Se cili do të jetë produkti final, do edhe pak kohë që të formësohet, por qysh në prova është e dallueshme se premiera e radhës e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën koreografi të Ricardo Fernando, vë në lëvizje edhe shpresën e entuziazmin e rikthimit në skenë. Të dyja bashkë i bëjnë të padallueshme sfidat e ushtrimeve përballë masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19
Lëvizjet e lehta e të këndshme janë ato që e plotësojnë konceptin e një kërcimi artistik siç është baleti. Anëtarët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë filluar përgatitjet për premierën e parë të këtij sezoni. Në provat dëshmohet përkushtim dhe entuziazëm për të bërë një paraqitje të mirë para audiencës.
Shfaqja, e cila është një “diptik” koreografik, pritet të jepet premierë më 21 tetor. Shpërfaq motivet e shpresës dhe lumturinë e rikthimit në skenë, ndonëse në kohë pandemie.
Kështu edhe 23 balerinët po punojnë që të ndërtojnë shfaqjen dypjesëshe: njëra e orientuar nga klasikja e tjetra nga modernia.
Pandemia natyrisht që ia ka vështirësuar punën trupës së Baletit. Për balerinët është e vështirë të ushtrojnë me maska tërë kohën a me mbajtje distance.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli, ka bërë të ditur se pikërisht pandemia ishte shkaktare që procesi i punës të fillonte me vonesë.
“Kemi filluar me provat nga dita e hënë, edhe pse ishte dashur të fillojmë nga një shtatori. Rastet me COVID na i prishën planet dhe kështu u detyruam t’i pezullonim aktivitetet për dy javë”, ka thënë ai.
Koreograf i shfaqjes është Ricardo Fernando, kurse asistente është Christine Ceconello, të dy nga Brazili, e ndërkohë pritet që të vijnë edhe asistentë të tjerë.
Lëvizjet dhe loja mbi të cilat po ndërtohet shfaqja nën direksionet e koreografit dhe asistentes së tij, po mirëpriten nga balerinët kosovarë.
Procesin e punës e ka shpjeguar koreografi Fernando, i cili është për herë të parë në Kosovë.
Pandemia natyrisht që ia ka vështirësuar punën trupës së Baletit. Për balerinët është e vështirë të ushtrojnë me maska tërë kohën
“Puna po shkon mirë, unë po kaloj një kohë të mirë këtu. Trupa është shumë entuziaste për të mësuar gjëra të reja dhe unë dua që të lë tek ta elemente të reja të kërcimit dhe mënyrës se si unë lëviz”, ka thënë ai. Për ekipin, sipas tij, është një punë më e vështirë sepse duhet t'i realizojnë dy pjesët në një mbrëmje.
Asistentja e tij, Ceconello, ka thënë se balerinët shpejt e kanë kapur ritmin e asaj që po synojnë të kontretizojnë në shfaqje baleti.
“Secili nga balerinët dhe balerinat po japin më të mirën e tyre dhe janë adaptuar lehtë me frymën e re që kemi sjellë, me koreografinë, eksperiencat e reja dhe kjo është një gjë e mirë. Ata janë shumë bashkëpunues dhe po punojnë shumë për të arritur realizimin e një performance të suksesshme”, ka thënë ajo.
Pjesa e parë e shfaqjes është e ndërtuar mbi “Variacionet e Goldbergut” nga kompozitori Johan Sebastian Bach dhe quhet “Tanzminiaturen”. Kurse e dyta mbi muzikën e kompozitorit argjentinas Astor Piazolla dhe quhet “Tangata”.
“Tanzminiaturen’’ është një pjesë që shfaq kërcimin ashtu siç është në përditshmëri, dhe audiencës mund t’i ngjajë edhe si film, kurse “Tangata’’ paraqet pjesën elegante të shfaqjes, ku balerinët duken bukur në kostumet e tyre dhe muzika është shumë energjike me tipare të tangos.
Se përgatitjet po shkojnë mirë e që ky profesion u jep kënaqësi e tregojnë edhe vetë balerinët të cilët kanë një kohë të gjatë që merren me balet.
“Baleti është diçka që e bëjmë me qejf e pasion të madh”, ka thënë balerina Mërgime Morina.
Kurse balerini Sead Vuniqi, i cili është pjesë e Trupës së Baletit tash e dhjetë vjet, ka thënë se baleti është një profesion i mirë, e në lidhje me shfaqjen ai ka nënvizuar se provat po u shkojnë mirë dhe se janë të kënaqur me punën dhe risitë si ekip. Ka thënë se shpreson që pandemia të zvogëlojë ndikimin e saj dhe të zhvillojnë shfaqjet në normalitet.
Koreografi brazilian Fernando ka bërë të ditur se elementet e kërcimit në vendlindjen e tij kanë ndikuar shumë tek idetë për të krijuar koreografinë e shfaqjes.
Përmes shfaqjes që ndërthur lëvizjet e muzikën, Baleti mëton të bartë tek shikuesit emocione të veçanta dhe të shfaqë shkrirjen e tipareve të secilit personalitet në një të vetëm.