Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Anibari”, urë lidhëse me botën e animacionit

Me pesë prezantime të veçanta, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar “Anibar” synon të nisë edicionin e vet të 12-të.

Nëpërmjet dy kumtesave të nisura në adresë të mediave, ngjarja e njohur në qytetin e Pejës është përshkruar si një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës së artit të animacionit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të lumtur që çdo vit mund të ofrojmë prezantime të animatorëve me famë botërore tek audienca jonë lokale dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Kështu, “Epxanded Animation” nga Jurgen Halger, profesor në Hagenberk të Austrisë, është prezantimi që do të mbahet më 24 korrik në orën 12:00 në kinema “Jusuf Gërvalla”.

“Prezantimi ka për qëllim që të shfaqë mundësitë e pafundme që ofron bota e animacionit. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit, ky prezentim do të shfaqet nga distanca: Jurgen do t’i flasë audiencës virtualisht përmes ekranit”, thuhet në kumtesë.

Programi tjetër “The journey of a clitoris across the world”, Lori Malépart është përshkruar nga “Anibar” si një proces krijues që përcjell udhëtimin e një klitorisi nëpër botë. Sipas kumtesës, Malepart “do të ndajë me ne disa detaje të lezetshme mbi qasjen e saj krijuese duke filluar nga përpjekja e saj e parë në animacion e deri në filmin e saj të parë”.

Prezantimi i tretë do të jetë “Animated Documentaries” nga Frédéric Schuld, që sjell përvojat e tij për konceptet abstrakte të përvojës njerëzore. Programi tjetër do të jetë ai i Mauro Carraros “Into 3D Animation”, që sjell përvojat e tij mbi filmat e tij të animuar. Së fundmi, edhe Brook Keesling do të mbajë një prezantim virtual që do të jetë i përqendruar në komunitetin e industrisë krijuese.

“Jurgen Halger, Lori Malépart, Frédéric Schuld, Mauro Carraro dhe Brooke Keesling mezi presin t’ju takojnë gjatë prezantimeve të tyre. Ne jemi shumë të lumtur që mund të vazhdojmë me traditën e sjelljes së miqve tanë ndërkombëtarë. Një traditë e bashkëpunimit multi-kulturor midis kombeve, që bashkohet përmes artit është forca e shquar lëvizëse që ende shtyn përpara festivalin e organizimin në përgjithësi”, përfundon kumtesa.

Ndërkohë, “Anibar” ka bërë me dije se do të shfaqë edhe katër programe speciale si: “Brazen”, “Variations of Isolation”, “YOU ANIMAL” dhe “Experimental”. Sipas kumtesës, këto programe do t'i japin audiencës së festivalit një përvojë të shkëlqyer artistike të animacionit.

“Këto programe speciale paraqesin tema të ndryshme duke u fokusuar në një kuptim më të thellë të animacionit, dhe duke ofruar ambientin artistik që secili t’i kuptojë ato nga një këndvështrim artistik. Gjatë kohës së izolimit, ‘Anibar’ pranoi një numër të jashtëzakonshëm të aplikimeve nga e gjithë bota, shumica e të cilave janë produkt i izolimit. Një krijues/e i/e izoluar mund të krijojë punë interesante dhe artistike, kështu që, tani që të gjithë krijuesit e kanë përfunduar realizmin e punës së tyre, është koha që këto krijime të shfaqen në kinematë tona”, thuhet në kumtesë.

Prej 23 deri më 30 korrik, “Anibari” me edicion e 12-të do të festojë ëndrrat, imagjinatën e lirinë nëpërmjet filmave të animuar. “Izolimi” është temë e sivjetme, porse gjithçka përreth festivalit ka të bëjë me të kundërtën “Ne i bëjmë njerëzit bashkë, shfaqim filma në ambiente të hapura dhe tregojmë art pa kufij”, kishin zbërthyer organizatorët. Programi prej 300 filmash, i bërë publik javën e kaluar, shpërndahet edhe në gjashtë kategori garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Tri kategoritë e tjera janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.

Për këtë edicion, “Anibar” do t’i ketë premierat botërore si: “Raft” nga Marko Mestroviq, si pjesë e Garës Ballkanike, e “Error” nga Lucie Vostárková në Garën Studentore. Po në këtë të fundit është edhe “Red Shoes” nga Anna Paděrová, që vjen në Kosovë pas premierës në Festivalin e Filmit në Cannes.

Programi i këtij viti përfshin filma që janë shfaqur, nominuar e që kanë fituar çmime në “Annecy International Animation Film Festival”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Sundance Film Festival” dhe shumë të tjerë.