Me anulimin e shfaqjeve dhe me ndalimin e provave për shkak të pandemisë, e ardhmja e balerinëve është e mjegullt. Pandemia ka ndryshuar agjendën. Shfaqjet e baletit që ishin menduar të jenë premierë për këtë kohë, janë anuluar. Repriza s’ka. E provat janë kthyer në ushtrime improvizuese individuale sa për ta mbajtur formën. Teatrot janë duke u marrë me pasojat e shfaqjeve të anuluara. E artistët e pavarur po kërkojnë mbështetje nga Qeveria. Anulimi i aktiviteteve ka bërë që ata të humbin fonde për projekte të ndryshme, në të cilat mbështeteshin deri në marrjen e projektit të ardhshëm. Situata shumë lehtë përshkruhet me teknikën “rënie e lirë” që është esenciale për balerinë. Por kësaj radhe rënia e tyre nuk shkaktohet vetëm nga forca e gravitetit.
Balerinët e Trupës Kombëtare të Kosovës ka gjashtë muaj – me përjashtim të tri javëve në qershor – që nuk kanë pasur mundësi që të mbajnë ushtrime. Belerinit Sinan Kajtazi pandemia ia ndryshoi plotësisht planet kur e zuri në Paris, në kryeqytetin francez. Ishte në mesin e më shumë se 300 artistëve që çdo vit bëhen pjesë e rezidencës artistike “Cité Internationale des Arts” institucion i themeluar më 1965, i cili shërben si rezidencë artistike për artistë nga mbarë bota. Si i përzgjedhur për edicionin e sivjetmë, në janar, Kajtazi ishte vendosur në institucionin buzë lumit Siena. Atje i ishte dashur që të vetizolohej pasi që pandemia ia kishte pamundësuar që të kthehej më 27 mars. Hapësira prej 15 metrash katrorë, ku qëndroi, u shndërruar në dhomë dite, dhomë gjumi e sallë ushtrimesh bazike. Më 24 prill ishte kthyer në Kosovë dhe qe vendosur në konvikte në Qendrën Studentore. Tek e përjetoi pandeminë në dy shtete të ndryshme, thekson se kjo gjendje pandemie ka ndikuar negativisht në të gjitha sferat e jetës. Por, sipas tij, ata që kanë pësuar më së tepërmi nga kjo gjendje janë arti dhe kultura, rrjedhimisht edhe artistët në përgjithësi.
Format alternative për mbajtjen e hapit
“Nga lëmi i artit, më të dëmtuarit janë kërcimtarët. Stopimi i ushtrimeve dhe i shfaqjeve është tejet i rëndë për çdo balerin. Duhet pasur parasysh që baleti është profesion fizik dhe balerinët e kanë të nevojshme të jenë aktivë çdo ditë, për të mbajtur nivelin teknik.