Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 erdhi në rrethana jashtëzakonisht të rënda, ndërsa roli vendimtar për realizimin e saj iu atribuua Austro-Hungarisë. Sipas tij, këtë moment historik nuk mund ta kuptojmë pa marrë parasysh zhvillimet dramatike në Ballkan dhe interesat e fuqive të mëdha të kohës.
Sipas Buxhovit, edhe pse marrëveshja e Hasan Prishtinës me Perandorinë Osmane krijoi hapësirë për një autonomi shqiptare me katër vilajete, situata ndryshoi rrënjësisht me shpërthimin e luftërave ballkanike.
“Hapësira shqiptare u pushtua nga katër fuqi ballkanike. Perandoria Osmane, edhe pse konsiderohej superfuqi, kapitulloi shumë shpejt”, theksoi ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Në këtë vakum politik, sipas historianit, intervenoi Austro-Hungaria, e cila veproi me shpejtësi për të shmangur daljen e Serbisë në det.
“Ajo mblodhi në Shkup liderët shqiptarë që nuk u burgosën nga Serbia, mori Ismail Qemalin nga Stambolli, e çoi në Vjenë dhe e përgatiti rrugën drejt shpalljes së pavarësisë”, u shpreh Buxhovi.
Ai ka thënë se një nga motivet kryesore të Vjenës ishte pengimi i pansllavizmit dhe ruajtja e ekuilibrave në Adriatik.
Historiani i përshkruan ditët para 28 Nëntorit si “10 ditë dramatike”, ku ndërkohë Shqipëria ishte e pushtuar dhe e ndarë në katër pjesë. Megjithatë, shpallja e Pavarësisë hapi kapitullin e parë të shtetësisë shqiptare pas gjashtë shekujsh.
Ai kujtoi se Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e nisur më 17 dhjetor, e gjeti Shqipërinë formalisht të shpallur shtet të pavarur, dhe pas shumë negociatave u vendos që ajo të njihej si principatë nën një princ gjerman, me mbikëqyrje dhjetëvjeçare nga gjashtë fuqitë e mëdha.
“Edhe pse u pranuam të përgjysmuar, kjo ishte fitore e jashtëzakonshme. Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbetën nën Serbi, të pushtuara, por pa pranimin e Shqipërisë si shtet nuk do të kishte vijimësi politike shqiptare”, theksoi Buxhovi.
Ai nënvizoi se Austro-Hungaria dhe pjesërisht Italia bënë përpjekje të mëdha për largimin e ushtrive serbe dhe greke nga territori shqiptar, ndërsa njësitë e huaja u tërhoqën plotësisht vetëm deri më 1913–1914.
Duke e lidhur këtë periudhë me zhvillimet moderne, Buxhovi u shpreh se ekziston një paralelizëm historik.
“Ashtu si në 1912, edhe shteti i Kosovës nuk do të ishte i pavarur pa mbështetjen e Perëndimit”, ka deklaruar ai.