Dokumenti i Shtëpisë së Bardhë, i bazuar në komente të publikut të ndara me administratën, evidenton ekspozita problematike në shtatë muze të ndryshëm, përfshirë një ekspozitë mbi Benjamin Franklinin që i lidh arritjet e tij shkencore me pronësinë e tij mbi njerëz të skllavëruar dhe një film mbi vrasjen e George Floydit që, sipas dokumentit, e paraqet në mënyrë të shtrembëruar policinë.
Në periudhën e rishikimit të ashpër të administratës së Donald Trump mbi muzetë Smithsonian, “The Guardian” ka siguruar një dokument të përpiluar nga Shtëpia e Bardhë që përshkruan shembuj se si administrata beson se institucionet kulturore më të vizituara paraqesin në mënyrë tepër negative historinë e Shteteve të Bashkuara.
Dokumenti, i bazuar në komente të publikut të ndara me administratën, evidenton ekspozita problematike në shtatë muze të ndryshëm, përfshirë një ekspozitë mbi Benjamin Franklinin që i lidh arritjet e tij shkencore me pronësinë e tij mbi njerëz të skllavëruar dhe një film mbi vrasjen e George Floydit që, sipas dokumentit, e paraqet në mënyrë të shtrembëruar policinë.
“Presidenti Trump do të shqyrtojë të gjitha opsionet dhe rrugët për ta larguar ‘Woke’ nga Smithsonian dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës”, tregoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
“Derisa të marrim informacion nga Smithsonian në përgjigje të letrës sonë, nuk mund të verifikojmë numrin e artefakteve që janë hequr, pasi Smithsonian i ka hequr ato në mënyrë të pavarur”.
Trump shpalli nismën në “Truth” më herët këtë javë, duke shkruar: “Smithsonian është jashtë kontrollit, ku çdo diskutim është vetëm se sa i tmerrshëm është vendi ynë, sa e keqe ishte skllavëria dhe sa të pavlerë kanë qenë të shtypurit”.
Shtatë muzetë që deri më tani janë vënë në shënjestër për rishikim përfshijnë: Muzeun Kombëtar të Historisë Amerikane, Muzeun Kombëtar të ardhshëm për Amerikën Latine, Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrës, Muzeun Kombëtar të Artit Afrikan, Galerinë Kombëtare të Portreteve, Muzeun Amerikan të Artit, Smithsonian dhe Muzeun Kombëtar të Artit Aziatik.
Administrata argumenton se ekspozitat në këto muze përqendrohen tepër tek shtypja dhe jo tek arritjet amerikane. Në Muzeun Kombëtar të Historisë Amerikane, dokumenti kritikoi ekspozitën “¡Presente!” mbi historinë e amerikanëve latin për promovimin e një “agjendë antiamerikane”, duke analizuar efektet e kolonizimit dhe duke përshkruar SHBA-në si uzurpuese të territorit nga Meksika në vitin 1848.
Shembuj nga dokumenti kritikojnë gjithashtu ekspozitën mbi Benjamin Franklinin për lidhjen e arritjeve të tij shkencore me faktin që ai zotëronte skllevër, si dhe ekspozitën e flamurit “Star-Spangled Banner” për fokusimin te dështimet dhe polemikat historike amerikane, në vend që të festohen arritjet kombëtare.
Galeria Kombëtare e Portreteve është kritikuar për fokusimin në faktin se Akti i Përjashtimit të Kinezëve dhe ligjet e tjera raciste për emigracionin bien ndesh me mesazhin mikpritës të Statujës së Lirisë. Muzeu i Artit Afrikan është shënjestruar për filmin mbi George Floyd, ndërsa muzeu i artit aziatik është kritikuar për ekspozitat që, sipas administratës, pretendojnë të imponojnë ideologji perëndimore mbi gjinitë në kulturat tradicionale.
Javën e kaluar, drejtori i buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Russ Vought, u dërgoi letra tetë muzeve duke kërkuar informacion për ekspozitat brenda 30 ditëve dhe duke u dhënë udhëzime zyrtarëve që të zbatojnë “korrigjime të përmbajtjes”, përfshirë zëvendësimin e gjuhës “përçarëse”.
Ky rishikim vjen pas presioneve të ngjashme të administratës Trump mbi universitetet, të cilat rezultuan që disa institucione të paguajnë qindra miliona dollarë qeverisë dhe të tërhiqen nga nismat për diversitetin.
Ndërkohë, Smithsonian ka bërë tashmë disa ndryshime në ekspozitat që përmendin Trump, duke hequr çdo referencë mbi akuzat për fajësim të tij nga një ekspozitë mbi fuqinë presidenciale në Muzeun e Historisë Amerikane në korrik, duke lënë vetëm referenca të përgjithshme për tre presidentë që janë përballur me mundësinë e shkarkimit nga detyra. Megjithatë, administruesit e muzeut sqaruan se heqja ishte pjesë e një përditësimi dhe se informacioni mbi fajësimin u rikthye më 8 gusht.
Nuk është e qartë se cilët muze janë saktësisht nën rishikim. Një letër nga Shtëpia e Bardhë drejtuar sekretarit të institucionit Smithsonian, Lonnie Bunch, javën e kaluar përfshinte një listë tjetër muzesh: Muzeun e Historisë Amerikane, Historisë Natyrore, Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane dhe Indianit Amerikan, së bashku me Muzeun Kombëtar të Ajrit dhe Hapësirës, Muzeun Amerikan të Artit, Galerinë e Portreteve dhe Muzeun Hirshhorn dhe Kopshtin e Skulpturave.
Institucioni Smithsonian nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment, por “The Guardian” siguroi një deklaratë të dërguar nga Bunch, sekretari i 14-të i institucionit, drejtuar kolegëve.
“Smithsonian vazhdon të përmendet në artikuj të shumtë lajmesh dhe postime në rrjete sociale, dhe kam marrë pyetje dhe komente nga shumë prej jush. Smithsonian do të udhëhiqet gjithmonë nga kërkimi shkencor dhe vlerat tona thelbësore. Ndërsa koleksionet tona mund të evoluojnë për të reflektuar zbulime dhe njohuri të reja, ndershmëria intelektuale dhe integriteti i kërkimeve dhe koleksioneve tona nuk do të ndryshojë. Gjatë historisë sonë 179-vjeçare, ne kemi dëgjuar dhe mësuar nga bashkëqytetarët tanë, si pjesë e misionit tonë për t’u ofruar amerikanëve përmbajtje të saktë, shkencë të nivelit botëror dhe informacion cilësor”.
“Ndonëse nuk mund ta dimë se çfarë kritika të ardhshme mund të na presin, unë kam besim të plotë në aftësinë tuaj për të qëndruar të fortë dhe për të përfaqësuar me efektivitet një institucion, që synon të ndihmojë kombin të kuptojë më mirë të shkuarën, të prodhojë dhe të përçojë shkencën dhe dijen më të saktë, dhe të shërbejë për të mirën e përgjithshme”.