Takimet me shumë njerëz e shkëmbimi i përvojave janë arsyet kryesore për të cilat gjendet në Paris. Por prej 17 marsit, është e pamundur t’i realizojë këto. Mund të lëvizë një kilometër larg vendit ku banon. E këtë mund ta bëjë para orës 10:00 e pas orës 19:00. Për t’u furnizuar me ushqim, mund të dalë gjatë ditës pas një aplikacioni që ka plotësuar ku arsyeton se i duhet patjetër të lëvizë deri në dyqane ushqimore.
Hapësira prej 15 metrash katrorë ku qëndron në vetizolim tashmë është shndërruar në dhomë dite, dhomë gjumi e sallë ushtrimesh bazike.
Balerini Sinan Kajtazi që e ka zënë pandemia në kryeqytetin francez, ka ndërruar krejt sistemin e jetës.
Më shumë se 300 artistë çdo vit bëhen pjesë e rezidencës artistike “Cité Internationale des Arts” në Paris, institucioni i themeluar më 1965, i cili shërben si rezidencë artistike për artistë nga e mbarë bota. Si i përzgjedhur për edicionin e sivjetmë, Kajtazi është vendosur në institucionin buzë lumit Siena në janar. E dhjetë ditë pa i ardhur koha që të kthehet në Kosovë, solistit të Baletit Kombëtar të Kosovës i është dashur të vetizolohet, raporton KOHA.
Por edhe para pandemisë, punët atje sikur i kanë shkuar ters. Ka thënë se gjatë muajit janar dhe shkurt, Parisi ka qenë pothuajse krejtësisht i bllokuar për shkak të grevave të punëtorëve.
“Sigurisht kjo e ka vështirësuar edhe komunikimin tim me artistë dhe institucione të ndryshme të artit në Paris”, ka thënë ai. Ka përmendur se Opera e Lionit, Konservatioriumi i Muzikës dhe Vallëzimit në Paris, e “Preljocaj Company”, që udhëhiqet nga balerini e koreografi shqiptar me nam botëror, Angjelin Preljocaj, janë vetëm disa nga institucionet e artit me të cilat ka vënë në kontakt. E me shpërthimin e epidemisë, këto kontakte ka qenë e pamundur të vazhdohen.
“Krahas rezidencës artistike në ‘Cité International des Arts’, përgjatë këtyre tre muajve, kam kryer një specializim në fushën e kërcimit te njëri nga pedagogët më në zë në Paris, Wayne Byars”, ka thënë Kajtazi. Bëhet fjalë për profesorin amerikan të vallëzimit, i cili për 35 vjet me radhë është prej emrave kryesorë të këtij arti në qytetin e dritave. Sipas Kajtazit, praktika të cilën ky mjeshtër i baletit ka aftësinë ta përçojë, te balerinët, është jashtëzakonisht frytdhënëse.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.