Kulturë

Premiera e Baletit nxjerr në skenë edhe problemet, anulohet projekti i radhës

Dy javë para se të dalin në skenë kanë marrë materialet për realizmin e shfaqjes. Provat intensive i kanë bërë në bodrum, në hapësirë pa ajrosje e në të ftohtë, siç ngjan tash e sa kohë. Besojnë se në art nuk ka limite, prandaj procedurat burokratike të Ministrisë së Kulturës kanë thënë se po ua rrezikojnë shfaqjet. Për t’i ikur dëmtimit të mundshëm të imazhit, Trupa e Baletit Kombëtar e Kosovës ka pezulluar premierën e tretë për këtë vit. Të fundit për sivjet do ta kenë të enjten. Për ta sjellë “Tanzminiaturen dhe Tangata” kanë bashkëpunuar me koreografin brazilian Ricardo Fernando

As dy muaj nuk kanë pasur kohë për të realizuar premierën. Me maska për shkak të masave për parandalimin për përhapjen e koronavirusit, në sallë pa ajrosje e pa ngrohje, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë finalizuar provat për “Tanzminiaturen dhe Tangata”. Intensive ka qenë puna me koreografin brazilian Ricardo Fernando, që karrierën e vazhdoi në Evropë dhe me asistenten e tij po ashtu braziliane, Christine Ceconello.

Nga neoklasikja, balerinët do të kalojnë te bashkëkohorja, diçka që nuk është aspak e lehtë. Nuk kanë qenë të pakta as problemet që i kanë shoqëruar.

Dy javë para premierës BKK-ja ka marrë materialet që i janë dashur, nën ethet se gjithçka mund të dështojë për shkak të procedurave burokratike të MKRS-së. Kjo situatë e krijuar, krahas gjendjes së mëparshme lidhur me kushtet ku vepron trupa, e ka shtyrë zëvendësin e drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli, të marrë një vendim. Ka treguar se e ka njoftuar Këshillin Drejtues se nuk do ta realizojnë premierën e tretë të paraparë për këtë vit. E gjithë kjo u bë e ditur të mërkurën gjatë konferencës për media në lidhje me premierën e “Tanzmiaturen dhe Tangata”, që do të jepet të enjten.

“Nuk dëshiroj të rrezikoj, të dëmtoj reputacionin e baletit, por edhe të vetë Kosovës, që të dalim një shtet joserioz”, ka thënë Musolli. Vendimi i tij ka shpresuar që të jetë një nxitje që MKRS-ja të reflektoje e të kthejë sytë nga nevojat e këtij institucioni. Kështu mbase, shfaqja që shpërfaq motivet e shpresës dhe lumturinë e rikthimit në skenë, ndonëse në kohë pandemie, mund të sjellë ndryshim esencial për vetë balerinët.

Ricardo Fernando, i cili në 37 vjetët e karrierës ka realizuar më shumë se 100 koreografi të ndryshme midis baletit klasik dhe pjesëve të vallëzimit bashkëkohor, ka thënë se nuk është e lehtë të bëhet balet në kushte të vështira pandemike, por edhe në hapësirat ku vepron BKK-ja. Megjithatë, ka shtuar se në Kosovë ka gjetur një përkushtim e dashuri ndaj punës, por edhe një mikpritje që nuk e ka hasur më herët.

“Kanë qenë disa javë shumë intensive. Kemi vendosur për dy lloje të baletit. E para është ‘Tanzminiaturen’ me muzikë të Johann Sebastian Bach që tregon stilin më shumë klasik e neoklasik të valltarëve. Mirëpo mendoj se është një pjesë shumë e mirë me muzikë të mirë që kërkon koncentrim nga publiku dhe kërkon shumë nga valltarët, veçanërisht të fokusohen në një stil të vetëm”, ka thënë drejtori dhe koreografi kryesor i Baletit Shtetëror të Augsburgut në Gjermani.

Ka treguar edhe për pjesën tjetër që ia kanë vënë emrin “Tangata” që ka përdorur muzikën e kompozitorit Astor Piazzolla.

“Është një pjesë që ka më shumë lëvizje dhe energji pasi që muzika e Piazzolas është e tillë dhe kërkon po ashtu shumë nga valltarët, pasi që kalojnë nga një stil neoklasik në atë bashkëkohor”, ka thënë Fernando, i cili si koreograf ka punuar në Japoni, Austri, Holandë, Zvicër, Brazil e vende të tjera.

Asistentja e tij, Christine Ceconello, braziliania me shtetësi italiane që nisi karrierën e saj si valltare në Teatrin Komunal të Rio de Janeiros, ka thënë se qartazi vërehet evoluimi i Trupës së Baletit për këtë pjesë.

“Trupa e Baletit e ka pranuar idenë, janë përkushtuar shumë në prova dhe ne mund të shihnim zhvillim, nga fillimi e deri më tash dhe jemi shumë të lumtur që të shohim zhvillimin e kësaj shfaqjeje dhe le të shohim se si do të pritet”, ka thënë Ceconello e nominuar për çmimin si koreografja dhe interpretuesja më e mirë në Brazil në “Permio de Dança Cesgranrio” .

Në anën tjetër, balerina Leonora Rexhepi ka falënderuar dyshen, Fernando-Ceconelloi që kanë besuar në Trupën e Baletit dhe kanë punuar shumë me ta.

“Për ne është shumë me rëndësi që premiera po realizohet edhe përkundër disa problemeve. Balerinët e kanë shumë problem që çdo herë t’i kanë problemet e njëjta me kostume, drita apo çfarëdo tjetër. Kështu që po shpresoj që nesër t’iu pëlqejë shfaqja ashtu siç po na pëlqen neve puna që e kemi bërë deri më tani”, ka thënë ajo.

Balerini Sead Vuniqi ka thënë se shpreson që problemet e njëjta të mos u përsëriten.

“Jemi shumë të kënaqur me procesin dhe gjithçka deri tash përkundër disa vështirësive po shkon mirë, por shpresoj që këto të tejkalohen dhe të paktën këto probleme shumë bazike të mos përsëriten e të mos ngecim por të avancohemi si balerinë dhe të realizojmë projekte më të mëdha”, ka thënë ai.

Ka qenë ushtruesi i detyrës së drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli, i cili ka treguar më shumë për këto probleme dhe anulimin e bashkëpunimit të parë me koreografin shqiptar me karrierë ndërkombëtar, Blenard Azizaj.

“Këto probleme janë bërë një traditë dhe nuk po zgjidhen njëherë e mirë, prandaj edhe e kam anuluar shfaqjen e re që e kemi pasur në plan për të realizuar në muajin dhjetor pasi që këto probleme rreth furnizimit e gjerave shumë bazike për realizmin e projekteve nuk po zgjidhen në mënyrë të përhershme nga ana e Ministrisë”, ka thënë ai. Ka shtuar se nuk dëshiron që të rrezikojë duke ftuar njerëz të njohur ndërkombëtarisht duke mbetur nën dyshime nëse mund të realizohet apo jo shfaqja.

“Për vitin tjetër po shpresoj që Ministria do të bëjë zgjidhje siç duhet në mënyrë që 50-vjetorin ta kremtojmë siç i ka hije dhe t’i kemi të siguruara gjërat bazike”, ka thënë ai. Ka shtuar se është e vështirë të negociohet me koreograf të kalibrit të Ricardo Fernandos apo të asistentes së tij, për t’i sjellë në Kosovë me çmimet që ata i ofrojnë.

“Ato rregullore janë shumë të vjetërsuara dhe MKRS-ja ende nuk lejon që ato të ndryshohen, që të rriten e përshtaten me tregun ndërkombëtar pasi që ne, nëse dëshirojmë që të ngremë nivelin tonë, por për këto duhet rritur edhe pagesat për koreografët. Nuk ia vlen të rrezikojmë derisa Ministria njëherë e mirë të kuptojë që kërkesat tona specifike si institucion për materialet e kostumeve, materialet e skenografisë e për rekuizita nuk varen prej procedurave të përgjithësuara që janë për shembull për elemente të zyrës pasi që në ditën e fundit koreografi mundet me pasë kërkesa për komplet kostume të tjera dhe nuk mundesh me hap tender për ato kostume”, ka thënë ai. Ka shtuar se duke i pasur parasysh këto gjëra duhet të ndryshohet diçka.

“Baletin, Teatri apo cilindo institucion ka nevojë me pasë procedura më të thjeshta dhe më pasë më shumë liri pasi që ne jemi duke bërë art. Në art nuk ka limite. E përderisa nuk ka limite nuk mundesh me ditë prej fillimit deri në fund se çka është kërkesa e koreografit, ose regjisorit e çka është e nevojshme deri në realizmin e premierës, e pasi që të realizohet premiera, në çdo reprizë mund të dëmtohet ndonjë kostum apo diçka nga skenografia e nëse prapë duhet edhe për këtë me hap tender, është më mirë të mbyllet ai institucion komplet”, ka thënë ai. I pyetur se a ka dërguar ankesë, apo vendim në lidhje me këtë në MKRS-së, ai ka thënë se nuk e ka bërë këtë pasi që ankesat e kërkesat e tyre deri tani ua kanë përcjellë disa herë. Vendimin e tij Musolli ka thënë se e ka paraqitur para Këshillit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Nuk është që varet gjithçka nga MKRS-ja, por pasi që ne jemi institucion vartës i saj , ajo duhet të na i sigurojë kushtet e punës, përfshirë edhe ato të sallës e që jemi duke pritur që shumë kohë rinovimin e saj e të krijohen kushte normale, të kemi ajrosje, ndriçim, izolim nga dyshemeja”, ka thënë ai. Ka shtuar se tani gjithçka është e tepruar. Ka theksuar se ata gjithmonë kanë punuar në kushtet me të vështira të mundshme duke i marrë parasysh të gjitha institucionet e tjera.

“Asnjë institucion nuk punon në bodrum dhe asnjë institucion që zhvillon aktivitet fizik nuk lejohet të punojë në bodrum, kështu që është koha që Ministria të trajtojë me seriozitet kërkesën tonë pasi që jemi duke biseduar për çështje që janë esenciale”, ka thënë ai. Ka njoftuar se do të vazhdojnë me reprizat që janë në program dhe se do të punojnë për realizmin e një pjese nga shfaqja “Carmen” për ta dhënë në kuadër të koncerti inaugurues të Operës që pritet të mbahet më 31 dhjetor.

KOHA në lidhje me këtë çështje i është drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti, mirëpo nuk ka marrë përgjigje gjatë së mërkurës.