Kulturë

“Anibari” ndez projektorët e çizolimit

“Kino Liqeni” mbrëmjen e së premtes mori pamjen që shumë veta e kujtonin me mall, turmën e organizimit të një festivali, i cili tanimë është dëshmuar në botën e thellësisë artistike e laramanisë së ngjyrave. Kineastë, artistë e dashamirë të botës së animacioneve u stacionuan në Pejë, duke marrë me vete dëshirën e rikthimit të festivalit të filmave të animuar “Anibar” në formatin fizik. Qysh në hapje motoja e sivjetme “izolimi” kumboi me “çizolimin”

“Terri” u zëvendësua me gjallërinë artistike tek u ndezën projektorët për të 12-n herë me radhë. E kjo u bë në një ambient të hapur – larg katërmurëshit, objektit të izolimit për gati një vit e gjysmë – dhe tanimë njerëzit nuk komunikojnë me distancë fizike e afërsi fjalësh, por kësaj radhe gjithçka është e prekshme dhe e qasshme.

“Kino Liqeni” mbrëmjen e së premtes mori pamjen që shumë veta e kujtonin me mall, turmën e organizimit të një festivali, i cili tanimë është dëshmuar në botën e thellësisë artistike e laramanisë së ngjyrave. Kineastë, artistë e dashamirë të botës së animacioneve u stacionuan në Pejë, duke marrë me vete dëshirën e rikthimit të festivalit të filmave të animuar “Anibar” në formatin fizik.

E kjo gjeti realizim në një ambient simpatik, nën reflektimin në liqen të dritave e videove të shfaqura në ekranin e madh, të cilat bënin që motoja e sivjetme “izolimi” të kumbonte me “çizolimin” që filloi të jetësohej.

Për festivalin, i cili ndër vite ka sjellë pranë ekraneve të kinemave sekuenca të veçantive e simbolikave frymëzuese në ravijëzime e ngjyra të ndryshme, ceremonia hapëse nuk kishte se si të ndodhte përveçse me një videoanimacion.

Ishte trileri i cili me gërshetimin e protagonistëve njeri e kafshë, ngjyrave kuq, kaltër, gjelbër e bardhë, e lëvizjeve nga njëra formë te tjera, shpaloste kategoritë kryesore të Festivalit – Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut – si dhe ato jogaruese – Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.

Pas pak sekondash dritat u ndezën dhe në skenën e improvizuar para hapësirës me ujë u shfaq moderatori Kreshnik Berisha.

“Një gjë që e bën të veçantë këtë edicion është se ka pasur rekord të aplikimeve të filmave kombëtarë. Para 12 vjetësh, kur është mbajtur edicioni i parë s’ka pasur asnjë aplikim”, ka thënë ai në fjalën e hapjes.

Rreth 300 filma janë përzgjedhur për këtë vit post-pandemik nga 1 mijë e 413 aplikime gjithsej.

“Po duket që edhe filmi i animuar po i ndjek hapat e kinematografisë shqiptare”, ka vlerësuar Berisha.

E drejtoresha e Festivalit, Arba Hatashi, ka thënë në emër të ekipit organizator se ndihen të lumtur që kësaj radhe po takohen fizikisht me artdashësit.

“Është kënaqësi për ne t’ju presim në një vend shumë energjik për Festivalin dhe për kontributin e tij në fushën e animacionit”, ka thënë Hatashi.

Tutje, gjatë fjalimit të saj ajo u shpreh se animatorët e kanë pasur të mbarën gjatë izolimit, për shkak se kanë pasur mundësi të krijojnë e të thellohen në botën artistike.

“Arsyeja pse këtë vit e kemi përzgjedhur temën e izolimit është që jemi duke e bërë të kundërtën, duke u mbledhur bashkë, duke u kujdesur për njëri-tjetrin”, ka thënë ajo.

Image

Për festivalin i cili ndër vite ka sjellë pranë ekraneve të kinemave sekuenca të veçantive e simbolikave frymëzuese në ravijëzime e ngjyra të ndryshme, ceremonia hapëse nuk kishte se si të ndodhte përveçse me një videoanimacion

Midis ironisë së izolimit fizik për Kosovën

Në një videoprojeksion janë shfaqur kafshë turlifare. Majmunë, arusha, rinocerontë e shumë të tjerë shfaqeshin me thënie simbolike, duke e bërë publikun konfuz për arsyen e këtij kombinimi. “Liria kërkohet kudo, edhe nëpër sanë”, “Izolimi për shkak të privimit të martesave të gjinisë së njëjtë”, “Izolimi shoqëror”, “Izolimi mendor”, ishin disa nga motivet e ndërrimeve të sekuencave.

Mirëpo, pjesa më goditëse e saj ishte kur videoja përtej koncepteve të thella filozofike preku rrafshin vendor. Arsyeja e shfaqjes së kafshëve qëndronte në lirinë e lëvizjes së tyre – përmes marrjes së vizës – teksa njerëzit e Kosovës ende vazhdojnë të privohen nga kjo e drejtë. E në një natyrshmëri të kombinimeve, videoja tregonte në formë ironike se për të shëtitur një vend përtej kufijve ballkanikë, e tëra që “duhej” të bënte qytetari kosovar ishte të aplikonte për vizën e kafshëve, duke përzgjedhur llojin të cilit i përkiste.

Drejtori artistik i “Anibarit”, Petrit Dora, si ideator i kësaj videoje, nuk ka pranuar të prononcohet në një intervistë, duke besuar se mesazhi do të ishte i fuqishëm vetëm atëherë kur do të mbetet në memorien e të pranishmëve si pamje vizuale dhe jo si përshkrim fjalësh.

Image

Kori “Siparantum” nën dirigjimin e Memli Kelmendit me “I want to break free”...

“I Want to Break Free” si kundërvënie pandemike

Të veshur me elegancën e së zezës, e bënin publikun të jetë kurioz se cilës vepër do t’i japin frymë e jetë. Mirëpo, kësaj radhe dolën përtej pritshmërive. Ata u larguan prej muzikës klasike, për të qenë në hap me organizimin e sivjetshëm.

Anëtarët e korit të Pejës, “Siparantum”, bashkë me dirigjentin Memli Kelmendi morën vendet në skenën e improvizuar. E pas një heshtjeje të këndshme nga të pranishmit, zërat u ngritën dhe lëvizjet e duarve të tyre u kthyen në instrumente muzikore.

“I want to break free” e rock-grupit “Queen”, një thirrje artistike që nga 1984 në mbarë botën, kësaj radhe motivet e saj stacionoi edhe në Kosovë. Me një stil të veçantë të interpretimit nga Kori, dëshirat për lirinë dhe thyerjen e kufijve, të cilët ndalojnë vrullin njerëzor, u ngritën lart.

E përbrenda këtij ritmi melodik nuk qenë vetëm solistët ata të cilët kënduan. Zhytjes muzikore iu bashkua çdo dimension i pakufishëm i mendimeve dhe shprehësisë përtej një kufiri të paracaktuar nga dikush. Kështu, në qiell të hapur triumfi ndaj mposhtjes së një virusi, i cili ndali rrjedhën normale të jetës, bëri që të gjithë të kapnin flamurin e fitores në formë artistike.

“Kjo natë sonte po duket që e ka vulosur fundin e pandemisë”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi, teksa ka shtuar se përzgjedhja e kësaj vepre u bë nga organizatorët.

Ai ka thënë se kjo performancë ka qenë më e vështirë për t’u realizuar, duke pasur parasysh koordinimin mes anëtarëve të Korit në periudhën e pushimeve.

“Qe diçka më relaksuese në raport me performancat tona. Audienca ka pritur diçka krejt ndryshe, por ky ndryshim i jep një atmosferë krejt ndryshe”, ka thënë Kelmendi.

Dirigjenti nga Peja ka thënë se veçantia e këtij Festivali është se bashkon artistë jo vetëm animatorë, por edhe nga fushat e tjera, e në këtë rast edhe nga muzika.

“Mesazhi i të gjithë neve duhet të jetë ‘We want to break free”, ka konstatuar Kelmendi.

Festivalet, mundësi depërtimi në arena ndërkombëtare

I sapokthyer nga Festivali i Cannes, producenti i filmit “Pa Vend”, Eroll Bilibani, rikthimin fizik të “Anibarit” ka thënë se e ka përjetuar me emocion.

Në një prononcim për KOHËN ai ka theksuar se, sipas tij, arsyeja e themelimit të festivaleve qëndron në kujtimin e miqve të vjetër e shkëmbimit të përvojave.

“Pikërisht për shkak të festivaleve, në Kosovë është zhvilluar kinematografia, sepse po e kemi rastin të takohemi me kineastët e huaj e të shkëmbejmë përvoja të ndryshme”, ka thënë Bilibani.

E nga e gjithë ceremonia hapëse, ajo që i pëlqeu më së shumti atij ishte videoja, e cila shprehte izolimin kosovar.

“Gjithçka kushton për neve më shtrenjtë”, ka thënë ai, teksa ka përshkruar gjendjen e tanishme.

“Anibari” tashmë e ka sjellë lirinë. Dhe këtë e bën nëpërmjet animacionit. Ka ndezur projektorët e çizolimit, e kështu do të jenë për një javë. Pesë kinematë tashmë janë gati për shpalosjen e një tjetër bote.