që fshiheshin pas imazheve pasqyrë të molekulave, një zbulim që është përdorur për zhvillimin e një numri të madh ilaçesh.
Kjo javë përmbyllet me Çmimin “Nobel” për Paqen, i cili do të shpallet të premten.
Edhe
“Nobeli” për letërsi i paparashikueshëm përballë befasive
Shuma e çmimit këtë vit është rreth 1.2 milionë dollarë, pavarësisht nëse çmimi i jepet një individi, një grupi të vogël laureatësh apo një organizate.