Kulturë

Arti si terapi psikologjike e dokumentim i frontit ukrainas

Ruslan Pikhota me të birin në Prishtinë

Ruslan Pikhota me të birin në Prishtinë

Situatat humoristike në vizatimet e tij në llogoret e luftës janë të shumta. Por Ruslan Pikhota është fort serioz kur flet për luftën. Është njeri që e do shumë jetën. Ka punuar gjatë në një forum që botonte libra për fëmijë. Është i dhënë pas teknologjisë se këtë e ka thirrje të parë. Por situata ka ndryshuar shumë prej shkurtit të vitit 2022, kur Rusia sulmoi Ukrainën. Ditët e netët janë të gjata në llogore lufte, rrëfen Pikhota. “Kam nisur të vizatoj duke e përdorur si një mjet për ta trajtuar shëndetin tim mendor, por edhe të kolegëve të mi. Ishte si terapi psikologjike”, tregon derisa flet për librin që në shqip mban titullin “Në llogoret e Ukrainës – ditar i luftës 2022-2025”

Doktori ka në tavolinën e punës nja katër shiringa injeksionesh. Kur merr vesh se kërkohet ndihmë për një ushtar të shtangur krejtësisht nga shpërthimi i një predhe, ai pyet: “Cili qe kalibri i predhës?”. Nëpërmjet humorit krijon idenë se për secilin kalibër ekziston një injeksion. Kjo është veç një situatë e satirizuar në librin “Buzëqeshje nën flakën topave: Karikatura nga një ushtar në luftën Rusi-Ukrainë” të autorit, Ruslan Pikhota. Në versionin në shqip me titull “Në llogoret e Ukrainës – ditar i luftës 2022-2025”, botuar nga festivali i romanit grafik “Gran Fest” vjen një pjesë e librit që në origjinal ka 500 faqe. E bashkë me këtë botim, në Kosovë në kuadër të edicionit të gjashtë të Festivalit po qëndron edhe vetë autori i romanit grafik, Ruslan Pikhota. Situatat humoristike në vizatimet e tij në llogoret e luftës janë të shumta. Por Pikhota është fort serioz kur flet për luftën. Është njeri që e do shumë jetën.

Ka punuar gjatë në një forum që botonin libra për fëmijë. Është i dhënë pas teknologjisë se këtë e ka thirrje të parë. Por situata ka ndryshuar shumë prej shkurtit të vitit 2022, kur Rusia sulmoi Ukrainën. 
Pikhota i shoqëruar nga i biri dhe bashkëshortja po shijon pushimin e dytë nga fushat e betejës prej kur ka nisur lufta. Me uniformën e batalionit që i takon si udhëheqës i një togu, një minutë para kohe mbërrin në vendin e caktuar për një bisedë me KOHË-n. Ka çehre prej ushtaraku. Ose, përvoja në luftë ia ka veshur atë nur. Vizatimin nuk e ka ushtruar aq shumë më parë. Pos viteve të shkollës, nganjëherë edhe për t’i ndihmuar të birit në detyrat e shtëpisë. Pikhotas i bëhet qejfi të flasë për librin e tij. Në anglisht nuk ia thotë aq. Për të në anglisht përkthen i biri i cili ndjek studimet për turizëm në Poznan të Polonisë. 

“Iu ktheva prapë vizatimeve në luftë. Në njëfarë forme e rizbulova këtë talent”, rrëfen ushtaraku vullnetar. Kur më 24 shkurt të vitit 2022 Rusia ia mësyu pushtimit të Ukrainës, atë nuk e zinte vendi vend. 

“U zgjuam nga sulmi. E ndjeva si diçka që duhet ta bëjë për vendin tim. Menjëherë jam ofruar si ushtar vullnetar”, tregon ai shkurt e prerazi. Pikhota që tash është në mesin e të 50-tave për dy vjet nga 1989 deri më 1991 ka përfunduar shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kuadër të asaj që ishte Armata e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Pikërisht në vitin kur ai përfundoi këtë shërbim, Ukraina u pavarësua. Saktësisht më 24 gusht 1991. Përvoja e asaj kohe i ka hyrë në punë në vitet e fundit. 

Ruslan Pikhota në një prej fronteve në Kharkiv (Foto: Cristian Segura) 

“Por në batalionin tim ka shumë të atillë që s’kanë kryer shërbim ushtarak dhe lufta është shumë më e rëndë për ata”, shpjegon ai. Me të përmendur batalionin i kujtohet të nxjerrë flamurin që është simbol i këtij formacioni ushtarak dhe bashkë me librin në versionin në anglisht i vendos në tavolinë. I biri mban të veshur një bluzë të mbuluar me kopertinën e librit të të atit. Aty janë edhe kodet për të blerë librin online ose për ta pëlqyer atë në rrjete sociale. Deri më tash libri është botuar vetëm në anglisht dhe në shqip. Kanë shpresë të madhe se shitja do t’ua mundësojë edhe botimin në gjuhën amtare e atë polake, pasi Polonia është pritësi më i madh i refugjatëve ukrainas. Ditët e netët janë të gjata në llogore lufte, rrëfen Pikhota. 

“Kam nisur të vizatoj duke e përdorur si një mjet për ta trajtuar shëndetin tim mendor por edhe të kolegëve të mi. Ishte si terapi psikologjike”, tregon ai. Ka marrë goxha vëmendje nga reporterët e mediave botërore që kanë vizituar frontet e luftës në Donbas e Kharkiv. Janë zonat me betejat më të ashpra, e po ashtu edhe vendbanimet më të shkatërruara si pasojë e luftës. Pak ditë pas fillimit të luftës do të pësonte goxha rëndë. Pas dy muajsh qëndrimi në spital e pak ditëve pushim, do të rikthehej prapë në front. Nevoja për të punuar një poster në Ditën e Këmbësorisë do ta shtynte një mik të tij për t’i thënë eprorit se Pikhota mund ta bëjë këtë. Dhe prej aty siguroi edhe një bllok për ilustrimet. 

“Humori është diçka shumë i nevojshëm në luftë. Askush në ato gjëra të tmerrshme që përjeton nuk mund t’ia del pa humor. Është terapi e mirë në atë realitet të tmerrshëm”, rrëfen ai derisa i shkon buza në gaz. Hiperbolizimi e satirizimi i kanë hyrë në punë në projektin e tij. Por përmend se para efektit artistik në ilustrimeve gjithnjë baza është e vërtetë. Situata e paraqitura në libër janë sa të dhimbshme po ashtu me fije të gjalla të humorit. Tregohet për ditë të rënda, për gra që para shtëpive të shkatërruara kërkojnë vrasjen e ushtarëve rusë e shumë situata të tjera. Ngjan sikur kolegët e tij edhe e kanë shtuar dozën e humorit sa për t’i dhënë material Pikhotas. 

“Vizatimi më dërgon në një dimension tjetër. E largon mendjen nga bombat e përditshme”, rrëfen ai. Në anën tjetër vizatimi e ka kthyer te vetja. Thotë se midis ofensivash të egra e qëndrimit në tunele, ilustrimet e kanë bërë të ndihet njeri.  

“Midis qëllimeve është edhe ai se pavarësisht luftës njeriu mbetet njeri”, thotë Pikhota. Ilustrimet i ka ditar. Kur pyetet se a i ka shkuar mendja se mund të vdes dhe ky ditar të ngelet trashëgimia e tij, i biri preferon që të mos e përkthejë pyetjen.

“Ai preferon të mos e mendojë këtë. Refuzon ta mendojë këtë”, thotë djaloshi me flokëgjatë. Pikhota tash ka dy javë pushim. Në Prishtinë është rreth një javë me të birin dhe bashkëshorten. Më pas do ‘t’ua mësyjë prapë fushëbetejave. Ilustrimet me dronët rusë mbi kokë janë skena të rënda. Nuk e ka ndërmend të ndalet së vizatuari. Për gjendjen aktuale në Ukrainë ka shumë mëdyshje. 

“Në fillim kishte shumë më shumë motiv por nuk kishim armë. Tash shumë prej atyre të motivuarve kanë vdekur shumë kurse armë kemi mjaftueshëm. Pra, si atëherë edhe tash është mjaft e vështirë”, thotë ai. Luftën e tij kundër armiqve e ka në dy fronte: në njërën anë me armë zjarri në tjetrën me art. Për të arti është armë më e fortë.

“Misioni kryesor i promovimit të librit është të tregojë se çfarë po ndodh në vendin tonë. Dua që njerëzit ta dinë se lufta po vazhdon. Në beteje ne e shohim qartë se jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore. Këtë e nuhasim mirë. Në palën ruse ka edhe pjesëtare të ushtrive të tjera. Në Evropë e në vendet e tjera më duket sikur nuk e shohin se kjo është e vërtete. Ndoshta ky libër e sqaron sado pak situatën”, thotë ai. Synimet i ka që të vazhdojë të ilustrojë histori të vogla të njerëzve të thjeshtë në mënyrë që të dokumentoi atë që përjetojnë. 

“Arti për mua është arma më e fuqishme. Më e fuqishme se fjala. Ilustrimet mund t’i kuptojë secili, prej fëmijëve te të moshuarit. Nga i çmenduri deri te më të mençurit”, thotë Pikhota. Vizatimet e tij krejt në fillim i ngarkonte në një kanal komunikimi me kolegë ushtarë. Dhe, pëlqeheshin shumë. Madje, i ati i një prej kolegëve i ka shtypur disa prej tyre duke i ekspozuar në shtëpi. E një tjetër koleg i ka rrëfyer se i biri 5-vjeçar i pëlqen shumë ilustrimet dhe mezi pret të mësojë shkronjat që t’i lexojë bashkëbisedimet midis ushtarëve. Këto duket sikur e mbushin jetë Pikhotan. I japin vullnet, që frontin ta ketë me të dy armët: atë të zjarrit dhe artin.