Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“On the Adamant” që dëshmon shprehjen njerëzore merr “Ariun e Artë”

Dokumentari francez i Nicolas Philibertit është cilësuar si “dëshmi kinematografike për domosdoshmërinë jetike të shprehjes njerëzore”. Philibert, me këtë vepër portretizon një institucion psikiatrik në Paris, ku pacientët shprehin veten nëpërmjet mjeteve të ndryshme krijuese. “Siç e dimë të gjithë, njerëzit më të çmendur nuk janë ata për të cilën ne mendojmë”, ka thënë ai, të shtunën teksa ka marrë “Ariun e Artë” të “Berlinales”

“A jeni çmendur apo çka?! Është e tepërt”, ka qenë reagimi i parë i filmbërësit francez, Nicolas Philibert, pasi u ngjit në skenë për të marrë “Ariun e Artë”, çmimin kryesor në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, për dokumentarin e tij “On the Adamant”.

Filmi është “dëshmi kinematografike për domosdoshmërinë jetike të shprehjes njerëzore”, ka thënë presidentja e jurisë, Kristen Stewart, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të mbajtur të shtunën në mbrëmje.

Philibert, dokumentari i të cilit më 2002 “To Be and to Have” ishte një sukses ndërkombëtar, portretizon në projektin e fundit filmik një institucion psikiatrik në Paris, ku pacientët shprehin veten nëpërmjet mjeteve të ndryshme krijuese.

“Siç e dimë të gjithë, njerëzit më të çmendur nuk janë ata për të cilën ne mendojmë”, ka thënë Philibert, duke mbyllur fjalimin e pranimit të çmimit.

Pos çmimit kryesor, çmimet “Ariu i Argjendtë” u ndanë për disa kategori të ndryshme.

Regjisori gjerman, Christian Petzold, mori çmimin e dytë për nga rëndësia, Çmimin e Madh të Jurisë për “Afire”, një film që u përshkrua nga juria si “udhëtim me plot befasi, nga komedia në tragjedi”. Ndërkaq, “Ariun e Argjendtë”, Çmimin e Jurisë, e fitoi regjisorit portugez, Joao Canijo për “Bad Living”.

Veterani francez, Philippe Garrel, mori “Ariun e Argjendtë” për regjinë më të mirë për filmin “The Plough”. Juria e përshkroi regjisorin 74-vjeçar si “shpirtin më të ri, e më argëtues që ka takuar”. Garrel ia dedikoi çmimin, kolegut të ndjerë francez, Jean-Luc Godard.

Aktorja e re, Sofia Otero, mori çmimin “Ariu i Argjendtë” për rolin kryesor në portretizimin e një vajze të re transgjinore në “20,000 Species of Bees” të Estibaliz Urresola Solaguren, ndërsa aktori austriak transgjinor, Thea Ehre, mori çmimin për rolin dytësor për paraqitjen në trilerin romantik “Till the End of the Night” nga regjisori gjerman Christoph Hochhausler.

Tjetër regjisore gjermane, Angela Schanelec, fitoi çmim për skenarin më të mirë në veprën e saj eksperimentale të bazuar në mitin grek të Edipit, “Muzika”.

Në fund, “Ariu i Argjendtë” për kontributin e jashtëzakonshëm artistik iu nda kameramanes Helene Louvart për punën e saj në “Disco Boy” të Giacomo Abbruzzeses.

Juria kryesore udhëhiqej nga aktorja amerikane, Kristen Stewart, që shoqërohej nga aktorja iraniano-franceze Golshifteh Farahani, regjisorja gjermane Valeska Grisebach, producentja franceze, Francine Maisler, regjisori nga Hong-Kongu, Johnnie To dhe dy fituesit e fundit të “Ariut të Artë”, regjisori rumun Radu Jude dhe regjisorja nga Katalonia, Carla Simon.

Në mesin e favoritëve të kritikëve që nuk u zgjodhën nga juria ishin hiti i “Sundanceit”, “Past Lives” nga regjisorja koreano-kanadeze Celine Song dhe meksikani “Totem” nga Lila Aviles. “Suzume”, animacion nga Japonia gjithashtu u largua me duar bosh. Ishin 19 filma që konkurronin për çmimin kryesor të “Berlinales”

Çmime u ndanë edhe nga juri të ndryshme të pavarura, më herët gjatë ditës të shtunën. “Totemi” i Lila Avilesit fitoi Çmimin e Jurisë Ekumenike, ndërsa Juria e Federatës Ndërkombëtare të Kritikëve ia dha çmimin “The Survival of Kindness” të Rolf de Heerit.

Çmimi “Teddy” për filmin më të mirë artistik – çmim që fokusohet në kinemanë ‘queer’ – shkoi për “All the Colours of the World Are Between Black and White” të regjisorit nigerian, Babatunde Apalowo, për historinë e tij për dy burra që zhvillojnë marrëdhënie të ngushtë në një shtet ku marrëdhëniet homoseksuale janë ilegale.

Çmimi “Panorama Audience” për filmin më të mirë shkoi për “Sira” të regjisores Apolline Traore nga Burkina Faso. Filmi ka të bëjë me një grua feministe që rivalizon terrorin islamik. Dokumentari më i mirë sipas kësaj audience, u zgjodh “Kokomo City”, që portretizon jetën e punëtorëve trans afro-amerikanë të seksit në SHBA.

Pas dy vjet ndalesash pandemike, festivali i filmit iu kthye formatit të rregullt sivjet. I njohur si festivali më politik nga të gjitha festivalet kryesore të filmit, “Berlinale” i kushtoi ngjarje të ndryshme speciale Ukrainës, duke shënuar njëvjetorin e agresionit të Rusisë, dhe protestuesve të Iranit.

Gati 300 filma u shfaqën në seksione të ndryshme të festivalit. Teksa ceremonia e ndarjes së çmimeve shënoi ngjarjen e fundit në tapetin e kuq të “Berlinales”, festivali dhjetëditor mbyllet të dielën me më shumë shfaqje për publikun.

Ndryshe, festivali po i jep fund edicionit të 73-të, disa herë ka pritur edhe filma nga Kosova. Madje edhe duke qenë konkurrente. Por sivjet nuk ka ngjarë kësisoj. Megjithatë, Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vazhduar traditën e prezantimit në Tregun Evropian të Filmit në “Berlinale”. Ka prezantuar produksionet, ka lidhur marrëveshje, por edhe e ka promovuar Kosovën si vend atraktiv për shesh xhirimi, duke promovuar edhe ofertën për filmbërësit e huaj. QKK-ja është prezantuar në të njëjtin shtand me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë.

Më 2019, dokumentari “Në mes” në regji të Samir Karahodës e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare të Festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore. E emri i Kosovës në këtë Festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi, ishin të parët nga Kosova të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinale”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën, “Falja e gjakut” në regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan, shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz

Përgatiti: Endrit Berisha

Artikuj të ngjashëm