Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Palma e Artë” për “Fjord” ku përplasen kulturat e kufijtë e lirisë

Regjisori rumun Cristian Mungiu me filmin “Fjord” të shtunën mbrëma ka triumfuar në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes. Kjo është e dyta “Palmë e Artë” në karrierën e tij

Regjisori rumun Cristian Mungiu me filmin “Fjord” të shtunën mbrëma ka triumfuar në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes. Kjo është e dyta “Palmë e Artë” në karrierën e tij

Foto: Associated Press

“Gjendja e botës nuk është më e mira sot. Nuk jam krenar për atë që ua lëmë fëmijëve tanë”, ka thënë të shtunën mbrëma regjisori rumun Cristian Mungiu. E, për ta luftuar anën e errët ai përdor artin. Me filmin “Fjord” ka marrë “Palmën e Artë” në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes, i vlerësuar si njëri prej edicioneve më politike, më të paparashikueshme artistikisht dhe më pak të dominuara nga Hollywoodi. Këtë vit në qendër ka qenë kinemaja autoriale pa favorit të qartë për çmimin kryesor. Një shenjë të veten ka lënë edhe Kosova, me filmin “Dua” të Blerta Bashollit

Për të dytën herë në karrierë, regjisori rumun Cristian Mungiu ka fituar “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Cannes. Kësaj here me “Fjord”, pas triumfit të tij paraprak në festivalin prestigjioz me filmin “4 Months, 3 Weeks and 2 Days” më 2007. Filmi më i mirë i edicionit të sivjetmë trajton përplasjen e vlerave tradicionale fetare me ato progresive dhe kufijtë midis lirisë personale dhe kërkesës së shoqërisë për konformizëm. 

Nga kritika është vlerësuar si sagë e mençur ligjore dhe familjare, fort komplekse dhe që shkon përtej përgjigjeve të thjeshta. Konfirmimi kulmues i këtyre vlerësimeve për filmin ka qenë ceremonia e ndarjes së çmimeve e Festivalit të Filmit në Cannes, të shtunën mbrëma kur edhe janë ndarë çmimet për të mbyllur maratonën 12-ditore të një prej festivaleve më të rëndësishme në botën e filmit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pasi ka pranuar çmimin, regjisori rumun i është referuar gjendjes politike në botë.

“Gjendja e botës nuk është më e mira sot. Nuk jam krenar për atë që ua lëmë fëmijëve tanë”, është shprehur regjisori Cristian Mungiu, në fjalën e tij pasi mori çmimin.

Drama anti-Putin, “Minotaur”, e regjisorit rus në azil Andrey Zvyagintsev, ka marrë “Grand Prix”. Trilleri politik i vendosur në sfondin e luftës ruso-ukrainase ka vazhduar me trendin e temës së luftës së këtij edicioni.

Çmimin e Jurisë e mori filmi “The Dreamed Adventure” nga Valeska Grisebach.

“Filmi trajton një situatë që i ngjan luftës. Kush po fitonte? Kush po humbiste? Është e vështirë të thuhet. Ishte shumë emocionuese të lexoja dëshmitë e të gjithë këtyre njerëzve që flisnin për jetën e tyre të përditshme, që jetonin një situatë intensive, plot ndjeshmëri dhe butësi ndaj të tjerëve. Më kujton këtë fjalë shumë të bukur: superfuqia jonë”, ka thënë regjisorja gjermane pasi ka pranuar çmimin.

Çmimi për Regjisorin më të Mirë është ndarë midis Javier Calva e Javier Ambrossi për filmin “The Black Ball” si dhe për Pawel Pawlikowski për filmin “Fatherland”.

“Duhet të ketë këtë hapësirë lirie për artin, sepse jetojmë në një botë në të cilën gjithnjë e më shumë njerëz janë të bindur fort se janë në anën e duhur. Kinemaja duhet të tregojë se gjërat nuk janë aq të thjeshta. Kjo është arsyeja që e bëmë këtë film”, ka thënë regjisori polak Pawel Pawlikowski.

Ndërsa spanjolli Javier Ambross ka thënë se arti e ngrit humanitetin në shkallë tjetër.

“Arti na lejon të bëhemi njerëz më të mirë. Arti na bën të ndryshojmë në thellësi të shpirtit tonë. Shpresoj që arti të ndryshojë edhe njerëzit që do ta shohin filmin”, ka thënë ai.

Çmimi për Aktoren më të Mirë gjithashtu është ndarë në dysh midis Virginie Efira dhe Tao Okamoto për rolet e tyre në filmin “All of a Sudden”.

Edhe çmimi për Aktorin më të Mirë është ndarë në dysh duke shpallur fitues Valentin Campagne dhe Emmanuel Macchia për rolet e tyre në filmin “Coward”.

Ndërsa për Skenarin më të Mirë është vlerësuar Emmanuel Marre, skenaristi e regjisori i filmit “A Man of His Time” që flet për rezistencën franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pasi ka pranuar çmimin ai ka thënë se duke e realizuar filmin janë përpjekur të kuptojnë përjashtimet, bombardimet e gjenocidin të prira prej udhëheqësve të një shteti.

“Ne jemi përpjekur të kuptojmë se si dhuna, nevoja për të dominuar, nevoja për të qetësuar veten duke përjashtuar tjetrin, si këta lloj udhëheqësish të vegjël që nuk dinë të duan, që nuk dinë të ndajnë, që nuk dinë ta shohin një person tjetër si qenie njerëzore, përjashtojnë, bombardojnë dhe kryejnë gjenocid, kur ata janë në krye të një shteti”, është shprehur Marre.

Çmimin “Kamera e Artë” e ka marrë filmi “Ben'Imana” nga Marie Clémentine Dusabejambo ndërsa “Palmën e Artë” për film të shkurtër e ka marrë “For the Opponents” nga Federico Luis.

Juria e garës kryesore këtë vit u drejtua nga regjisori koreano-jugor Park Chan-wook i cili në vitin 2022 kishte marrë Çmimin për Regjisorin më të Mirë për trilerin mister romantik “Decision to Leave”. Anëtarë të jurisë kanë qenë edhe Demi Moore, Chloé Zhao dhe Stellan Skarsgård.

Ceremonia u mbajt në “Grand Théâtre Lumière”, salla më prestigjioze e Festivalit të Cannes dhe konsiderohet si një nga hapësirat më ikonike të kinemasë botërore që ndodhet brenda Pallatit të Festivaleve dhe Kongreseve në qytetin e Cannes.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit, që u mbajt nga 12 deri më 23 maj u mbyll si një nga edicionet më politike, më të paparashikueshme artistikisht dhe më pak të dominuara nga Hollywoodi. Këtë vit në qendër ka qenë kinemaja autoriale pa favorit të qartë për “Palmën e Artë”.

Kanë qenë gjithsej 22 filma në garë për “Palmën e Artë” të këtij edicioni si “Amarga Navidad” nga Pedro Almodóvar, “A Woman’s Life” nga Charline Bourgeois-Tacquet, “La Bola Negra” nga Javier Calvo dhe Javier Ambrossi, “Coward” nga Lukas Dhont, “Parallel Tales” nga Asghar Farhadi, “Paper Tiger” nga James Gray, “Das Geträumte Abenteuer (The Dreamed Adventure)” nga Valeska Grisebach e “All of a Sudden” nga Hamaguchi Ryusuke.

Në garë për çmimin kryesor kanë qenë gjithashtu edhe filmat “The Unknown” nga Arthur Harari, “Another Day” nga Jeanne Herry, “Sheep In The Box” nga Koreeda Hirokazu, “Hope” nga Na Hong-jin, “Nagi Notes” nga Fukada Koji, “Gentle Monster” nga Marie Kreutzer, “A Man Of His Time” nga Emmanuel Marre, “Fjord” nga Cristian Mungiu, “The Birthday Party” nga Léa Mysius, “Moulin” nga László Nemes, “Fatherland” nga Paëeł Paëlikoëski, “The Man I Love” nga Ira Sachs, “El Ser Querido (The Beloved)” nga Rodrigo Sorogoyen si dhe “Minotaur” nga Andreï Zviaguintsev.

Aktorja franko-maliane Eye Haïdara e ka prezantuar ceremoninë e mbylljes së Festivalit, sikurse edhe atë të hapjes më 12 maj.

“Palma e Artë” është prezantuar nga aktorja skoceze Tilda Swinton, ndërsa çmimet e tjera nga kineastë si Geena Davis, Xavier Dolan, Pierfrancesco Favino, Gael García Bernal, Nadine Labaki dhe Zoe Saldaña.

Sivjet, ndryshe nga viti i kaluar, Kosova pati rrëfimin e tij në këtë festival prestigjioz. Filmi “Dua” nën regji të Blerta Bashollit, pos premierës botërore në Festivalin e Cannes, gjithashtu ka marrë çmimin “SACD” që është çmim për skenar, në “Semaine de la Critique”, seksion paralel i ngjarjes së njohur i cili mbahet tash e 65 vjet.

Në mbyllje, “Palma e Artë e Nderit” i është dhënë kineastes e këngëtares amerikane Barbara Streisand, gjatë ceremonisë. 84-vjeçarja nuk ka qenë e pranishme, por çmimin e ka pranuar aktorja franceze Isabelle Huppert e cila i ka bërë homazh Streisand për karrierën e saj.

Në fjalimin e saj, Huppert ka thënë se të njëjtat figura që e frymëzuan Streisand të ndiqte karrierën si aktore e regjisore, po ato kanë pasur ndikim edhe te vetë ajo. Bëhet fjalë për François Truffaut dhe Akira Kurosawa.

“Pikërisht pranë shkollës sime të mesme ishte një sallë e vogël që shfaqte filma të huaj nga regjisorë si Truffaut dhe Kurosawa. Doja të bëhesha aktore dhe të jetoja në ato botë interesante. Vite më vonë e kuptova se gjithmonë i shikoja filmat si një tërësi. Mendoja si një regjisore dhe po kuptoja se si ta tregoja historinë. Dhe kisha histori që doja të tregoja –  si Yentl. Por unë isha një grua, dhe akoma më keq, isha një aktore që doja të bëja regji. Duhej ta bëja këtë film. Dhe ky është lloji i pasionit që të nevojitet. Ky është lloji i pasionit që kanë të gjithë në këtë sallë. Filmi ka magjinë për të na bashkuar. Kjo është ajo që po festojmë këtu në Kanë. Rroftë Kinemaja!”, është shprehur ajo.

Në aspektin e temave dhe atmosferës, festivali konsiderohet të ketë qenë me klimë të ngarkuar politike dhe shoqërore. Ngjarja ka reflektuar mbi tensionet ndërkombëtare dhe debatet kulturore të momentit ku kishte edhe debate publike rreth mënyrës së prezantimit në tapetin e kuq dhe kufizimeve të reja të kodit të veshjes. Sivjet organizatorët vendosën rregulla të rrepta ndaj veshjeve ekspozuese.

Në edicionin e kaluar, filmi “It was just an accident” nën regji e me skenar të iranianit Jafar Panahisi, si rrëfim imagjinar që vinte në pikëpyetje kuptimin e lirisë në Iran, kishte marrë “Palmën e Artë”. Juria e vitit të kaluar, e kryesuar nga aktorja franceze Juliette Binoche, kishte vlerësuar gjithashtu brazilianin Kleber Mendonça Filho si Regjisori më i Mirë për filmin “The agent secret”. Nadia Melliti kishe marrë Çmimin për Aktoren më të Mirë për rolin e saj në filmin “La petite derniere” të Hafsia Herzi e Wagner Moura për performancën e tij në filmin “The Secret Agent” nga Kleber Mendonça Filho.

Çmimi i Jurisë qe ndarë midis regjisorit spanjoll Olivier Laxe për filmin “Sirat” dhe “Sound of Falling” nga regjisori gjerman Mascha Schilinski. “Kamera e Artë” i ishte dhënë për filmit të parë artistik “The President’s Cake”, të regjisorit irakian, Hasan Hadi, ndërsa Çmimin për Skenarin më të Mirë e pati marrë filmi “Young Mothers” nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. “Palmën e Artë” për film të shkurtër, vitin e kaluar e ka marrë filmi “I’m glad you’re dead now” nën regji të Tawfeek Barhom, ndërsa Mirënjohje speciale në këtë kategori kishte marrë filmi “Ali” i regjisorit Adnan Al Rajeev.

Edicioni i 79-të u konsiderua më politik se edicionet e tjera ngase një pjesë e madhe e filmave në garë trajtonin luftën, historinë, autoritarizmin, kujtesën kolektive dhe përgjegjësinë morale. Vetë drejtori artistik i festivalit, Thierry Frémaux, e kishte përshkruar përzgjedhjen e filmave si të përqendruar në tema aktuale – çështjet sociale, dhuna, lufta dhe rikthimi te historia si mënyrë për të kuptuar të tashmen.

U konsiderua i paparashikueshëm artistikisht ngase nuk pati një film dominues që konsiderohej që në fillim si fitues i sigurt i “Palmës së Artë”  ndërsa më pak i dominuar nga Hollywoodi ngase munguan filmat e mëdhenj të studiove amerikane. Kësisoj Cannes i këtij viti u pa si rikthim te identiteti tradicional i festivalit – më pak spektakël, më shumë debat, autorë, kinema e reflektim mbi rrethanat e së tashmes.

Festivali i Filmit në Cannes u hap më 12 maj me filmin francez të viteve ’20, “The Electric Kiss”. Në ceremoninë hapëse, Cannes ka nderuar me një çmim special “Palma e Artë” edhe regjisorin e shquar Peter Jackson.